Kërko

Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot 

Papa: nuk duhet të kalojmë nga rendja pas punës, në rendjen pas pushimeve

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot, kremtuar nga dritarja e Bibliotekës së tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit, Papa tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga mania e aktivizmit: vetëm zemra që nuk rrëmbehet nga nxitimi, është e aftë t’i mëshirojë të tjerët. Lidhja e pushimit, kundrimit e mëshirës, përbën ekologjinë tejet të nevojshme të zemrës.

R.SH. - Vatikan

Para lutjes së sotme të Engjëllit të Tënzot, Papa shfletoi faqen e Ungjillit të së dielës sipas Markut. Atë faqe, që na ndihmon të kuptojmë  dy aspekte  të rëndësishme të jetës. I pari, pushimi. Papa foli për pushimin, pikërisht kur fjala “pushim” është nga më të përsëriturat këto ditë të vapta vere.  Apostujve - kujtoi - që kthehen nga përpjekjet e misionit e nisin gjithë entuziazëm të tregojnë gjithçka bënë, Jezusi u drejton ëmbëlsisht ftesën: “Ejani mënjanë!”.

Një mësim tejet i çmuar

Duke vepruar kështu - vijoi Papa - Krishti na jep një mësim shumë të çmuar. Edhe pse ngazëllehet kur i shikon dishepujt e vet të lum për mrekullitë e predikimit, nuk zgjatet shumë në lëvdata e pyetje. Çka e shqetëson më tepër, është lodhja e tyre fizike e shpirtërore. Dëshiron t’u tërheqë vëmendjen të ruhen nga rreziku, gjithnjë në pritë edhe për ne, i pushtimit nga mania për të bërë, duke rënë në kurthin e aktivizmit, ku gjëja më e rëndësishme janë rezultatet që arrijmë e synimi për t’u dukur protagonistë absolutë - shtoi Papa - duke e aktualizuar mësimin ungjillor.

Rrezikohemi t’i bëjmë hije Jezusit

Nga veprimtaria ungjillore e apostujve, Françesku kaloi tek veprimtaria e sotme e Kishës. Sa herë ndodh kjo edhe në Kishë - kujtoi -  jemi tejet të zënë me punë, vrapojmë, mendojmë se gjithçka varet nga ne e, në fund të fundit,  rrezikohemi ta lëmë pas dore Jezusin:

“Prandaj Ai i fton të tijtë të pushojnë pakëz mënjanë, me Të. Nuk është thjesht pushim fizik, është edhe pushim i zemrës. Sepse nuk mjafton ‘të heqësh spinën’, duhet pushuar me të vërtetë”.

Pushim në heshtje, me lutje

Për një pushim të vërtetë duhet të rikthehemi në zemër të sendeve - porositi Papa - të ndalemi ca çaste, të heshtim, të lutemi, për të kaluar nga vrapimet e punës, në ato të pushimeve. Jezusi nuk largohej nga nevojat e turmës, por çdo ditë, para së gjithash, tërhiqej në lutje, në heshtje, në bashkim me Atin. Ftesa e tij e ëmbël “pushoni paksa”- duhet të na shoqërojë edhe ne:

“Të ruhemi nga efiçentizmi, ta ndalim vrapin e ngutshëm, që na diktojnë planet tona ditore. Të mësohemi për t’u ndaluar një çast, ta shuajmë celularin, për t’i shikuar njerëzit në sy, për t’u mësuar me heshtjen,  për të kundruar natyrën, për ta ripëtrirë dialogun me Zotin”.

Porosi me vlerë kjo, në këtë kohë pushimesh verore!

Ungjilli na mëson të jemi të mëshirshëm

Gjithsesi Ungjilli tregon se Jezusi dhe dishepujt nuk mund të pushonin si dëshironin. Njerëzit i kërkonin, i gjenin e rendnin pas tyre nga të katër anët. Në këtë pikë, Zoti preket në shpirt. E ky është aspekti i dytë: mëshira!

I prekur thellë në shpirt, Jezusi i kushtohet njerëzve e rifillon t’i mësojë. Duket si kundërvënie, por në të vërtetë nuk është ashtu:

“Në të vërtetë, vetëm zemra që nuk rrëmbehet nga nguti, është e aftë të preket, të mallëngjehet, domethënë, e aftë t’i lërë veten e gjërat që duhet të bëjë mënjanë, e të kujtohet për të tjerët, për plagët e tyre, për nevojat e tyre”.

Mëshira lind nga kundrimi. Nëse mësojmë të pushojmë vërtet, bëhemi të aftë edhe për mëshirën e vërtetë; nëse kultivojmë një vështrim kundrues,  fitojmë edhe aftësinë për t’i çuar përpara veprimtaritë tona, pa sjelljen e atij, që dëshiron të ketë e të konsumojë gjithçka:

“Nëse rrimë në lidhje me Zotin e nuk e vëmë në gjumë pjesën më të thellë të vetvetes, punët që kemi për të bërë nuk do ta kenë pushtetin të na marrin frymën e të na përpijnë”.

Kemi nevojë për “ekologjinë e zemrës”

“Kemi nevojë për “ekologjinë e zemrës” që pëbëhet nga pushimi, kundrimi e mëshira. Të përfitojmë nga koha e verës për këtë!”- nënvizoi Papa.

E, në përfundim, si gjithnjë, lutja drejtuar Zojës, që kultivoi heshtjen, lutjen e kundrimin,  e  është gjithnjë përplot me mëshirë për ne, bijtë e saj.

18 korrik 2021, 09:14

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >