Kërko

Vatican News

Papa: faleminderit për afërsinë, të lutemi për të sëmurët

Në një tweet, pas rikthimit në Vatikan nga Gemelli, Françesku i falënderon të gjithë ata, që i uruan shërim të shpejtë, pa harruar të sëmurët dhe personelin, që i asiston. Nga imami i Madh i Al-Azharit, deri te kryeipeshkvi ortodoks i Qipros, tek Ipeshkvijtë e Venezuelës e tek Mbreti i Belgjikës, janë të shumta urimet e mesazhet, që i arritën e po i arrijnë Papës nga mbarë bota.

R.SH. - Vatikan

“I falënderoj të gjithë ata, që qenë pranë meje me lutje e përzemërsi në ditët e shtrimit në spital. Të mos harrojmë të lutemi për të sëmurët e për kë i asiston”.

Ky, tweeti i Papës Françesku, në faqen e tij të internetit @Pontifex, pasi u kthye  në Shën Martë, 10 ditë pas operacionit në Poliklinikën Gemelli.

Ndërkaq Papës vijojnë t’i arrijnë, në Vatikan,  dëshmi të tjera përzemërsie e dashurie. “Mikut të dashur në Krishtin” i drejtohej, më 9 korrikun e kaluar, kryeipeshkvi ortodoks i Qipros, Chrysostomos II, i sapoinformuar “për ndërhyrjen kirurgjike, së cilës iu nënshtrua Shenjtëria e Tij e shumënderuar”, duke i shprehur empatinë e sinqertë e duke i uruar me gjithë zemër shërim të shpejtë, “për të vijuar pa pengesa veprimtarinë e tij aq të çmuar”.

“Në emër të Allahut të mëshirshëm e përdëllyes, edhe imami i Al-Azhar, shehu Ahmad al-Tayeeb, iu drejtua “vëllait të dashur, Papës Françesku” më 6 korrik. I shkruante se kishte marrë vesh nga gjykatësi Mohamed Abdelsalam, ish-këshilltari i tij e tani sekretar i përgjithshëm i Komitetit të Lartë për zbatimin e Dokumentit, nënshkruar në Abu Dabi, pikërisht nga Ipeshkvi i Romës dhe nga lider të institucionit të mirënjohur akademik sunnit të  Kairos “se  Papa tani është mirë e në fazën e rimëkëmbjes e se shëndeti i tij po përmirësohet nga dita në ditë”. Më pas siguron  se “lutet gjithnjë” për  Papën, që të ketë shumë shëndet e bekime, për të vijuar punën e tij të sinqertë në dobi të mbarë njerëzimit”.

Ndërmjet urimeve nga ana e krerëve të shteteve, kujtojmë telegramin e dërguar nga mbreti i belgëve, Filipi, i cili “i uron nga e gjithë zemra Papës, shërim të shpejtë, për të vijuar misionin e Tij”.

Vijnë, pastaj, urimet e presidentit të Bregut të Fildishtë, Alassane Ouattara, e të presidentit të Kepit të Gjelbër, Jorge Carlos de Almeida Fonseca si dhe të një sërë ministrash të jashtëm e ambasadorësh: të gjitha me urimin  që Papa të rikthehet me shëndet të plotë në misionin e tij.

Urimi më i freskët vjen nga Konferenca ipeshkvnore e Venezuelës. Prelatët e vendit latino-amerikan theksojnë se, në bashkim të ngushtë me Pasardhësin e Pjetrit, u lutën së bashku për Papën  e kontinentit të tyre”.

14 korrik 2021, 17:00