Kërko

Vatican News

Papa lutet me gjyshat dhe pleqtë e botës!

Me rastin e Ditës së parë botërore të gjyshave e të të moshuarve, që do të kremtohet të dielën, më 25 korrik, në një video Françesku bashkon zërin me atë të burrave e të grave të kontinenteve të ndryshme në lutjen për t’i dhënë fund pandemisë dhe luftërave si dhe për ta falënderuar për dhuratën e jetës së gjatë, jetuar me gëzime e vështirësi, por që nuk i mungoi asnjëherë ngushëllimi i Zotit!

R. SH. - Vatikan

Të dashur gjysha, të dashura gjyshe! - Kështu nis lutja e Papës. “Unë jam me ty për gjithë ditë”(MT 28,20): Ky është premtimi, që Zoti ia bëri dishepullit, para se të ngjitej në Qiell e sot ta përsërit edhe ty, i dashur gjysh, e dashur gjyshe!

 “Jam me ty çdo ditë” janë edhe fjalët e Ipeshkvit të Romës e, si i moshuar, sa do të dëshiroja të të drejtoja një fjalë, me rastin e  kësaj Dite të parë Botërore të Gjyshave e të Moshuarve: e gjithë Kisha është pranë teje - shqetësohet për ty, të do e nuk dëshiron të të lërë vetëm! E di fare mirë se ky mesazh të vjen në një kohë të vështirë; pandemia ishte stuhi e papritur, e tërbuar, provë e rëndë,  që  ra mbi jetën  e secilit e shumë edhe shkuan, a panë si shuhej jeta e të dashurve. Të tjerë u detyruan të mbyllen në vetmi, për shumë kohë. Të izoluar! Zoti i njeh të gjitha vuajtjet e kësaj kohe. Ai është pranë atyre, që jetojnë përvojën e dhimbshme të njeriut të lënë mënjanë! Nuk e shikon me indiferencë, vetminë tonë - të ashpëruar edhe më shumë nga pandemia.

Një traditë tregon se edhe Shën Jakun, gjyshin e Jezusit, e larguan nga bashkësia sepse nuk kishte fëmijë:  jeta e tij - ashtu si e shoqes së jetës, Anës - shikohej si jetë e kotë. Po Zoti u dërgoi një Engjëll për t’i ngushëlluar. Ndërsa ai, tejet i trishtuar, rrinte jashtë portave të qytetit, iu duk një i dërguar nga Zoti, që i tha: “ Joakin, Joakin! Zoti e dëgjoi lutjen tënde”. E kjo është edhe figura e zgjedhur si logo e Ditës  Botërore të Gjyshave dhe të Moshuarve. Eshtë natë. Një nga ato netë plot me kujtime, shqetësime e dëshira, që kalojmë shpesh edhe ne. Po edhe kur gjithçka duket e errët, si në këto muaj pandemie, Zoti vijon t’i dërgojë engjëjt e tij për të ngushëlluar vetminë tonë e për të na pëshpëritur përsëri “Jam me ty, për të gjitha ditët”.Ta thotë ty, ma thotë mua, ua thotë të gjithëve! E ky është edhe kuptimi i Ditës, që desha të kremtohej për herë të parë këtë vit, pas izolimit të gjatë dhe rifillimit tejet të ngadaltë të jetës shoqërore. Që çdo gjysh, çdo i moshuar, çdo e moshuar - posaçërisht kush është më i vetmuar ndër ne - të vizitohet nga një engjëll! Nganjëherë engjëjt kanë fytyrën e nipave tanë, të tjerë, të familjarëve, të miqve e edhe të atyre, që i njohëm në këto çaste të vështira.

Askush nuk mund të shpëtojë i vetëm. Jemi në borxh të njëri-tjetrit. Vëllezër të gjithë. Në këtë perspektivë, do të desha t’ju them se ndjehet nevoja jote për të ndërtuar, në vëllazërim e miqësi shoqërore, botën e së nesërmes: këtë, në të cilën do të jetojmë - ne, me bijtë e nipat tanë - kur stuhia të jetë fashitur. Të gjithë duhet të jemi “pjesë aktive në  rimëkëmbjen dhe mbështetjen e shoqërive të plagosura”.

Ndëmjet shtyllave të ndryshme, që duhet ta mbajnë në këmbë këtë ndërtesë të re, janë tri, e ti, më mirë se kushdo tjetër, mund të ndihmosh për t’i vendosur. Tri shtylla: ëndrrat, kujtesa e lutja. Prania e Zotit do t’u japë forcën për të nisur rrugën e re edhe më të ligshtëve ndërmjet nesh, drejt udhëve të ëndrrës, të kujtesës, të lutjes. Joeli Profet pati shqiptuar një herë këtë premtim: “Pleqtë tuaj do të ëndërrojnë, të rinjtë do të kenë vegime” (3,1)

Në këtë periudhë mësuam të kuptojmë sa të rëndësishëm janë për secilin nesh  përqafimet dhe vizitat, e sa më trishton fakti që, në disa vende, këto janë të pamundura! Por Zoti na dërgon lajmëtarët e tij edhe përmes Fjalës Hyjnore, që nuk na mungon kurrë. Lexojmë çdo ditë nga një faqe të Ungjillit, lutemi me Psalmet, lexojmë Profetët. E mbetemi të prekur thellë në shpirt nga besnikëria e Zotit.

