Kërko

2021.07.11 Papa Francesco Angelus Gemelli 2021.07.11 Papa Francesco Angelus Gemelli 

Papa, nga Spitali Gemelli, kërkon kujdes mjekësor për gjithë të sëmurët

Në lutjen e sotme, krejt të jashtëzakonshme, të Engjëllit të Tënzot, Ati i Shenjtë nuk i foli botës nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, por nga kati i 10-të i Poliklinikës Gemelli, prej nga shprehu kënaqësinë “që mundi të takohej edhe sot me besimtarët e shumtë, mbledhur për ta dëgjuar”. Një sistem shëndetësor, që ua siguron shërbimin të gjithëve, pohoi, është pasuri e çmuar! Duhet ruajtur!

R.SH. - Vatikan

“Jam i kënaqur, që po e mbaj takimin e Engjëllit të Tënzot të së dielës, edhe këtu, në Poliklinikën Gemelli” - këto, fjalët e para të Papës, në këtë lutje të jashtëzakonshme, që besimtarët e shoqëruan me urimin e heshtur për ta parë “të Sëmurin e shumëdashur” sa më shpejt duke e kremtuar lutjen e së djelës nga dritarja e Engjëllit, mbi Sheshin e Shën Pjetrit.

Ishte himn falënderimi, lutja e sotme e Papës: falënderim drejtuar Zotit e njerëzve, për afërsinë dhe mbështetjen. “Faleminderit, nga e gjithë zemra!

 Sakramenti i Vajimit është si ledhatim, që të ngre përsëri në këmbë

E nga falënderimi, Papa kaloi menjëherë tek Ungjilli i kësaj së dieleje  që  na kujton se dishepujt e Jezusit, të dërguar nga Ai vetë “i lyenin me vaj shumë të sëmurë e i shëronin”(Mk 6,13), Ky vaj - kujtoi, duke vijuar komentin e faqes ungjillore, që të kujtonte një situatë shumë pranë vendit ku po kremtohej lutja, është sigurisht Sakramenti i Vajimit të të sëmurëve, që të jep  ngushëllim në shpirt e në korp:

“Po ky ‘vaj’ - kujtoi - është edhe dëgjim, afërsi, kujdes, dhembshuri nga ana e njeriut, që kujdeset për të sëmurin: është si ledhatim, që të bën ta ndjesh veten më mirë, të lehtëson dhimbjen e të ngre përsëri në këmbë. Të gjithë kemi nevojë, heret a vonë, për këtë ‘vajim’ e të gjithë mund t’ia japim tjetrit, me një vizitë, një telefonatë, një dorë të shtrirë drejt atij, që ka nevojë për ndihmë”.

Nga krevati i sëmundjes së tij, Papa mendon më shumë për dhembjet e të tjerëve, sesa të vetat, për lehtësimin e të tjerëve, për ngushëllimin e të tjerëve.

Papa vlerëson lart sistemin shëndetësor

Në këto ditë të shtrimit në spital - vijoi - provova sa i rëndësishëm është shërbimi i mirë shëndetësor, i mundshëm për të gjithë, si në Itali, ashtu edhe në vende të tjera. Një sistem shëndetësor, që ua siguron shërbimin të gjithëve.

“Nuk duhet humbur kjo pasuri e çmuar! Duhet ruajtur! E për këtë duhet të angazhohemi të gjithë, sepse u shërben të gjithëve e kërkon kontributin e të gjithëve”.

Këtë theksoi me forcë Papa, që këto ditë e provoi mbi vete sa rëndësi ka një shërbim shëndetësor i denjë për çdo njeri, pa asnjë dallim. E edhe për çdo vend të botës.

Falënderim, mjekëve e të gjithë punonjësve të shëndetësisë

Dëshiroj - tha në përfundim të kësaj lutjeje të shkurtër Papa i sapooperuar, duke u folur njerëzve, që qenë mbledhur edhe poshtë dritares së spitalit - e edhe atyre. që e ndiqnin nga të katër anët e botës - t’u shpreh vlerësimin dhe inkurajimin tim mjekëve dhe të gjithë punonjësve shëndetësorë si dhe personelit të spitaleve. E më pas, ftesa  drejtuar besimtarëve që të luten për të gjithë të sëmurët:

“Askush nuk duhet lënë vetëm. Uroj që secili ta marrë vajimin e dëgjimit, të afërsisë e të kujdesit. E kërkojmë me ndërmjetësimin e Marisë, Nënës sonë,  Shëndeti i të sëmurëve”.  

11 korrik 2021, 14:05

Engjëlli i Tënzot është lutje që thuhet për kujtim të Misterit të përhershëm të Mishërimit, tri herë në ditë: në orën 6 të mëngjesit, në mesditë e në mbrëmje, rreth orës 18, çast në të cilin dëgjohet tingëllimi i këmbanës së Engjëllit. Emri Engjëlli i Tënzot rrjedh nga  fjala e parë e lutjes – Engjëlli i Tënzot iu fal Zojës Mari – i cili ka të bëjë me leximin e shkurtër të tre teksteve të thjeshta,  që i kushtohen Mishërimit të Jezu Krishtit dhe thënies së tri FalemiMrive. Këtë lutje e thotë Papa në Sheshin e Shën Pjetrit, në mesditën e së dielës dhe në Solemnitete. Para se të thotë lutjen e Engjëllit, Papa u mban besimtarëve një fjalim të shkurtër, duke e marrë shtytjen nga Leximet e ditës dhe përshëndet shtegtarët. Nga Pashkët, deri në Rrëshajë, në vend të lutjes së Engjëllit të Tënzot, thuhet lutja e Mbretëreshës Qiellore, lutje  në kujtim të Ngjalljes së Jezu Krishtit, në përfundim të së cilës shqiptohet tri herë rresht Lumni Atit.

Engjëlli i Tënzot/Mbretëresha Qiellore e fundit

Lexo gjithçka >