Kërko

Vatican News

Papa vijon të rimëkëmbet normalisht pas operacionit

Analiza histologjike konfirmon divertikulitin. Papa Françesku, i shtruar në spitalin Gemelli të Romës, nga dita e diel, “preket nga mesazhet dhe dashuria e madhe, që i kanë dëshmuar këto ditë dhe shpreh mirënjohjen e tij për afërsinë dhe lutjen”

R.SH. – Vatikan

Papa vazhdon të rimëkëmbet, pas operacionit të së dielës në spitalin Gemelli të Romës, ku ndodhet aktualisht. Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, në një komunikatë, shpjegon se Ati i Shenjtë po bën hapa të tjera drejt shërimit.

“Rimëkëmbja e Shenjtërisë së Tij Papës Françesku, pas operacionit, - deklaron Bruni - vazhdon të jetë normale dhe e kënaqshme. Ati i Shenjtë vazhdoi të ushqehet rregullisht dhe pezulloi terapinë me infuzion”.

“Analiza përfundimtare histologjike - shton drejtori i Sallës së Shtypit - konfirmoi një stenozë të rëndë divertikulare me shenja divertikuliti sklerotizues”.

Së fundi, Bruni njofton se “Papa Françesku është prekur nga mesazhet e shumta dhe nga dashuria, që i kanë dëshmuar këto ditë, si edhe shpreh mirënjohjen e tij për afërsinë dhe lutjen”.

07 korrik 2021, 12:01