Kërko

Vatican News
Atentati në Sadr City Atentati në Sadr City  (AFP or licensors)

Irak: masakër e re e Isisit, në një treg të Bagdadit: dhjetra të vdekur

Shteti i vetëquajtur islamik godet përsëri në kryeqytetin irakian: mbrëmë një terrorist vetëvrasës u hodh në erë në një treg përplot me blerës, në Sadr City, lagjja me shumicë shiite, natën e festës myslimane të Bajramit. Ndërmjet viktimave, edhe gra e fëmijë. Atentatet e mëparshme ndodhën në vitin 2021, më 15 prill, e më 21 janar, pak para shtegtimit të Papës Françesku.

R. SH. - Vatikan

Po blinin dhuratat dhe ushqimet për festën e Eid al-Adha në tregun e Woheilat, në rrethinat lindore të kryeqytetit irakian, kur atentatori, që Shteti islamik e identifikoi me emrin “Abu Hamza Al Iraqi”, domethënë, irakian, që kishte në brez, në vend të rripit, një bombë artizanale fabrikuar në vend, u hodh në erë në mes të njerëzve.

Ndërmjet viktimave,  edhe 15 gra e fëmijë

Kështu, rreth orës 18.30 të ditës së djeshme (17.30 me atë evropiane), sipas  bilancit të fundit të  policisë, gjetën vdekjen 35 irakianë, ndërsa rreth 50 të tjerë u plagosën. Ndërmjet viktimave, edhe 15 gra e fëmijë. Tregu ndodhet në lagjen Sadr City, me shumicë shiite, vënë në shënjestër të dhunës terroriste të fundamentalistëve sunitë të Shtetit islamik.

Atentatet e mëparshme janë ato të 15 prillit e të 21 janarit

Emitentja “Sky News Arabia” njofton se kryeministri irakian Mustafa al Kadhimi dha urdhër të hapej menjëherë hetimi për ngjarjen. Në Bagdad e në Sadr City Isisi goditi herën e fundit më 15 prillin e kaluar, kur u vranë të paktën  4 vetë e 17 u plagosën, pas shpërthimit të një autobombe në një nga tregjet e lagjes. Ndërsa më 21 janar, me një atentat të dyfishtë vetëvrasës, në zonën e sheshit Tayran, pranë tregut të veshjeve të përdorura, shumë të vizituar, pati vrarë 36 vetë e plagosur 80 të tjerë.  Atentati i djeshëm vjen pas një sërë të tjerësh, që vijojnë në vite, posaçërisht më 2017 e 2019, gjithnjë me atentatorët vetëvrasës.

Papa:  t’i jepet fund dhunës me vëllazërim!

Nësa Papa Françesku përgatitej për shtegtimin e tij në Irak më 5 deri më 8 mars 2021, vendi u trondit nga një atentat i ri. Françesku i pati dërguar një telegram presidentit Barham Salih, nënshkruar nga kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit, në të cilin theksonte se ishte thellësisht i trishtuar për atentatin e dyfishtë. “Duke e dënuar këtë akt të pakuptimtë brutaliteti - shkruhej në mesazh - Papa lutet për të vdekurit e familjarët e tyre, për të plagosurit dhe personelin e angazhuar në dhënien e ndihmës”. Para se të kërkonte për kombin irakian dhe popullin e tij bekimin e të Tejetlartit, Françesku shprehte besimin se “të gjithë do të vijojnë të punojnë për ta kapërcyer dhunën, me vëllazërim, solidaritet e paqe”.

E pak javë më parë Ati i Shenjtë priti në audiencë, në Pallatin Apostolik, në Vatikan, Kryeministrin e Irakut, Mustafa Al-Kadhimi, me shoqëruesin e tij,  i cili më pas u takua me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit tё Vatikanit, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Gjatë bisedave të përzemërta, u kujtuan vizita historike e Papës Françesku në Irak dhe çastet e unitetit të përjetuara nga irakianët, duke theksuar rëndësinë e promovimit të kulturës së dialogut kombëtar për të nxitur stabilitetin dhe procesin e rindërtimit të vendit.

20 korrik 2021, 13:09