Kërko

Vatican News

Ngushëllimet e Papës për viktimat e zjarrit në Irak

Tejet i trishtuar dhe shpirtërisht pranë njerëzve, që patën pasoja nga zjarri në repartin Covid të spitalit të Nasirisë, në Irak: kështu shprehet Papa Françesku në një telegram për nuncin apostolik të vendit. Së paku 92, viktimat. Shkaku i zjarrit, shpërthimi i një bombole me oksigjen

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku shpreh afërsinë e tij me viktimat e një tragjedie, e cila vë në dukje dramatikisht vështirësitë, që kanë disa vende për të përballuar pandeminë e koronavirusit. Më 12 korrik, në spitalin Covid “al Hussein” të Nasirisë, në Irak, ra një zjarr i shkaktuar nga shpërthimi i një bombole oksigjeni, duke shkaktuar vdekjen e 92 të sëmurëve, megjithëse bilanci nuk është ende zyrtar. Të paktën 100 u plagosën.

Në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, dërguar nuncit apostolik në Irak, imzot Mitja Leskovar, Papa “i siguron për afërsinë e tij shpirtërore të gjithë ata, që kanë pasur pasoja nga zjarri tragjik”. “Tejet i pikëlluar, – lexohet në tekst - ai lutet veçanërisht për të vdekurit dhe u shpreh ngushëllimet familjeve dhe miqve, që mbajnë zi për humbjen e tyre. Për pacientët, personelin dhe asistentët kërkon bekime nga Zoti i ngushëllimit, forcës dhe paqes”.

Akuzat e presidentit Salih

“Korrupsioni” dhe “administrimi i keq”. Këto janë arsyet e kësaj tragjedie sipas presidentit irakian Barham Salih. Kreu i shtetit denoncon se ngjarja e trishtuar “është rrjedhojë e korrupsionit të vazhdueshëm dhe e administrimit të keq, që nënvlerëson jetën e irakianëve dhe pengon reformimin e institucioneve”. Në një tweet, Salih kërkon të hetohet mbi ngjarjen, në mënyrë që përgjegjësit për “neglizhencën të japin llogari”.

Në Nasiri si në Bagdad

Presidenti bën thirrje për një reformim urgjent të punës së institucioneve, veçanërisht të atyre, që veprojnë në sektorin shëndetësor. Salih kujton edhe zjarrin e prillit të kaluar në një spital të Bagdadit, në të cilin gjetën vdekjen 82 vetë dhe u plagosën 110 të tjerë. Tragjedia shkaktoi protesta të fuqishme, që çuan në dorëheqjen e ministrit të shëndetësisë, Hasan al-Tamimi.

Shkaqet janë ende të paqarta

Pas incidentit, dhjetëra njerëz vazhdojnë të kërkojnë lajme për të afërmit e tyre, shtruar në spitalin ku shpërtheu zjarri. Policia dhe autoritetet lokale pohojnë se zjarri filloi kur nga një kabëll me difekt u përhapën shkëndija, që arritën në një bombol oksigjeni, e cila më pas, shpërtheu. Ndër masat e para, kryeministri Mustafa al-Kadhimi pezulloi kreun e Departamentit Shëndetësor të guvernatoratit Dhi Qar, drejtorin e spitalit dhe kreun e Mbrojtjes Civile.

14 korrik 2021, 08:13