Kërko

Vatican News
Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Papa konfirmon vizitën në Hungari e Sllovaki: “Lutuni për këtë shtegtim”.

Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku dha njoftimin për etapën e dyfishtë të shtegtimit të tij nga 12 deri më 15 shtator 2021: “Të lutemi për ata, që po e organizojnë”- kujtoi. Ishte lajm, që ua pati bërë të ditur edhe gazetarëve shoqërues në avionin që fluturonte drejt Irakut. Françesku do të jetë më 12 shtator në Budapest për Meshën përfundimtare të ngjarjes së madhe kishtare e, më pas, deri më 15, në Bratislavë, Prešov, Košice e Šaštin.

R. SH. - Vatikan

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se nga 12 deri më 15 shtatori i ardhshëm, në dashtë Zoti, do të shkoj në Sllovaki për një vizitë baritore. A janë të kënaqur sllovakët atje poshtë….?”

E pohoi Papa vetë lajmin, në përfundim të Engjëllit të sotëm, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke iu drejtuar sllovakëve në Shesh e duke kujtuar se mëngjesin e 12 shtatorit, para se të shkojë në Bratislavë, do të bashkëkremtojë, në Budapest të Hungarisë, Meshën përfundimtare të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar:

“I falënderoj me gjithë zemër ata, që po e përgatisin këtë shtegtim e lutem për ta. Të lutemi të gjithë për këtë udhëtim e për njerëzit, që po organizohen për ta përgatitur”.

Lajm i dhënë së pari përudhë drejt Bagdadit

Do të jetë udhëtimi i dytë apostolik i vitit 2021, pas atij në Irak. E pikërisht nësa avioni kthehej nga Bagdadi - në Romë, në bisedën e zakonshme me gazetarët, duke iu përgjigjur një pyetjeje mbi shtegtimet e tij të ardhshme, Papa njoftoi se do të ishte në Budapest për të kryesuar kremtimin e mbylljes së Kongresit të 52-të Eukaristik Ndërkombëtar. E më pas - duke shtuar se shumë nga shtegtimet e tij janë fryt i reflektimeve të gjata, por edhe vendimeve të papritura - i njoftoi se do të ndalohej edhe në Bratislavë, duke pasur parasysh afërsinë ndërmjet dy vendeve:

“Tani duhet të shkoj në Hungari, në Meshën përfundimtare të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar, jo për vizitë në vend, por vetëm për Meshën. Budapesti është dy orë larg me makinë nga Bratislava, pse të mos e bëj edhe një vizitë në Bratislavë atëhere? E kështu ndodhin ngjarjet…”.

Papa në Bratislavë e në tre qytete të tjera sllovake

Gjatë etapës në Sllovaki, Papa nuk do të vizitojë vetëm Bratislavën, por edhe tre qytete të tjera, sipas njoftimit të një komunikate të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni: “Siç e njoftoi edhe vetë Ati i Shenjtë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, me ftesë të autoriteteve civile dhe të Konferencave Ipeshkvnore, të diel, më 12 shtator 2021, Papa do të jetë në Budapest, për Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar e më pas, nga 12 deri më 15 shtator, në Sllovaki. Programi i shtegtimit do të botohet së shpejti”.

Papa, pra, gjatë shtegtimit në Sllovaki, nuk do të vizitojë vetëm kryeqytetin, por edhe tre qytete të tjera, duke nisur nga Prešov, qyteti i tretë në Sllovaki, i ndërtuar në brigjet e lumit Torysa; më pas, do të shkojë në qytetin Košice, i përmendur për vlerat kulturore e edhe për bukuritë e natyrës e, së treti, në Šaštin, në rajonin e Trnavës, një nga qytetet më të reja  të Sllovakisë, që e mori statusin e qytetit më 1 shtator 2001.

Mesha përfundimtare e Kongresit Eukaritik të Budapestit

Papa, pra, do të mbyllë ngjarjen e madhe kishtare, që do të nisë më 5 shtator. Në program për vitin e kaluar, Kongresi Eukaristik me temë “Në Ty janë të gjitha burimet e mia” (Ps.8,7) u shty për shkak të pandemisë së Covid-19. Sipas programit të Kishës hungareze, Françesku do të kryesojë, në orën 11.30 të 12 shtatorit, kremtimin eukaristik përfundimtar dhe Statio Orbis në Sheshin e heronjve, ku  do të japë edhe njoftimin për vendin ku do të kremtohet Kongresi i 53-të Eukaristik.

Pranë altarit të Meshës përfundimtare do të jetë edhe Kryqi i Misionit, simbol i ngjarjes: një vepër prej 30 metrash, punuar në dru lisi e veshur me petëza bronzi, mbi të cilin ngërthehet një relike e Shëna Kryqit si dhe reliket e shenjtorëve hungarezë, nga shën Adalberti - tek mbreti shenjt Shtjefni; nga Shën Toma Beket - tek i Lumi Papa Inocenci XI e tek e Lumja Anna Kolesár. Shtegtar në Hungari, më pas i ruajtur në Bazilikën e Esztergom, Kryqi u bekua nga Françesku më 20 nëntor 2017, në fillim të vizitës “ad limina apostolorum” të ipeshkvijve hungarezë në Romë. Papa pati uruar të bëhej simbol i përtëritjes së vërtetë të popullit hungarez, duke nisur nga vlerat e Ungjillit dhe të Eukaristisë.

04 korrik 2021, 13:56