Kërko

Vatican News
Lufta kundër virusit Lufta kundër virusit  (AFP or licensors)

Papa kujton se mbrojtja e shëndetit është e drejtë për të gjithë

Thirrja e sotme e Françeskut për angazhim të fortë, që të sigurohet shërbimi i mirë shëndetësor për të gjithë, u kujton shteteve, të mëdha e të vogla, rëndësinë e shëndetësisë efikase, falas e universale. Profesor Roberto Cauda: “Kisha është gjithnjë në vijë të parë të frontit për mbrojtjen e të sëmurëve”.

R. SH. - Vatikan

Pasuri e çmuar, që duhet të jetë falas e universale! Papa, në Engjëllin e  Tënzot, kremtuar nga Poliklinika Gemelli, bëri thirrje të fuqishme për sigurimin e shërbimit të mirë shëndetësor, falas, kudo e për të gjithë:

Në këto ditë të shtrimit në spital provova përsëri sa i rëndësishëm është shërbimi i mirë shëndetësor, i mundshëm për të gjithë, si në Itali, ashtu edhe në vende të tjera. Një sistem shëndetësor, që ua siguron shërbimin të gjithëve. Nuk duhet humbur kjo pasuri e çmuar! Duhet ruajtur! E për këtë duhet të angazhohemi të gjithë, sepse u shërben të gjithëve e kërkon kontributin e të gjithëve”.

Papa nga Gemelli: kujdes shëndetësor për të gjithë

Fjalë, këto, që na kujtojnë një fragment të mesazhit të Françeskut për Ditën e 24-t Botërore të të Sëmurit, kremtuar më 11 shkurt 2021:

 “Pandemia aktuale bëri të dalin në shesh shumë pabarazi të sistemeve shëndetësore e edhe shumë mungesa në ndihmën që u duhet dhënë të sëmurëve. Të moshuarve, të ligshtëve, të pambrojturve jo gjithnjë u garantohet mundësia për t’u mjekuar, e sidomos, jo gjithnjë kjo mundësi është e barabartë për të gjithë. E kjo varet nga qëndrimet politike, nga mënyra e shfrytëzimit të burimeve e nga angazhimi i atyre, që kanë role me përgjegjësi. Investimi i burimeve për asistencën e njerëzve të sëmurë është detyrë parësore, që lidhet me parimin e shëndetit, parë si pasuria më e çmuar e njeriut”.

Shëndeti, pra, duhet të jetë pasuri universale, e domosdoshme, e pamohueshme, siç thekson, në intervistën dhënë Vatican News, profesor Roberto Cauda, drejtor i Departamentit të shkencave të laboratorit dhe atyre infektivologjike në Spitalin Gemelli:

Profesor Cauda, si e vlerësoni thirrjen e sotme të Papës Françesku për një shërbim të mirë shëndetësor falas e në shërbim të të gjithëve?

“Sigursht Papa pohoi edhe një herë me autoritet se shëndeti është pasuri universale, që duhet mbrojtur e garantuar për të gjithë. Posaçërisht në Evropë, e natyrisht, në Itali, kjo na duket e natyrshme. Po nuk është kështu! Ka ende shumë njerëz, që nuk mund të mjekohen në strukturat shëndetësore, e pandemia e nxori këtë problem në plan të parë. Të mendojmë për shpërndarjen e vaksinave, për ndryshimet në vise të ndryshme të botës. Duhet vepruar në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë  të njëjtën të drejtë, si për vënien në jetë të logjikës së solidaritetit, ashtu edhe për ta fituar me të vërtetë betejën kundër Covid-19”.

Doktor, a ndjehet jehona e fjalëve të Papës: “Askush nuk mund të shpëtojë i vetëm?”.

“Absolutisht. Papa, shumë herë e me autoritet i porosit shtetet të mos heqin dorë nga solidariteti. Vetëm kështu mund të shpëtojmë nga pandemia, e më në përgjithësi, mund të arrijmë që shëndeti të shikohet si pasuri universale, që u përket të gjithëve. Në Itali ndonjë vit më parë  iu ndërrua emri ministrisë, nga e shëndetësisë, në “e shëndetit”, sepse është shëndeti, jo shëndetësia, që duhet garantuar, e sepse, e përsëris, është e mirë universale!”.

Çfarë mbrese ju lë këto ditë  e këto orë  pamja e shumë të sëmurëve pranë Papës, në lutje, si në Engjëllin e sotëm?

“Françesku, ashtu si Papët e tjerë, është shumë pranë të sëmurëve. Mendoj për Gjon Palin II, për shembull. E për Kishën, që ka qenë e është gjithnjë  nga ana e të sëmurëve. Bëri gjithçka mundej, me urdhërat  rregulltare, që themeloi e me spitalet, që krijoi, për t’u siguruar asistencën të sëmurëve, që në mesjetën e largët. Papa pranë të sëmurëve, mënyra si e ndau vuajtjen  me ta, është dëshmi e jashtëzakonshme, që mbetet pashlyer në zemrën e të gjithëve”.

11 korrik 2021, 15:40