Kërko

Vatican News

Papa është mirë pas ndërhyrjes kirurgjikale. Buletini i ri

Operacioni i Papës Françesku zgjati rreth 3 orë. Parashikohen shtatë ditë qëndrim në spitalin Gemelli

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku është mirë, pas operacionit të djeshëm në Poliklinikën Gemelli të Romës. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, në një komunikatë të re për shëndetin e Atit të Shenjtë, nënvizon se ai është “në gjendje të mirë të përgjithshme, është zgjuar dhe merr frymë lirisht”. Bruni sqaron se Papës i është bërë një hemikolektomi, pra, i është hequr gjysma e zorrës së trashë, në një operacion, që zgjati 3 orë. Parashikohet të qëndrojë në Gemelli për shtatë ditë.

Ndërhyrje e planifikuar

         Ndërhyrja kirurgjikale, së cilës iu nënshtrua dje Papa Françesku në spitalin Gemelli, në Romë, ishte e planifikuar, pavarësisht se ndokush hodhi idenë e kundërt. Së pari, sepse problemi i stenozës divertikulare të sigmës ishte dukur prej kohësh e tashmë, nuk mund të shtyhej më ndërhyrja. Në përgjithësi, ajo këshillohet në 10% të rasteve, por, si duket, mjekët e konsideruan të arsyeshme e të nevojshme në rastin e Atit të Shenjtë. Së dyti, kjo është koha më e mirë, pasi Papa është me pushime, prandaj, përveç Engjëllit të Tënzot, nuk ka impenjim tjetër. Nga Vatikani sigurojnë edhe një herë se ndërhyrja kirurgjikale ishte e planifikuar.

Papa Bergoglio e kaloi mirë natën

         Ndërkaq, gjithçka e qetë në dhomën e katit të dhjetë të Poliklinikës Gemelli, ku Papa Bergoglio e kaloi mirë natën pas operacionit dhe ku gjithçka zhvillohet sipas një protokolli të zakonshëm shëndetësor, pavarësisht nga pacienti kaq i veçantë. Në sheshin para hyrjes, edhe policët italianë janë veshur me rroba të zakonshme, për të mos rënë në sy, ndërsa agjentët me uniformë dhe automjetet e blinduara janë më larg, së bashku me kameramanët e televizioneve, që i kanë drejtuar objektivat kah dritaret me grila të ulura të katit të dhjetë, me shpresën për të kapur një sinjal sado të vogël. Kanë kaluar 16 vite nga hera e fundit që një Papë është shtruar në spitalin Gemelli për një operacion.

05 korrik 2021, 11:53