Kërko

Vatican News
Pamje pas përmbytjes në Gjermani Pamje pas përmbytjes në Gjermani  (AFP or licensors)

Lutja e Papës për viktimat e përmbytjes në Gjermani

Françesku i dërgoi një telegram presidentit gjerman Steinmeier, për t’i shprehur pjesëmarrjen në dhimbjen e atyre, që humbën të dashurit e që janë në kërkim të të humburve.

R. SH. - Vatikan

Papa i shpreh dhimbjen dhe afërsinë Gjermanisë, dëmtuar rëndë këto ditë nga një rrebesh i fortë, që shkaktoi përmbytje, vdekje e rrënime të papara. Tani për tani numërohen rreth 45 viktima, të cilave u shtohet një numër i madh të humburish.

Në një telegram, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, drejtuar Presidentit të Republikës Federale Gjermane, Franz-Walter Steinmeier, Françesku kujton se u prek thellë nga kjo tragjedi, që tronditi rëndë Renaninë veriore-Vestfalinë e Renaninë-Palatinato. Kujton në lutje njerëzit, që humbën jetën e ngushëllon familjarët - lexohet akoma në mesazh - duke marrë pjesë  thellësisht në dhimbjen e  tyre.

Në lutjen e tij Papa kujton edhe njerëzit e zhdukur, të plagosur  e të gjithë ata, që pësuan dëme a humbën pasuritë e tyre nga kjo fatkeqësi e natyrës.  Duke kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e Zotit, Papa siguron se është shpirtërisht pranë gjithë atyre, që po japin ndihmesën për lehtësimin e pasojave të rënda të kësaj situate.

Merkel: “tragjedi”

Pamjet e asaj që mbeti pas stuhisë shkatrrimtare flasin për katastrofë. Dy ditë rrebeshi të vazhdueshëm shkaktuan një nga përmbytjet më të mëdha, që mori me vete jetë njerëzore, shtëpi, dyqane, auto. Gjithçka gjeti përpara. Kancelarja Angela Merkel, për vizitë në SHBA, e quajti ngjarjen “tragjedi”, duke shprehur dhimbjen e thellë për këtë situatë, që po kalon vendi i saj e duke siguruar se do të bëhet çmos për t’i gjetur të humburit.

Duhet kujtuar se koha e keqe nuk dëmtoi vetëm Gjermaninë: për shkak të përmbytjeve, edhe në Belgjikë humbën jetën 5 vetë, e përmbytje pati  edhe në Luksemuburg e në Holandë.

16 korrik 2021, 10:49