Kërko

Vatican News
Bratislava, capitale della Slovacchia Bratislava, capitale della Slovacchia 

Kisha sllovake pret Papën: do të na përforcojë në fe!

Pas lajmit për vizitën e Françeskut në Bratislavë dhe në tre qytete të tjera sllovake, nga 12 deri më 15 shtator, në mjetet e komunikimit të Vatikanit flet zëdhënësi i ipeshkvijve vendas, don Kramara. “Është gëzim i madh për ne. Papa vjen ta përforcojë fenë tonë të ligështuar nga konsumizmi e individualizmi”. Pohon se gjatë vizitës në shenjtëroren mariane të Šaštin, Papa do të marrë pjesë në shtegtimin kombëtar, të cilin sllovakët e mbrojtën me të gjitha forcat gjatë komunizmit.

R. SH. - Vatikan

Të diel, më 4 korrik, në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Françesku dha njoftimin për etapën e dyfishtë të shtegtimit të tij nga 12 deri më 15 shtator 2021: “Të lutemi për ata, që po e organizojnë”- kujtoi. Ishte lajm, të cilin ua pati bërë të ditur edhe gazetarëve shoqërues në avionin që fluturonte nga Iraku, drejt Romës. Françesku do të jetë më 12 shtator në Budapest për Meshën përfundimtare të ngjarjes së madhe kishtare, Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar e, më pas, deri më 15, në Bratislavë, Prešov, Košice e Šaštin.

Papa e konfirmoi kështu vizitën në  Sllovaki:  

“Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se nga 12 deri më 15 shtatori i ardhshëm, në dashtë Zoti, do të shkoj në Sllovaki për një vizitë baritore”.  

 Françesku, në Bratislavë e në tre qytete të tjera sllovake

Gjatë etapës në Sllovaki, Papa nuk do të vizitojë vetëm Bratislavën, por edhe tre qytete të tjera, sipas njoftimit të një komunikate të drejtorit të Sallës vatikanase të Shtypit, Matteo Bruni:

“Siç e njoftoi edhe vetë Ati i Shenjtë gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, me ftesë të autoriteteve civile dhe të Konferencave Ipeshkvnore, të diel, më 12 shtator 2021, Papa do të jetë në Budapest, për Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar e më pas, nga 12 deri më 15 shtator, në Sllovaki. Programi i shtegtimit do të botohet së shpejti”.

Papa, pra, gjatë shtegtimit në Sllovaki, nuk do të vizitojë vetëm kryeqytetin, por edhe tre qytete të tjera, duke nisur nga Prešov, qyteti i tretë në Sllovaki, i ndërtuar në brigjet e lumit Torysa; më pas, do të shkojë në qytetin Košice, i përmendur për vlerat kulturore e edhe për bukuritë e natyrës e, së treti, në Šaštin, në rajonin e Trnavës, një nga qytetet më të reja  të Sllovakisë, që e mori statusin e qytetit më 1 shtator 2001.

Kisha sllovake e pret me krahë hapur, gjë që e pohon, në mikrofonet e Radio Vatikanit, don Martin Kramara, zëdhënës i Konferencës  ipeshkvnore sllovake:

“Duhet të them se u emocinuam pa masë, kur dëgjuam fjalët e Atit të Shenjtë i cili, qysh në fluturimin e kthimit nga Iraku, foli për një vizitë të mundshme në Bratislavë. Ishim të lumtur që atëhere, por kur e ridëgjuam në Engjëllin e 4 korrikut, qe me të vërtetë një çast entuziazmues. Unë po komentoja fjalët e Papës për televizionin tonë katolik e duhet të them se, nga emocioni, nuk isha më në gjendje të vijoja përkthimin… pastaj erdhën reagimet e presidentes së Republikës, zonjës Zuzana Čaputová, që e shprehu menjëherë gëzimin dhe pohoi se shteti sllovak është i lum, që do të presë Papën. Pas saj, edhe fjalët e kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore  Sllovake, imzotit Stanislav Zvolenský, i cili e quajti çast të jashtëzakonshëm për mbarë Kishën. Natyrisht ishte lajm, që na solli menjëherë në mendje vizitat e Gjon Palit II, të cilat qenë inkurajim i madh për gjithë vendin. Me të njëjtin gëzim do ta presim tani edhe Papën Françesku. E nuk na durohet sa të vijë ajo ditë!”.

