Kërko

 Gesù e Nicodemo Gesù e Nicodemo

Papa: marrëdhënia me Jezusin shkon përtej logjikës së interesit

Papa: Ftesa e #Ungjillit të sotëm (Gjoni 6, 24-35) është kjo: në vend që të shqetësohemi vetëm për bukën materiale, ta presim Jezusin si bukën e jetës dhe, duke u nisur nga miqësia jonë me Të, tё mësojmë ta duam njëri-tjetrit. Me mirënjohje, falas dhe pa bërë asnjë llogari.

R.SH. - Vatikan

"Ftesa e #Ungjillit të sotëm (Gjoni 6, 24-35) është kjo: në vend që të shqetësohemi vetëm për bukën materiale, ta presim Jezusin si bukën e jetës dhe, duke  u nisur nga miqësia jonë me Të, tё mësojmë ta duam njëri-tjetrit. Me mirënjohje, falas dhe pa bërë asnjë llogari". Kёshtu pohon Papa Françesku nё njё tweet, 1 gusht 2021, nё faqen @Pontifex.

Ta shikojmë Jezusin si mik

Me ndihmën e Shpirtit të Shenjtë Hyj, duhet ta shikojmë Jezusin si person, si mik. Fatkeqësisht, Jezusi, për shumë vetë është një personazh, një përmbledhje dogmash, doktrinash, gati një institucion. Por, përkundrazi, është jetike që Jezusi të jetë për ne një person i gjallë. E, atëherë, duhet të shkojmë edhe më tej. Është e mundur ta zgjedhim Jezusin si mik, sepse Ai është Ngjallur prej sё vdekurish, është i Gjallë. Prania e Tij, edhe pse shpirtërore, jo fizike, është më reale, pafundësisht më reale se prania fizike, apo e hamendësuar.

Nga kjo, pjekuria e plotë e njeriut, stabiliteti i tij i brendshëm, i kanë themelet në marrëdhënie me Zotin, marrëdhënie që kalon përmes takimit me Jezu Krishtin. Vetëm një marrëdhënie e thellë besimi dhe miqësie të vërtet me Jezusin është në gjendje t’u besimtarëve  e tё gjithё njerëzve atë për ka kanë më shumë nevojë për të përballuar mirë jetën. Qetësia e drita e brendshme, prirja për të menduar pozitivisht, shpirtbardhësia ndaj tjerëve, gatishmëria për të paguar personalisht për të mirën, drejtësinë e të vërtetën. Nëse asnjë njeri nuk është ishull, aq më pak është i krishteri, që në Ungjill e zbulon bukurinë e fesë së bashkëndarë e të dëshmuar së bashku me të tjerë në vëllazërim e në shërbim të dashurisë e bamirësisë, siç dёshmon edhe Kisha.

Lidhje personale, jo njohje intelektive

Gjatë Mbretëreshës Qiellore tё 22 prillit 2018, Papa Françesku kujtoi se Jezusi, kur thotë se i njeh delet e veta  e se edhe delet e njohin, “nuk e ka fjalën për njohje intelektive, por për marrëdhënie personale, për dashurinë e anasjelltë”. Prej këndej, Papa na nxit t’ia hapim zemrën Jezusit, që të mund të hyjë deri në thellësitë tona të pashqyrtueshme. Edhe pse Zoti na i njeh mirë mëkatet e të metat, planet e shpresat, ëndrrat e zhgënjimet. E na pranon kështu, si jemi, edhe të ngarkuar me mëkate. Sepse Zoti dëshiron të na shërojë, të na falë. E na prin me dashuri, që të mund të shkelim edhe nëpër shtigje të ngatërruara, pa e humbur kurrë rrugën.

Nëse ftohet lidhja me Jezusin, mbizotërojnë mënyra të tjera të jetuari

Jemi të ftuar ta njohim Jezusin - nxiti Papa - e për ta bërë këtë, duhet të heqim dorë nga  vetëvlerësimi, nga vetëdashja, nga besimi në forcat tona njerëzore, e të ecim në udhë të reja,  të hapura drejt horizonteve të pafundme.

01 gusht 2021, 19:48