Papa: Sudani i Jugut të realizojë shpresat, lindur dhjetë vjet më parë
R. SH. - Vatikan
“Në këtë ditë, dhjetë vjet pas fitores së Pavarësisë së Sudanit të Jugut, ju dërgojmë përshëndetjet tona më të përzemërta, të vetëdijshëm se ky përvjetor ju sjell në mendje luftërat tuaja, por edhe shpresën për të ardhmen”. Nis me këto fjalë Letra e përbashkët, drejtuar liderëve politikë të vendit me këtë rast, nënshkruar nga Papa Françesku, Justin Welby, kryeipeshkëv i Canterbury dhe nga Jim Wallace, moderator i Kishës së Skocisë. “Kombi juaj - lexohet në tekst - është i bekuar nga një potencial i pafundmë, e ne ju inkurajojmë të bëni përpjekje gjithnjë më të mëdha, që populli juaj të mund t’i gëzojë të gjitha frytet e pavarësisë”.
Mbetet ende shumë për të bërë në Sudanin e Jugut
Tre nënshkruesit vënë në dukje “edhe ndonjë përparim të vogël në sjelljen e liderëve, në besimin për tjetrin e në frymën e shërbimit ndaj popullit”, por vërejnë edhe se “për fat të keq, populli vijon të jetojë plot frikë, i paqartë, pa besim se në këtë Komb do të ketë, më në fund, drejtësi, liri, begati”! Fjalë që, tani për tani, gjinden vetëm në Himnin Kombëtar. Duhet bërë akoma shumë në Sudan - shkruhet në tekst - për të plazmuar një komb, që pasqyron mbretërinë e Zotit, “ku respektohet dinjiteti i të gjithëve e ku të gjithë janë të pajtuar”. Për ta arritur këtë objektiv, mund të jetë i nevojshëm flijimi personal nga ana e drejtuesve të kombit e teksti u tregon Krishtin si model leadership-i, duke i siguruar për afërsinë në përpjekjen për t’i shërbyer sa më mirë popullit të Sudanit të Jugut.
Papa uron që ta vizitojë një ditë këtë Vend
Në Letër kujtohen “premtimet” e bëra në takimin e prijësve politikë e fetarë sudanezë, në vitin 2019, në Vatikan. “Lutemi - lexohet akoma - që këto premtime t’i plazmojnë veprimet tuaja, në mënyrë që të bëhet e mundur të vimë për vizitë e të kremtojmë me ju e me popullin tuaj, duke nderuar kontributet tuaja ndaj një kombi, që realizon shpresat e 9 korrikut 2011”.
Mesazhi përfundon me “bekimin e Zotit për vëllazërim e paqe” mbi prijësit e mbarë vendit afrikan.