Françesku: Gemelli, “shtëpi” që mjekon trupin e zemrën
R. SH. - Vatikan
Një falënderim i dalë nga zemra për “familjen e madhe të Gemelli-t”, për “kujdesin e përzemërt” e “mikpritjen vëllazërore”, që ndjeu në krevatin e spitalit. Pak ditë pasi përfundoi shtrimi, Papa vendosi t’u shprehë, përmes një letre, mirënjohjen, atyre që e shoqëruan gjatë ditëve të shtrimit, pas operacionit në zorrë, më 4 korrik.
E ndjeva veten si në familje, si të isha në shtëpinë time - i shkruan Françesku presidentit të Fondacionit Poliklinik Universitar Agostino Gemelli, Carlo Fratta Pasini. “Mund të konstatoj personalisht sa rëndësi ka, në kujdesin për shëndetin, ndjeshmëria njerëzore e profesionaliteti shkencor. Tani ruaj në zemër shumë fytyra, histori e, sidomos, histori vuajtjesh”. Gemelli - nënvizon akoma Papa - “është me të vërtetë një qytet i vogël në zemër të Urbes – Romës - ku çdo ditë arrijnë mijëra njerëz, për të shkarkuar këtu shpresat e shqetësimet.
“Çka bën secili prej jush, nuk është vetëm punë delikate e impenjative. Mbi të gjitha, është vepër mëshire që, përmes të sëmurëve, hyn në kontakt me korpin e plagosur të Jezusit”.
Në ditët e rikthimit të shëndetit, pas operacionit, Françesku preku me dorë atë, që në shumë raste e ka quajtur themelore kur plagoset shëndeti, domethënë, rëndësinë që ka mirëpritja e mirëkuptimi i njeriut, e jo vetëm sëmundja e tij. “Aty - pohon Françesku në letër, duke kujtuar kujdesin që tregohet për njeriun në Poliklinikë - përveç mjekimit të korpit , mjekohet - e uroj të vijojë kështu - edhe zemra, duke treguar vëmendje të madhe për njeriun, gjë që të ngjall ngushëllim e shpresë në çastet e provës”.
“Jam tejet i kënaqur për takimin me Ju - përfundon Papa - do ta ruaj brenda meje e do t’ia paraqes Zotit”.