Kërko

Vatican News

Papa Françesku: drita e Ungjillit, për të reformuar Kishën

Në videon me ndjetet e lutjes për muajin gusht, Papa kujton se identiteti i Kishës është në ungjillëzim e përtëritja e saj kalon përmes ndryshimit të secilit prej nesh. “Kisha - pohon Papa në spanjisht - ka gjithnjë vështirësi, kalon përherë përmes krizash, por pikërisht kjo tregon se është e gjallë!”.

R.SH. - Vatikan

Kishë për udhë, që ungjillëzon, pa prozelitizëm, e përtërin falë Shpirtit Shenjt dhe forcës së Ungjillit. Papa Françesku e përqendron videon me ndjetet e lutjes për muajin gusht tek thirrja e vetë Kishës,  duke kujtuar se krizat  që kalohen, janë gjithnjë shenja gjallërie:

“Thirrja tipike e Kishës është të ungjillëzojë, gjë që nuk do të thotë aspak prozelitizëm. Jo! Thirrja është të ungjillëzosh. E për më tepër, Kisha është për të ungjillëzuar!”.

Të shndërruar nga Shpirti Shenjt

Françesku kujton se ndryshimi në Kishë ndodh falë “shqyrtimit të vullnetit të Zotit në jetën e përditshme e duke i dhënë shtytjen shndërrimit të zemrës, të prirë nga Shpirti Shenjt”, “dhuratë e Zotit në zemrat tona”. Reformë, kjo, që kalon përmes nesh dhe ia ndryshon faqen botës:

“Pa ide të parafabrikuara, pa paragjykime ideologjike, pa ngurtësi zemre, por duke shkuar përpara të nisur nga përvoja shpirtërore, përvoja e dhurimit, përvoja e dashurisë së krishterë, përvoja e shërbimit!”.

Sende të gjalla

Endrra e Papës është e qartë: Ati i Shenjtë ëndërron një Kishë gjithnjë misionare, gjithnjë larg prozelitizmit, Kishë që i shndërron të gjitha strukturat  e veta, në shërbim të ungjillëzimit të botës së sotme:

“Duhet kujtuar se Kisha has gjithnjë pengesa, përshkohet gjithnjë nëpër kriza. Sepse është e gjallë! E gjëja e gjallë hyn gjithnjë në krizë. Vetëm të vdekurit flejnë të qetë në varret e tyre, pa hyrë në krizë. Të lutemi, prandaj, për Kishën, që të marrë nga Shpirti Shenjt hirin e forcën të reformohet në dritën e Ungjillit”.

Koha e përshtatshme

Ndryshimin ndërmjet ndeshjes e krizës, Françesku e pati shtjelluar në fund të vitit 2020, na e  kujton atë Frédéric Fornos, drejtor ndërkombëtar  i Lutjes së Papës që, duke cituar Atin e Shenjtë, nënvizon se “krizat janë gjithnjë kohë e përshtatshme për Ungjillin dhe reformimin e Kishës”. E reformimi nuk do parë si të ishte ndonjë veshje e vjetër, që ka nevojë të arnohet - nënvizonte Papa duke folur para Kuries Romake - por një çast për të kërkuar  e për të njohur vullnetin e Zotit.

Kjo, videoja e re, që na kujton se që nga viti 2006 Videoja e Papës është ndjekur 158 milion herë në të gjitha rrjetet shoqërore të Vatikanit, është përkthyer në 23 gjuhë e është dukur në shtypin e 114 vendeve.

03 gusht 2021, 11:31