Kërko

Vatican News
Logo e Shtegtimit të Papës në  Sllovaki:  12 - 15 shtataor Logo e Shtegtimit të Papës në Sllovaki: 12 - 15 shtataor 

Papa në Hungari e Sllovaki: botohet programi zyrtar

Tri ditë të ngarkuara, nga 12 deri më 15 shtator, për Papën, që do të kryesojë Meshën përfundimtare të Kongresit Eukaristik ndërkombëtar në Budapest, për të vijuar shtegtimin në Bratislavë e, më pas, në qytetet Košice, Prešov e Šaštin.

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se nga 12 deri më 15  shtatori i ardhshëm, në dashtë Zoti, do të shkoj në Sllovaki për një vizitë baritore… Të lutemi të gjithë për këtë shtegtim e për ata, që po e organizojnë”. 27 ditë pas njoftimit që i dha Papa botës nga Pallati Apostolik gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot,  botohet edhe programi zyrtar i shtegtimit që Ati i Shenjtë do të bëjë pas dy muajsh në Budapest, Bratislavë dhe në qytete të tjera sllovake. Një program, ky i shtegtimit të 34-t apostolik të Françeskut, që do të ketë shumë takime e ngjarje, të programuara në orare të distancuara, për t’i krijuar Papës të sapooperuar, mundësinë e takimit me të gjitha realietet e pranishme në dy vendet e Evropës lindore, por njëkohësisht edhe për të mos u lodhur tepër.

Etapa e Budapestit: takimi me autoritetet politike e kishtare

Siç njoftoi vetë Papa, shtegtimi do të nisë më 12 shtator, me etapën e Hungarisë për Meshën përfundimtare të Kongresit Eukaristik  ndërkombëtar. Por, para kremtimit, që do të mbahet në Sheshin e Heronjve, Françesku - i nisur nga Roma/Fiumicino në orën 6, për të arritur në Budapset në orën 7.45 - do të ketë tre takime. Një orë pasi të ketë arritur, do të takojë, pranë Muzeut të Arteve të Bukura, presidentin hungarez János Áder dhe kryeministrin Viktor Orbán. Takimi do të zgjasë   gjysëm ore, nga ora 8.45 - deri në 9.15, orë në të cilën parashikohet takimi me ipeshkvijtë e vendit, gjithnjë në Muzeun e Arteve të Bukura. Me këtë rast Papa do të mbajë një fjalim. Një tjetër do t’ua drejtojë përfaqësuesve  të Këshillit Ekumenik të Kishave dhe disa bashkësive hebraike të Hungarisë, të cilat do t’i presë pak më vonë, në të njëjtin vend. Në gjysmën e paradites, e pikërisht në orën 11.30, Papa do të shkojë në Sheshin e Heronjve për të përfunduar Kongresin Eukaristik me Meshën solemne dhe kremtimin e Engjëllit të Tënzot. Më pas, transferimi në aeroport, për ceremoninë e lamtumirës.

Arritja në Sllovaki

Nisja për në Bratislavë parashikohet për orën 14.40, për të arritur rreth orës 15.30. Në kryeqytetin e Sllovakisë, pas një ore pushimi, Papa do marrë pjesë, në orën 16.30, në një takim ekumenik pranë Nunciaturës, gjatë të cilit do të mbajë një fjalim. Gjithnjë në Nunciaturë, në orën 17.30, do të takojë privatisht - siç është zakon në çdo shtegtim apostolik - anëtarët e Shoqërisë së Jezusit. E kjo do të jetë edhe veprimtaria e fundit e ditës së parë të shtegtimit.

Takimet në Bratislavë

Të hënën, 13 shtator, në orën 9.15, dita e dytë do të hapet me ceremoninë e mirëseardhjes pranë Pallatit Presidencial në Bratislavë dhe me vizitën e presidentes Zuzana Čaputová, në Sallën e Artë. Pason takimi me autoritetet, trupin diplomatik dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, në kopshtin e Pallatit Presidencial; pas këtij takimi, Françesku do të shkojë në katedralen e Shën Martinit, për takimin me ipeshkvjtë, priftërinjtë, rregullarët, rregulltaret, seminaristët e katekistët.

