Kërko

Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa: feja fiton pjekurinë nëse në qendër të saj është Zoti, jo nevojat tona

Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kujtoi se ftesës së Ungjillit duhet t’i përgjigjemi falas. Pa bërë asnjë llogari! E në vend që të shqetësohemi vetëm për bukën e përditshme, që shuan urinë, ta pranojmë Jezusin si bukë e jetës”

Françesku e nisi lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot me skenën fillestare të Ungjillit të liturgjisë së ditës. Me përshkrimin e barkave në lëvizje drejt Kafarnaos e turmën që ngarend në kërkim të Jezusit.

Nuk mjafton ta kërkosh Zotin

Mund të mendojmë - kujtoi- se ta kërkosh Jezusin është gjë shumë e mirë. Po Ungjilli na mëson se nuk mjafton ta kërkosh Zotin. Duhet edhe të dish pse po e kërkon! Jezusi - vijoi të shpjegonte Papa - pohon: “Ju më kërkoni jo pse patë shenja, por pse hëngrët bukë e u ngopët”. Kujtonte, kështu, shumëzimin e  bukëve - shpjegoi Papa - që njerëzit e kishin jetuar, por nuk e kishin kuptuar plotësisht: ishin ndaluar vetëm tek ana e jashtme e mrekullisë, pa depërtuar në aspektin shpirtëror të ngjarjes së mrekullueshme.

Po pse e kërkojmë Zotin?

Ja, pra, cila është pyetja e parë, që duhet t’i bëjmë vetes - kujtoi Papa në vijim të lutjes së Engjëllit:

“Pse e kërkojmë Zotin? Çfarë na shtyn të besojmë? Duhet ta sqarojmë mirë këtë, sepse ndërmjet të gjitha tundimeve, është edhe një, që mund ta quajmë tundim idhujtar. Ai, që na shtyn të kërkojmë një zot, i cili vihet në shërbim tonë, na i zgjidh problemet e na mbush me hire, të cilat ne vetë nuk mund t’i  fitojmë”.

Po në këtë mënyrë feja  mbetet e  cekët e mrekullistike:

“E kërkojmë Zotin për të shuar urinë, e pastaj, kur ngopemi, nuk kujtohemi më fare për Të!”.

Në qendër të kësaj feje nuk është Zoti

Në një situatë të tillë - kujtoi Papa - mund të na ndihmojë një pyetje e dytë, ajo që ia drejton turma Jezusit: “Çfarë duhet të bëjmë, për të kryer veprat e Zotit?”. Të duket sikur njerëzia, e provokuar nga Jezusi,  pyeste:

“Ç’duhet bërë, për ta pastruar kërkimin  e Zotit? Si mund të kalojmë nga një fe magjike, që mendon vetëm për nevojat veta, në fenë, që i pëlqen Zotit?”.

Jezusi na e tregon fenë e vërtetë e na  hap rrugën drejt Atit

Jezusi na e hap rrugën! Na përgjigjet se vepra e Zotit është ta pranosh Atë, që e dërgoi Ati, domethënë Atë vetë, Jezusin. Nuk është nevoja të ndjekësh praktika fetare, as të praktikosh rregulla të posaçme: është ta pranosh Jezusin në jetë, të jetosh një histori dashurie me Të. Di Ai, pastaj, si e pastron fenë tonë. Gjë që të vetëm nuk mund ta bëjmë.

Zoti do lidhje dashurie

Zoti kërkon lidhje dashurie me ne; Ai  ka vendin e parë, para gjërave që marrim a që bëjmë. Lidhja me Të shkon përtej  logjikave të interesit e të llogarisë,

Shoqëria e interesit nuk lind jetë

E Papa, në vijim, na kujtoi se kjo vlen jo vetëm për lidhjen tonë me Zotin, por edhe me njeriun, me marrëdhëniet tona njerëzore e shoqërore; posaçërisht kur, për t’i plotësuar nevojat, rrezikohemi t’i  përdorim njerëzit e t’i manipulojmë situatat për të arritur qëllimet tona:

“E një shoqëri, që vë në qendër të vëmendjes interesin, në vend të njeriut, është shoqëri që nuk lind jetë!”.

Ftesa e Ungjillit

Për çka na fton Ungjilli atëhere? - pyeti Papa - Në vend që të shqetësohemi  për bukën materiale, që shuan urinë, ta presim Jezusin si buka e jetës e, duke u nisur nga miqësia me Të, të mësohemi edhe ta duam njëri-tjetrin. Falas. Pa bërë asnjë llogari!

Ky mësimi i Ungjillit, që na e dha Papa në lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, të cilën e përfundoi, si zakonisht, me një lutje drejtuar Zojës së Bekuar:

“Ta lusim tani Shën Marinë, atë që jetoi historinë më të bukur të dashurisë me Zotin, të na dhurojë hirin e hapjes së zemrave, për takimin me Birin e Saj”.

01 gusht 2021, 13:10