Kërko

Vatican News

Papa Françesku: shkenca është pasuri e madhe për arritjen e paqes

Videomesazh i Papës për konferencën e shkencëtarëve në Teramo, promovuar nga dioqeza abruceze në Itali. Atyre u takon detyra e formimit të brezave të rinj, ndërtues të paqes në një botë që, pas pandemisë, ka mundësinë t’i rimendojë marrëdhëniet ndërmjet shkencës dhe shoqërisë

R.SH. - Vatikan

Takimi me shkencëtarët “është dhuratë e madhe shprese për njerëzimin”, sepse “kurrë si në këtë kohë, nuk ka pasur kaq nevojë për një hov të ri në punën kërkimore shkencore për të përballuar sfidat e shoqërisë bashkëkohore”. Prandaj, që të “zhvillohet dëshira për dije, e cila fshihet në zemrën e çdo burri dhe gruaje”, siç shkruhet në enciklikën “Fratelli tutti”, është e domosdoshme “që kërkimi shkencor t’i vërë këshillat e veta në shërbim të të gjithëve, gjithmonë, duke kërkuar forma të reja bashkëpunimi, shkëmbimin e rezultateve dhe ndërtimin e rrjeteve”.

Asnjë kundërvënie ndërmjet fesë dhe shkencës

Me këto fjalë, Papa Françesku iu drejtua shkencëtarëve dhe autoriteteve akademike, mbledhur në Universitetin italian të Teramos, për Takimin Ndërkombëtar “Shkenca për Paqen”, organizuar me rastin e Jubileut të Shën Gabrielit, shenjtërorja e të cilit ngrihet në shpatet e malit Gran Sasso, ku gjenden edhe laboratorët kombëtarë të fizikës bërthamore. Një takim i promovuar nga dioqeza e Teramos, rrethanë që e lumturon veçanërisht Papën, pasi dëshmon “se nuk mund dhe nuk duhet të ketë kundërvënie ndërmjet fesë dhe shkencës”.

Të rimendohen marrëdhëniet ndërmjet shëndetësisë dhe familjes

Pa lënë pas dore rrezikun që “progresi shkencor të konsiderohet si qasja e vetme e mundshme për të kuptuar çdo aspekt të jetës, shoqërisë dhe botës”, Françesku thekson se, për shkak të pandemisë, nevojiten marrëdhënie të reja ndërmjet shkencës dhe shoqërisë.

“Përvoja e emergjencës shëndetësore, edhe më shumë e, në një farë mënyre, edhe më urgjentisht, e nxiti botën e shkencës t’i rimendojë perspektivat e parandalimit, të terapisë dhe të organizimit shëndetësor, duke marrë parasysh ndikimet me natyrë antropologjike në shoqëri dhe cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet anëtarëve të familjes, sidomos, ndërmjet brezave”.

Në të vërtetë, “asnjë njohuri shkencore”, vëren Papa në videomesazh, “nuk duhet të ecë e vetme e t’i mjaftojë vetvetes”. Realiteti historik “ka nevojë të shërbehet përmes shumëllojshmërisë së dijeve, të cilat, me specifikën e tyre, kontribuojnë në krijimin e një kulture të re, në gjendje ta ndërtojë shoqërinë, duke promovuar dinjitetin dhe zhvillimin e çdo burri dhe gruaje”.

Formimi i brezave të rinj

Duke falënderuar pjesëmarrësit dhe gjithë shkencëtarët, Papa Françesku kujtoi në veçanti profesorin italian Antonio Zichici, të cilit iu dha një çmim gjatë takimit. Ai, nënvizoi Ati i Shenjtë “vazhdon t’ia kushtojë jetën zhvillimit të shkencës dhe formimit të brezave të rinj”. Detyrë kryesore kjo, për zhvillimin e mëtejshëm të shkencës:

“Ju kërkoj ta shoqëroni formimin e brezave të rinj, duke i mësuar të mos kenë frikë nga lodhja e punës kërkimore. Edhe Mësuesi lejon ta kërkojnë: Ai dikon te të gjithë sigurinë se kur kërkon me ndershmëri, gjen të vërtetën. Ndryshimi epokal ka nevojë për dishepuj të rinj të dijes dhe ju, të dashur shkencëtarë, jeni mësuesit e një brezi të ri ndërtuesish të paqes”.

Të krijohen lidhje të reja shoqërore

Shkenca, përfundon Papa, “është pasuri e madhe në ndërtimin e paqes” dhe detyra e shkencëtarit është “të dëshmojë si është e mundur të krijohet një lidhje e re shoqërore”, duke u impenjuar “për ta bërë punën kërkimore-shkencore të afërt për gjithë bashkësinë, nga ajo lokale në atë ndërkombëtare. Së bashku është e mundur të kapërcejmë çdo konflikt”.

02 korrik 2021, 10:35