Më pas, dreka, pushimi dhe rifillimi i veprimtarive të Papës së palodhshëm, që do të takojë bashkësinë hebraike, në Sheshin Rybné námestie, ku ngrihet një vepër e artit bashkëkohor, në kujtim të të gjithë hebrenjve sllovakë të internuar e të vrarë gjatë Holokaustit. Me këtë rast Papa do të mbajë një fjalim. Në mbrëmje, e pikërisht në orën 18, do të presë, në Nunciaturë, në orë të ndryshme, kryetarin e Parlamentit, Boris Kollár dhe kryeministrin Eduard Heger.

Košice e Prešov: Liturgjia Hyjnore dhe takimet me romët e rinj

Dita e tretë është më impenjative. Më 14 shtator Papa Françesku do të vizitojë dy qytete: Košice, qyteti i dytë më i populluar i vendit në kufirin lindor, pranë Polonisë, Ukrainës e Hungarisë, mbi lumin Horná, e më pas Prešov, qyteti i tretë më i madh i Sllovakisë, me profil kryesisht kulturor, në brigjet e lumit Torysa. Në Košice Papa do të arrijë pas një udhëtimi prej pesëdhjetë minutash me avion nga Bratislava. Në orën 10.30, në Sheshin  Mestská športová hala, në Prešov, do të kremtojë Liturgjinë hyjnore bizantine të Shën Gjon Krizostomit. Ndërsa pasdite, në orën 16, do të shkojë në lagjen Luník IX, ku prej tridhjetë vjetësh banon bashkësia Rom. Në orën 17, në Stadiumin Lokomotiva, do të përshëndesë  të gjithë të rinjtë e Sllovakisë.  Prej këtu, nisja, në orën 18.30, për Bratislavë, ku do të arrijë pas një ore.

Në Šaštin, Mesha në Shenjtërore 

Të mërkurën, më 15 shtator, dita e fundit e shtegtimit papnor do t’i kushtohet vizitës në Šaštin, në rajonin e Trnava, sot një nga qytetet më të reja të Sllovakisë, që e mori statusin e qytetit më 1 shtator 2001. Këtu Papa do të ketë vetëm një takim: Meshën, në orën 10, në Shenjtëroren kombëtare, kushtuar dyqind vjet më parë Zojës e cila, sipas traditës popullore, quhet “Zoja me shtatë hanxharë”. Në orën 13.30 Papa do të largohet nga Sllovakia, me një ceremoni në Aeroportin ndërkombëtar të Bratislavës, prej nga do të niset për Romë, ku, sipas parashikimit, do të arrijë në orën 15. 30.

Tema: “Me Marinë e Jozefin,  për udhë drejt Jezusit

Tema e shtegtimit të 34-t apostolik është “Me Marinë e Jozefin për udhë drejt Jezusit", e zgjedhur - shpjegon Selia e Shenjtë, për të shprehur  “dëshirën që vizita e Papës Françesku në Sllovaki të mund ta përfocojë  fenë e ta përtërijë dëshirën për të ndjekur gjurmët e Zotit Jezus, që “nuk erdhi për t’u shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e Tij” (Mt 20,28). Kujtimi i Virgjërës Mari është një mënyrë për të vënë në dukje devocionin e madh marian të besimtarëve sllovakë që “kërkojnë ndihmën e Marisë në shekuj”. Françesku, pastaj, deshi të tërheqë vëmendjen drejt Shën Jozefit,  të cilit i kushtoi Letrën Apostolike “Patris corde”.

Logoja

Logoja të rikujton temën e vizitës: poshtë duket një rrugë, simbol i Udhës drejt kryqit, brenda, një zemër,  që të kujton dashurinë e Shën Jozefit e të Marisë, Pajtore e Sllovakisë, për Jezusin. Shtatë yjet të kujtojnë “Shtatë  hanxharët” e Zojës. Ngjyrat e logos, e bardha, bluja dhe e kuqja të kujtojnë flamurin sllovak, ndërsa e bardha dhe e verdha, atë të Vatikanit.

21 korrik 2021, 15:57