Kërko

Vatican News
Papa takohet me Fretërit e Vegjël Papa takohet me Fretërit e Vegjël  (Vatican Media)

Papa fretërve të vegjël: përqafojini të varfërit e refugjatët, janë mësuesit tuaj!

Mesazh drejtuar pjesëmarrësve në Kapitullin e përgjithshëm të Urdhërit, që kohët e fundit zgjodhi eprorin e përgjithshëm, fra Fusarelli. Françesku: “Ndërsa përballoni sfidën e rënies numerike dhe të plakjes, mos lejoni që ankthi dhe frika t’ju pengojnë t’i përtërini zemrat e mendjet!”

Ftesa kryesore, që u drejtoi Papa fretërve të vegjël, shprehet me një fjalë të vetme: “Shkoni!”. Shkoni në kërkim të burrave e grave, që vuajnë në shpirt e në korp, për të qenë përvujtërisht e vëllazërisht të pranishëm, pa fjalime të bujshme, duke u përpjekur vetëm që ata ta ndjejnë afërsinë tuaj, ta kuptojnë se i kanë edhe ca vëllezër të vegjël. Shkoni drejt krijimit e krijesave të plagosura, drejt shtëpisë sonë të përbashkët, që vuan nga shfrytëzimi i padrejtë i të mirave të tokës, për pasurimin e pakicës, ndërsa shumica zhytet në mjerim. Shkoni si njerëz të dialogut, duke u përpjekur të ndërtoni ura, jo mure; duke ofruar dhuratën e vëllazërimit e të miqësisë shoqërore, në një botë ku vështirë se gjen udhën e një projekti të përbashkët. Shkoni si njerëz të paqes e të pajtimit, duke i ftuar ata që mbjellin farën e urrejtjes, të përçarjes, të dhunës, për kthesën e zemrave e duke u dhuruar viktimave shpresën, e cila lind nga e vërteta, nga drejtësia  e nga falja! Nga këto takime do të merrni shtytjen  për ta jetuar gjithnjë  më plotësisht Ungjillin, sipas fjalës, që është edhe udha juaj. Jeta dhe rregulla e fretërve të vegjël është kjo: të jetojnë sipas mësimeve të Ungjillit Shenjt të Zotit tonë Jezu Krishtit”(Rregulla e vulosur).

Ky, mesazhi, që Papa Françesku u dërgon fretërve të vegjël, të mbledhur deri më 18 korrik në Romë për Kapitullin e përgjithshëm, që zgjodhën edhe eprorin e ri të përgjithshëm, fra Massimo Giovanni Fusarelli.

Një trashëgimi  e pallogaritshme

Papa e uroi atë Fusarellin, duke falënderuar edhe paraardhësin, atë Michael Perry. Më pas përshëndeti të gjitha bashkësitë françeskane “të përhapura në të katër anët e botës”,  të cilave u kujtoi trashëgiminë e tyre shpirtërore:

“Keni një trashëgimi shpirtërore tejet të pasur, me rrënjë në Ungjill, me lutje, vëllazërim, varfëri, vogëlsi e jetë endacake”.  

Forca përtëritëse për të cilën keni nevojë, vjen nga Shpirti i Zotit, nga ai ‘operacion shenjt’ (Rregulla e vulosur 10,8), që është shenjë e padyshimtë  e veprimit të Tij. Ky Shpirt, që e shndërroi në ëmbëlsi të shpirtit e të korpit idhtësinë e takimit të Françeskut me të gërbulurin, vijon akoma sot, për  t’i dhënë freski dhe energji të re secilit prej jush, nëse silleni si Ati juaj Serafik me të varfërit e kohës sonë!

Më pas Papa u ndalua tek kohët e reja, kur Urdhërit i duhet të përballojë sfidën e rënies numerike dhe të plakjes.

Mos lejoni - i porositi Papa fretërit e vegjël - që ankthi dhe frika t’ju pengojnë për t’i hapur zemrat e mendjet për atë përtëritje e risim, që e nxit Shpirti Shenjt në ju e ndërmjet jush… Mos harroni se shikimin e ri, të aftë për të  parë ardhmërinë e Zotit, e marrim nga afërsia me të varfërit, viktima të skllavërive moderne, nga refugjatët dhe të përjashtuarit e kësaj bote: Ata janë mësuesit tuaj!

Përqafojini të varfërit e të përjashtuarit

 “Përqafojini të varfrit!” – i porositi Papa françeskanët - ashtu si bëri Françesku, që nuk ua kurseu përkëdheljet të gërbulurve dhe të përjashtuarve të kohës së tij. Në rrënjët e përshpirtërisë suaj është takimi me të fundmit e të vuajturit, nën shenjën e mëshirës. Sot në botë ka shumë të gërbulur, të sëmurë me një lëngatë tjetër, por që dhemb aq e më shumë:

“Izolimi, vuajtja, përçarja duken edhe më shumë në kohën e emergjencës shëndetësore, që krijon rrezikun të na paralizojë”.

Përtërijeni vizionin tuaj

Papa vijoi ta ftojë bashkësinë e fretërve të vegjël të jetë prani profetike në mes të popullit të Zotit e njëkohësisht, ta përtërijë vizionin. Ashtu si i ndodhi Françeskut të Asizit, të cilit Zoti ia preku zemrën përmes takimit me të tjerët, posaçërisht me më nevojtarët:

“Përtëritja juaj shpirtërore nuk mund të riniset ndryshe, përveçse nga ky vështrim i ri, me të cilin duhet shikuar vëllai i varfër e i përjashtuar, shenjë, e gati sakrament, i pranisë së Zotit”.

Këtë theksoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar, në vijim, trashëgiminë tejet të çmuar, që u la Shën Françesku bijve të tij:

“Keni një trashëgimi shpirtërore tejet të pasur, me rrënjë në Ungjill, me lutje, vëllazërim, varfëri, vogëlsi e jetë endacake”.

E mos harroni se shikimin e ri, të aftë për të  parë ardhmërinë e Zotit, e marrim nga afërsia me të varfërit, viktima të skllavërive moderne, nga refugjatët dhe të përjashtuarit e kësaj bote. “Ata janë mësuesit tuaj! Përqafojini fort, ashtu si pati bërë Françesku”.

Njerëz të dialogut e të pajtimit

Në përfundim, urimi i Papës Jezuit, që zgjodhi emrin papnor françeskan, duke u quajtur Françesk – si Shën Françesku i Asizit:

“Të dashur vëllezër, i Tejetlarti, i Gjithëpushtetshmi, Zoti i mirë, ju ngjalltë dëshirën për të qenë gjithnjë më shumë dëshmitarë të besueshëm te Ungjillit,  ju ndihmoftë për të jetuar një jetë të thjeshtë e vëllazërore e ju priftë në udhët e botës për të hedhë me fe e shpresë farën e Lajmit të Mirë. Lutem për këtë e ju shoqëroj me Bekimin tim. E edhe ju, mos harroni ta thoni një lutje për mua!”.

17 korrik 2021, 13:20