Cilat janë sot sfidat krysore të Kishës Sllovake?

"Një nga sfidat, që duhet të përballojmë, pas shembjes së komunizmit,  është natyrisht, shekullarizimi. Periudha e persekutimeve, që pësuam gjatë dyzet vjetëve të komunizmit, kur Kisha përndiqej me të gjitha mënyrat  e mundshme, është e largët tashmë. Kaluam çaste të vështira, por njerëzit e ndjenin fuqimisht nevojën e fesë, nevojën për t’i qëndruar me çdo kusht besnikë Ungjillit e Atit të Shenjtë. Ndjenin nevojën të luftonin për fenë e tyre! Sot, që paradoksalisht jemi të lirë e po bëhemi edhe të pasur, në këndvështrimin material, e kemi të vështirë t’u shpjegojmë të rinjve pse duhen ruajtur rrënjët tona, feja jonë, pse duhet  të jetojmë, ashtu si na thotë feja, pa rendur vetëm  pas sendeve materiale e, prej këndej, pse nuk duhet ta kenë në qendër të vëmendjes vetëm konsumizmin. Kështu, sfida jonë e parë është shekullarizmi, konsumizmi, kemi shumë nevojë të përforcohemi në fe, ta jetojmë fenë tonë me guxim. Pastaj vjen sfida e individualizmit,  prirja për t’i harruar të varfërit. Për fat të keq, kur pasurohesh, nis e i harron të varfërit, që mbeten pas. Edhe pse jemi në rrugën e zhvillimit, nuk duhet t’i mbyllim sytë para motrës a vëllait në vështirësi, gjë që na e kujton edhe mesazhi Fratelli tutti. Ne, natyrisht, i përkthejmë gjithnjë enciklikat, nxitjet apostolike dhe të gjitha dokumentet papnore në gjuhën  sllovake. Përpiqemi t’i përhapim e t’u flasim për ta njerëzve. Po një gjë është të flasësh për një dokument papnor, e tjetër ta shikosh Papën sy për sy. Atëhere, edhe në këtë drejtim, presim një inkurajim të madh për fenë tonë, për të mirën e përbashkët e për të mos i harruar ata, që mbeten mbrapa".

Sipas fjalëve  të Papës, Françesku nuk do të vizitojë vetëm Bratislavën, por  edhe tre qytete të tjera…

“Natyrisht vizita do të nisë nga Bratislava, që është kryeqytet, por edhe seli i metropolisë perëndimore. Kujtojmë se në Sllovaki ka dy metropoli perëndimore: ajo e Bratislavës e ajo lindore e Košice-s. Ndaj ky do të jetë vendi i dytë, që do të vizitojë Papa. Pastaj është metropolia bizantine, ose greko-katolike, siç e quajmë ne, që ndodhet në Prešov, ku Françesku do të vizitojë Shenjtëroren shumë të rëndësishme për ne: atë të Šaštin, në Sllovakinë perëndimore, ku kremtohet çdo vit shtegtimi i madh kombëtar i 15 shtatorit, në festën e Zojës së Dhimbshme. Kur ipeshkvijtë tanë e morën vesh se Papa do të vinte për Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar në Budapest, që mbyllet më 12 shtator, shpresuan me gjithë zemër se Ati i Shenjtë do të merrte pjesë në këtë shtegtim. E Papa pranoi. Kujtojmë se në këtë festë sllovakët shkojnë ta lusin Zojën me shtatë hanxharë, siç e quajmë ne. Rikujtoj edhe se këtë shtegtim e vijuam edhe në kohën e komunizmit, kur edhe ne përshkoheshim nga një mori hanxharësh, duke përballuar një stuhi rreziqesh. Regjimi donte t’i shlyente të gjitha festat fetare, të gjitha urdhërat fetare. Ta zhdukte gjithçka fetare, po nuk ia doli mbanesh. Shtegtimi vjetor në Šaštin vijon akoma sot, e sivjet do t’i prijë Papa!”.

09 korrik 2021, 15:48