Në Gemelli, lutja e të fundmëve për Françeskun: poshtë dritares, për t’i thënë “faleminderit”.
R. SH. - Vatikan
Jorge sonte do të kremtojë 63 vjetorin me mysafirët e tjerë të Pallatit Migliori, dy hapa larg nga Vatikani, shtëpi që Papa Françesku ua dhuroi të pastrehëve të Romës. Po dje pasdite, gjashtëdhjetë e tre vjeçari peruvian, prej vitesh në Itali, ishte në Poliklinikën Gemelli, së bashku me nja njëzet të pastrehë të tjerë, si ai vetë, që të lutej për shëndetin e Papës e të thoshte një “faleminderi” dalë nga zemra, për gjithçka bën në ndihmë të të fundmëve të Romës e të mbarë botës. Kishte në dorë një kartelë të bardhë, me anë ngjyrë portokalli, ku lexohej: “Papa Françesku, na ke pranë!”. Po të mund të ngjitej në dhomën e katit të dhjetë, do t’i thoshte Papës: “Zoti të bekoftë e të dhashtë akoma shumë e shumë vjet plot me shëndet”. E pikërisht këtë urim i bëri, pa zë, por me zemër!
Kartela e Jorges për Papën
Jorge është 63 vjeç: gjashtë vjet më parë zbuloi se kishte diabetin, por falë bashkësisë së Shën Egjidit, që e kishte strehuar, mundi të kontrollohej e të mjekohej: “I uroj Papës që gjithçka të shkojë mirë e më mirë e të shërohet sa më shpejt” - thotë, pasi ka shqiptuar në heshtje një Atynë, me sytë ngulur te dritarja, ku Ati i Shenjtë do të duket nesër për lutjen e Engjëllit të Tënzot.
Urime e mirënjohje për Papën Françesku nga mbarë bota
Vullnetarët e Shën Egjidit pohojnë: “Jemi këtu, sepse na e kërkuan me ngulm të varfrit”. Janë shumë të kënaqur për strukturat e hapura nga Papa, që u sigurojnë një vend ku të çlodhen, por edhe për gjithçka tjetër që bën për ta, duke nisur nga vaksinat, në një kohë kur askush nuk mendonte se edhe ata duheshin mbrojtur nga Covid. Mbasi jeta është e çmuar për gjithkënd! Gjatë gjithë këtyre viteve Françesku ka qenë përherë pranë tyre e çdo ditë vijon t’i ftojë të gjithë të jenë miq të të varfërve”.
Ndaj ata janë aty, poshtë dritares, me lutje e lule: lutje e lule njerëzish, të cilët gjetën dikënd që mendon për ta, jo me fjalë, por me vepra!