Kërko

Vatican News
Lutja e Engjëllit të Tënzot Lutja e Engjëllit të Tënzot  (Vatican Media)

Françesku: të lirë nga paragjykimet, zemërhapur për të papriturat e Zotit

Papa, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, shfletoi para besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, faqen ungjillore të kësaj së dieleje, shkëputur nga Ungjilli i Markut. E u kërkoi t’i kenë sytë e zemrat të lira nga paragjykimet e të hapura për mahnitjen, për të papriturat e Zotit, për praninë e Tij të përvuajtur e të fshehur në çdo jetë e në çdo ditë!

R. SH. - Vatikan

Papa shfletoi sot para besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për lutjen e Engjëllit të Tënzot, faqen ungjillore të kësaj së dieleje, shkëputur nga Ungjilli i Markut. Faqe, që na tregon - kujtoi - mosbesimin e bashkëvendasve të Jezusit. Ai, pasi pati predikuar në fshatrat e tjera të Galilesë,  rikthehet në Nazaret, ku ishte rritur me Marinë e Jozefin. E, një ditë të shtunë, vihet të mësojë në sinagogë. Shumë, duke e dëgjuar, pyesin: “Nga i vjen gjithë kjo dije? A nuk është i biri i zdrukthëtarit e i Marisë, domethënë i fqinjve tanë, që i njohim fare mirë?”. E kjo është një e vërtetë, që bën pjesë në urtinë popullore: “Profeti nuk përçmohet tjetërkund, veçse në vendin e vet, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet”.

Jezusin mund ta njohësh, e të mos e pranosh

Jezusin mund ta njohësh, e të mos e njohësh! Këtë theksoi Papa - për t’u ndaluar pakëz tek sjellja e bashkëvendasve të Jezusit. E për të bërë një pohim me vlerë të madhe, të përhershme: “Ata - pohoi - e njohin Jezusin, por nuk e pranojnë”. Sepse njohja ndryshon shumë nga pranimi. Gjë, që mund të na ndodhë edhe ne. Mund të dimë shumë gjëra për një njeri, mund të kemi krijuar një ide për të, mund t’i besojmë asaj që thonë të tjerët për të. Eshtë rrezik që  mund të na ndodhë të gjithëve: mendojmë se dimë gjithçka për një njeri. E etiketojmë dhe e mbyllim në gjykimet tona: “Kështu edhe bashkëvendasit e Jezusit. E njohin që prej tridhjetë vitesh e mendojnë se dinë gjithçka për të; ndërsa në të vërtetë as nëpër mend s’u ka shkuar se me kë kanë të bëjnë! Ndalohen tek anët e jashtme e nuk duan ta pranojnë të renë që sjell Jezusi”.

Feja, pa mahnitje,  bëhet si litani që shuhet dalëngadalë

Kur në shpirtin tonë sundon rehatia e zakonit e diktatura e paragjykimit, është vështirë t’ia hapësh zemrën së resë, e edhe të mahnitesh. Tepër shpesh kërkojmë nga jeta, nga përvoja e deri nga njerëzit, vetëm vërtetimin e ideve tona e të skemave tona, pa na shkuar as nëpër mend të lodhemi për t’i ndryshuar:

“Gjë që mund të na ndodhë edhe me Zotin. E kujt? Pikërisht ne, që mendojmë se e njohim Jezusin, se dimë gjithçka për Të e se mjafton të përsërisim pambarimisht fjalët e thëna e të stërthëna. Por pa hapjen e zemrës para  risisë së të papriturave të Zotit, pa mahnitje,  feja bëhet litani e lodhur, që shuhet dalëngadalë”.

Shkandulli i mishërimit

Në fund Papa u drejtoi besimtarëve pyetjen: “E pse bashkëvendasit nuk e pranojnë Jezusin e nuk besojnë në Të? Cila është arsyeja? Mund të themi, me pak fjalë se nuk e pranojnë shkandullin e Mishërimit!

“Është shkandull,  që pafundësia e Zotit të duket në vogëlsinë e korpit tonë,  që i Biri i Zotit të jetë bir i zdrukthëtarit, që hyjnorja të fshihet në njerëzoren,  që Zoti të banojë në fytyrën, në fjalët, në gjestet e një njeriu të thjeshtë. Ja shkandulli: mishërimi i Zotit, konkretësia Tij, e përditshmja e Tij”

 Në të vërtetë - pohoi Papa - për njeriun është më komod një zot abstrakt e i largët, që nuk ngatërrohet në situatat e botës  e që pranon një fe larg jetës, larg problemeve, larg shoqërisë. Ose i pëlqen më shumë të besojë në një zot me efekte të veçanta, që bën vetëm gjëra të jashtëzakonshme, që krijon gjithnjë emocione tronditëse.

Po Zoti u mishërua!

“Po Zoti u mishërua: i përvujtur, i butë, i fshehur. Bëhet i afërt me ne në normalitetin e jetës sonë të përditshme. E atëhere, ashtu si bashkëvendasit e Krishtit, rrezikohemi të mos e njohim, kur kalon. Ose, edhe më keq akoma,  të shkandullohemi prej Tij”.

Kjo, vërejtja e Papës për besimtarët, pasuar nga  lutja e fundit e Engjëllit të Tënzot:

“Tani, në lutje, t’i kërkojmë Zojës, që e pranoi misterin e Zotit në të përditshmen e Nazaretit,  t’i kemi sytë e zemrat të lira nga paragjykimet  e të hapura për mahnitjen, për të papriturat e Zotit, për praninë e Tij të përvuajtur e të fshehur në çdo jetë e në çdo ditë!”.

04 korrik 2021, 13:52