Kërko

Vatican News

Papa Françesku priti në audiencë kryeministrin e Irakut Al-Kadhimi

Gjatë bisedave të përzemërta, u kujtua vizita historike e Papës Françeskut në Irak dhe momentet e unitetit të përjetuara nga irakianët, dhe u theksua rëndësia e promovimit të kulturës së dialogut kombëtar për të nxitur stabilitetin dhe procesin e rindërtimit të vendit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite nё audiencë, në Pallatin Apostolik në Vatikan, Kryeministrin e Irakut, Mustafa Al-Kadhimi, me shoqëruesin e tij,  i cili më pas u takua me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit tё Vatikanit, shoqëruar nga Imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet.

Gjatë bisedave të përzemërta, u kujtua vizita historike e Papës Françeskut në Irak dhe momentet e unitetit të përjetuara nga irakianët, dhe u theksua rëndësia e promovimit të kulturës së dialogut kombëtar për të nxitur stabilitetin dhe procesin e rindërtimit të vendit.

Në vazhdim të bisedës, u theksua rëndësia e mbrojtjes së pranisë historike të të krishterëve në vend me masa adekuate ligjore dhe kontributi i rëndësishëm që ata mund të japin për të mirën e përgjithshme, duke nënvizuar nevojën për t'u garantuar të krishterëve të njëjtat të drejta dhe detyra si shtetasit e tjerë.

Së fundi, bashkëbiseduesit u përqendruan mbi situatën rajonale, duke konstatuar përpjekjet e bëra nga vendi, me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, për të rivendosur një klimë besimi dhe bashkëjetese paqësore.

Po kujtojmё se Papa e vizitoi Irakun gjatë udhëtimit tё tij apostolik ndёrkombёtar të fundit, nga 5 deri më 8 marsi kaluar.

02 korrik 2021, 13:29