Kërko

Vatican News
Në lutje për Papën Në lutje për Papën 

Pranë Papës, me lutje

Nga Filipinet, nga Malta… e deri nga Koreja e Jugut, Françeskut, shtruar në Poliklinikën Gemelli të Romës, vijojnë t’i vijnë mesazhe afërsie. Një kor vigan lutjesh, që i uron “shërim të shpejtë”

R. SH. - Vatikan

Papës vijojnë t’i vijnë urime për shërim të shpejtë nga të katër anët e botës. Kryeipeshkvi Romulo G. Valles, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të Filipineve,  i dërgoi, më 6 korrik, një mesazh, në të cilin shkruhet: “Mbarë populli filipinas bashkohet, me besim të plotë në Zotin, në lutje për shërimin tuaj të shpejtë, pas ndërhyrjes kirugjike”. Filipinasit “marrin forcë e frymëzim” nga Papa “i cili po e shndërron edhe vuajtjen në solidaritet me kë kalon çaste dhimbjeje, i harruar në ankthin e vet të thellë”  - vijon prelati - duke nënvizuar se kjo afërsi “është balsam i çmuar, që u jep mbështetje e ngushëllim të sëmurëve në vuajtjet e tyre”. Citim ky, i fjalëve të vetë Papës, shkëputur nga Mesazhi për Ditën XXIV botërore të të sëmurit. Teksti përfundonte duke i siguruar filipinasit se lutet për ta e se ia beson “përqafimit amtar të Virgjërës Mari”.

Ndërsa Presidenti i Maltës, George Vella, në mesazhin e tij  kujton se “e mori me shqetësim të thellë lajmin për ndërhyrjen kirurgjike të Papës Bergoglio e se i shpreh urimet më të mira për shërim të plotë”.  

Kreu i shtetit nënvizon se “populli i Maltës bashkon zërin me të tijin, për t’i shprehur Atit të Shenjtë solidaritetin dhe devocionin e thellë, gjatë këtyre çasteve të vështira”. “Jemi të gjithë të bashkuar në lutje drejtuar Atit të Gjithëpushtetshëm për shëndetin e plotë e mirëqenien e Atit të Shenjtë”- thekson.

“Ashtu si Shenjtëria Juaj i pati drejtuar fjalë dashurie e bekimi popullit korean, edhe unë lutem për shëndetin Tuaj” - uronte në të njëjtën ditë – presidenti i Republikës së Koresë, Moon Jae-in. “Lutem me gjithë zemër që Ju ta merrni sa më shpejt veten e që të gjithë ta shikojnë përsëri fytyrën Tuaj të shëruar, plot me mëshirë” - kështu i shkruan Papës. E, duke e vlerësuar “si nderim të thellë” emërimin, qershorin e kaluar, të ipeshkvit korean Lazzaro You Heung-sik, prefekt i Kongregatës për Klerin, kreu i shtetit korean uron  që “prelati të japë ndihmesën e tij të çmuar në shërbim të Selisë së Shenjtë e të paqes në botë”. Së fundi, duke shprehur mirënjohjen edhe për “lutjet e vazhdueshme të Françeskut për paqëtimin e Gadishullit korean” përfundon me urimin që Papa “të gëzojë sa më shpejt shëndet të plotë”.

14 korrik 2021, 12:34