Papa doli nga spitali dhe u kthye në Vatikan
R. SH. - Vatikan
Dhomat e “Vatikanit n. 3” i mbyllen sot paradite portat, me të njëjtin “normalitet” që i patën hapur dhjetë ditë më parë, për ta mirëpritur. Papa e përfundoi periudhën e shtrimit, pas ndërhyrjes kirurgjikale në zorrën e trashë, dhe u kthye në shtëpi, në Vatikan, pak para orës 12.00. Njoftimin gazmor e dha drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni, duke i njoftuar gazetarët se pasi doli nga spitali, rreth orës 10.30, para se të rikthehej në Shtëpinë e Shën Martës, Papa, siç e ka zakon pas shtegtimeve (shtegtim edhe ky, e mjaft i vëshitrë) u ndalua së pari para Ikonës së Zojës Salus Populi Romani, “që ta falënderonte për suksesin e operacionit” e t’i drejtonte një lutje për gjithë të sëmurët, posaçërisht për ata, që i takoi gjatë ditëve të shtrimit.
Shtrimi dhe operacioni
Koha e shtrimit, e ndjekur me interes të madh mediatik sidomos në çastet e fundit, nisi në heshtje, pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të 4 korrikut, të cilën Françesku e kremtoi qetësish sipas zakonit, në mesditë. Në orët e para të pasdites drejtori i Sallës së Shtypit dha lajmin, që e mori vesh sakaq mbarë bota: Papa u nis nga Shtëpia e Shën Martës drejt Poliklinikës Gemelli për “një ndërhyrje kirurgjike të programuar”. E orë pas ore arrihet në mesnatë, kur merret vesh, nga buletini i parë mjekësor, se Françesku “reagoi mirë” gjatë operacionit, për shkak të një “stenoze diverticulare të sigmës” - thënë me terma mjekësore - ndërsa në gjuhën e përditshme - pas një operacioni në zorrën e trashë.
Përzemërsia e mbarë botës
Nisi, kështu, një javë, kur sytë e të gjithëve u ngulën tek Sheshi i Shën Pjetrit, në katin X të Gemellit. Fluturuan, sakaq, prej mbarë botës, urimet: nga institucionet, nga lart e nga poshtë, e nga turmat e vogla, që shpejt u bënë të mëdha rreth Poliklinikës, për kureshtje a për të thënë një lutje poshtë asaj dritareje, ku Papa, që ndjen dhimbje për gjithë botën, tani po e provonte në trupin e vet dhimbjen e operacionit. Ndër të parët, që e uruan të shërohej sa më shpejt, qenë Patriku Bartolomeu I dhe Imami i al-Azhar, Al Tayyeb. Po mesazhet u shpeshuan: nisën të vinin nga të katër anët, ngarkuar me dashuri e urime për shëndet të plotë. Më të këndshmet janë ata të fëmijëve të shtruar në Onkologjinë pediatrike, repart përballë dhomave të Papës, që dje pasdite shkoi t’i vizitonte e t’i bekonte, së bashku me familjet e tyre e me personelin spitalor.
Pranë të sëmurëve
Buletinet e ndoqën hap pas hapi gjendjen shëndetësore të Françeskut: qenë pozitive, që në orët e para. Njoftonin se Papa ndjehej mirë menjëherë pas ndërhyrjes. Për të vijuar me të përditshmen, gjithnjë në përmirësim, ndonëse u desh shtuar edhe ndonjë ditë, për ta plotësuar me fund mjekimin. Kështu, ditë pas dite, prania e Françeskut në Gemelli u shndërrua në rast për t’i shprehur afërsinë të sëmurëve, që morën forcë nga prania e tij: edhe sepse Papa ishte njëri prej tyre!
Një kulm: lutja e Engjëllit të Tënzot
Kulmi arriti të dielën e kaluar, gjatë lutjes së Engjëllit nga ballkoni i katit të dhjetë, me turmën poshtë, të lumtur që po e shikonte përsëri në formë, Papën, duke kërkuar ”Shërbim shëndetësor për të gjithë”:
“Askush nuk duhet lënë vetëm. Uroj që secili ta marrë vajimin e dëgjimit, të afërsisë e të kujdesit. E kërkojmë me ndërmjetësimin e Marisë, Nënës sonë, Shëndeti i të sëmurëve”.