Shkrimi Shenjt do të na ndihmojë edhe për të kuptuar çka kërkon Zoti në jetën tonë të sotme. Ai i nis punëtorët e vet në vreshtë në çdo orë të ditës (krh Mt 20,1-16). Unë vetë mund të dëshmoj se e mora thirrjen që të bëhem ipeshkëv i Romës, kur kisha arritur tashmë moshën e pensionit e  mendoja se nuk do të isha në gjendje të bëj gjëra të mëdha. Po Zoti është gjithnjë pranë nesh, gjithnjë me ftesa të reja, me fjalë të reja, me ngushëllimin e Tij, por gjithnjë pranë nesh. Ju e dini se Zoti është i amshuar e nuk shkon kurrë në pension! Kurrë!

Në Ungjillin e Mateut, Jezusi u thotë Apostujve: “Shkoni e bëjini dishepuj të gjithë popujt, duke u mësuar atyre gjithçka ju urdhërova”. Këto fjalë na drejtohen edhe ne sot e na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë se thirrja jonë është t’i ruajmë rrënjët, t’ua transmetojmë fenë të rinjve e të kujdesemi për të vegjlit. Mos e harroni këtë. Nuk ka pikë rëndësie sa vjeç je, punon a nuk punon, je vetëm a me familje, u bëre gjysh a gjyshe që i ri, apo më vonë, je a nuk je i pavarur apo ke nevojë të të ndihmojë ndokush, sepse nuk ekziston asnjë moshë që të pensionon nga detyra për ta kuptuar Ungjillin, nga detyra për t’ua transmetuar doke e zakone nipërve.

Duhet të vihesh për udhë e, sidomos, të dalësh nga vetvetja, për të rinisur diçka të re. Nuk  mungon, pra, thirrja edhe për ty, në çastet vendimtare të historisë. Ti ndoshta pyet: “E si është e mundur?”. Energjitë e mia  shterruan e nuk besoj se mund të bëj gjithaq. Si mund të rifilloj të sillem ndryshe, kur zakoni u bë rregull i jetës ime? Si mund t’i kushtohem atij që është më i varfër, kur kam një mori mendimesh në kokë për familjen time?  Si mund të shikoj larg, kur nuk mund të dal as nga streha, nën të cilën jetoj? A nuk është mokën tejet e rëndë vetë vetmia ime? Sa nga ju ia bëjnë vetes këtë pyetje: a nuk është vetmia ime gur mulliri, që më rëndon mbi shpinë me peshë të padurueshme? Vetë Jezusi ia pati bërë një pyetje të tillë Nikodemit; “Si mund të lindë njeriu, kur është plak?”(Gjn 3,4). Si mund të përtërihet, kur gjithçka duket e errët, si në këto muaj pandemie? Po, mundet! Zoti  vijon të dërgojë engjëj për ta ngushëlluar vetminë tonë. Zoti na përsërit: “Jam me ju për gjithë ditë!”. E kjo është edhe tema  e Ditës, e ky, koncepti themelor i lutjes, që mund ta ndiqni edhe në videon e përhapur sot:

Të falënderoj, o Zot

për praninë tënde ngushëlluese,

që vjen në vetminë time.

Ti je shpresë, je besim;

që nga të ritë e viteve të mi,

je shkëmbi e fortesa ime!

Të falënderoj që më dhurove një familje,

e më dhe bekimin e jetës së gjatë!

Të falënderoj për çastet e gëzimit

e çastet e pikëllimit;

për ëndrrat që i realizova,

e ato që akoma s’i kam parë,

Të falënderoj për kohën e begatë

për të cilën më thërret.

Rrite, o Zot, fenë time,

bëmë mjet të paqes sate;

mësomë ta mirëpres kë vuan më shumë se unë,

të  ëndërroj përsëri,

e t’ua tregoj mrekullitë tua breznive  të reja!

Mbroje  Papën Françesku e priji Kishës

që drita e Ungjillit të arrijë në skajet e tokës.

Çoje, o Zot, Shpirtin tënd

ta përtërijë botën.

Fashite stuhinë e pandemisë!

Ngushëlloji të varfërit

e jepi fund çdo lufte!

Më mbro në ligështi

e ndihmomë ta jetoj me fund

këtë jetë që më fale!

Më mbush me sigurinë se je me mua çdo ditë

deri në fund të fundit të botës.

Amen!

23 korrik 2021, 14:39