Kërko

Sofra universale Sofra universale 

Papa: uria në botë, shkandull e krim kundër të drejtave të njeriut

Në para-takimin e rangut të lartë, kushtuar sistemeve ushqimore, hapur dje, në Romë, Françesku kujtoi se të gjithë e kanë për detyrë ta “çrrënjosin padrejtësinë” e urisë globale, përmes politikave guximtare. Mesazhin e Papës e lexoi imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për marrëdhëniet me Shtetet.

R. SH. - Vatikan

Sfidë, shkandull, krim, padrejtësi: kështu e quan Papa urinë, pasigurinë ushqimore dhe ushqimin e pamjaftueshëm në epokën Covid-19, në një mesazh drejtuar Antonio Guterres, sekretar i përgjithshëm i OKB-së. Rasti është paratakimi i rangur të lartë të OKB-së,  kushtuar sistemeve ushqimore, në program nga 26 deri më 28 korrik në Romë.

Kjo ngjarje i paraprin samitit global, në program, shtatorin e ardhshëm në New York, SHBA. Është takim shumë i rëndësishëm - shkruan Françesku - posaçërisht sepse “kjo pandemi shoqërohet nga padrejtësitë sistematike,  që minojnë unitetin tonë si familje njerëzore”. Ndërmjet tjerash, varfëria dhe dëmet vijojnë t’i shkaktohen tokës, “shtëpisë sonë të përbashkët”, përmes “përdorimit pa pëgjegjësi dhe shpërdorimit të të mirave, me të cilat e begatoi Zoti.

Duhet ndryshim rrënjësor

Prej këndej, thirrja e fuqishme e Papës për “ndryshim rrënjësor”: nuk mjafton, prandaj,  të theksohet roli i teknologjisë për shtimin e prodhimit të  planetit, nëse më pas rezultati është “sterilizimi i natyrës”, duke zgjeruar “shkretëtirat shpirtërore të brendshme e të jashtme”. Nuk mjafton të prodhosh  “ushqim të begatë”, nëse pastaj shumëkush nuk ka as bukën e përditshme në sofër. Nuk mjafton - pohon Françesku - sepse ky është shkandull i vërtetë, krim, që shkel, mbi të gjitha, të drejtat themelore, e edhe “padrejtësi”.  Që të gjithë e kanë për detyrë ta çrrënjosin me aksione konkrete, praktika të mira e politika guximtare lokale dhe ndërkombëtare”.

Sistemet ushqimore duhet të jenë të qëndrueshme e të respektojnë ambientin

E ç’duhet bërë, atëhere? Papa jep disa këshilla: në radhë të parë, sistemet ushqimore duhen shndërruar në mënyrë “të vëmendshme e korrekte”, në mënyrë që të jenë “të qëndrueshme në këndvështrimin ambiental, pa harruar respektimin e kulturave vendase. Objektivi i tyre duhet të jetë  qëndresa, forcimi i ekonomive vendase, përmirësimi i ushqimit, reduktimi i shpërdorimeve ushqimore dhe furnizimi i dietave të shëndetshme, në përdorim të të gjithëve”. Po ndryshimi duhet të niset nga brenda - thekson Françesku -  sepse objektivi “zero uri”, nuk arrihet vetëm me prodhimin e ushqimit, por edhe, e sidomos, me krijimin e një mendësie të re e me projektimin e sistemeve ushqimore, që e mbrojnë tokën dhe e vënë në qendër të vëmendjes dinjitetin e njeriut.

Në qendër të vëmendjes, edhe sektori bujqësor e fshatarak

Së dyti,  vijon mesazhi papnor - ushqimi duhet siguruar në mënyrë që të mjaftojë në nivel global, ndërsa puna dinjitoze duhet promovuar sidomos në nivel lokal, në mënyrë që bota e sotme të mund të ushqehet "pa e dëmtuar të ardhmen”. Më pas, Papa kujton edhe se duhet vënë në qendër të vëmendjes sektori fshatarak, ndërsa sektori bujqësor duhet të rifitojë  rol parësor në procesin vendimarrës politik dhe ekonomik, posaçërisht në fazën pas-pandemisë.

Familja, pjesë themelore e sistemeve ushqimore

Papa nënvizon, në vijim, “se familja duhet vënë në qendër të sistemeve ushqimore”, sepse  pikërisht në gjirin e saj “mësohet të shijohen frytet e Tokës, pa i shpërdoruar”, e po këtu zbulohen edhe “stilet e jetës, që respektojnë pasurinë personale e të përbashkët”. Në vijim Papa kujton se kështu, falë politikave efikase, plotësohen edhe nevojat e zonave më të harruara. Ndërkaq Françesku nuk harron se ka edhe interesa ekonomike, të cilat e pengojnë projektimin e një sistemi  ushqimor, që i përgjigjet vlerave të së mirës së përbashkët, të solidaritetit  e të kulturës së takimit: gjithsesi,  për një gjithanshmëri  të frytshme dhe një sistem ushqimor të suksesshëm, janë themelore “drejtësia, paqja dhe uniteti i familjes njerëzore”.

Ëndrra e Françeskut: askush të mos mbetet mbrapa!

“Ëndrra, për realizimin e së cilës duhet të punojnë të gjithë - shkruan akoma Françesku - është të ndërtosh një botë në të cilën buka, uji, ilaçet e puna janë me begati, edhe për të varfrit”. Domethënë, një botë pa të varfër! E ky është vërtet një objektiv fisnik, në shërbim të të cilit vihen  edhe Selia e Shenjtë dhe Kisha katolike, duke ofruar kontributin e tyre e duke bashkuar forcat e vullnetet, aksionet e vendimet e urta.

“Askush nuk duhet të mbetet mbrapa - përfundon mesazhi papnor -  E çdo njeri  duhet të jetë në gjendje të plotësojë nevojat e tij themelore, që kështu të mund të ndërtohet një shoqëri paqësore, e begatë e me të vërtetë vëllazërore!”. Kjo, ëndrra e Papës. E Kishës. Por edhe e çdo njeriu vullnetmirë!

27 korrik 2021, 12:42