Kërko

Vatican News
 Castel Gandolfo Castel Gandolfo  

Edhe Papët pushojnë në verë…

Lazio - Castel Gandolfo-Dolomite-Shën Martë: këto vendet që u pëlqenin - e i pëlqejnë - më shumë Papëve për t’u prehur paksa në vapën e verës

R. SH. - Vatikan

Vështirë të përcaktohet me saktësi koha kur edhe ipeshkvijtë e Romës, nisën zakonin e pushimeve verore. Duke u kthyer mbrapa me shekuj e duke shfletuar vëllimet e trasha të “Historisë së Papëve”, shkruar nga Ludwig von Pastor, ose librin po aq të trashë “Fjalori i erudicionit historiko-kishtar”Getano Moronit, mund të gjejmë të dhënat e para kushtuar pushimeve verore të Papëve të kahmotshëm. Kur “pëlcitse gjinkalla në degë”, Papët nisën të largohen nga Roma, për të shpëtuar nga sëmundjet e nga ajri i keq, që përhapej në të katër anët prej kënetave. Madje Roma nisi të quhej “mishngrënëse njerëzish, gurrë ethesh e nënë të vdekurish”. Atëhere Inocenzi III (1198-1216) nisi jo vetëm të flasë për pushime verore, por edhe të pushojë në djegagur.

Në kërkim  të “Parajsës së freskët”

Nisën, kështu, kërkimet për vendet e pushimeve, kryesisht në rrethinat e Romës: në Sora, Tivoli, Montefiascone... Vende mahnitëse, me pyje të dendura, që e joshën edhe Piun II (1458-1464), papën humanist. Falë tyre, Papa na la trashëgim “Commentarii”- përshkrimet  e shtegtimit të tij gjatë rrugës Appia antica, si dhe vizitën në Coli Albani, me të dhëna shumë interesante. Pa harruar të përshkruante edhe bukuritë e pyjeve, pajisur me një faunë tejet të pasur ku, më pas, Leoni X(1513-1521) do të kënaqej duke u marrë me gjahun e derrave të egër.

Pushimet e shkurtëra verore të papëve u bënë zakon, posaçërisht në vitet gjashtëqind, në Pallatin e ndërtuar nga Urbani VIII (1623-1644), pranë Liqenit Albano, në Castel Gandolfo, cak i zgjedhur nga papët deri në ditët tona, deri në kohën e një Pape, që e kalon gjithë verën përvluese në Shtëpinë e Shën Martës, si stinët e tjera të vitit…

Vatikani veror, n. 2

Shumë shpejt Castel Gandolfo u shndërrua në një lloj Vatikani veror(a Vatikani n. 2) duke u bërë i famshëm edhe për bukuritë e natyrës: për liqenin e kaltër, që soditet nga dritaret e tij, për ajrin e pastër, për blerimin …. I takoi Urbanit VIII, ulur në fronin e Shën Pjetrit më 1623, të  kryente punimet e nisura nga paraardhësit në këtë Pallat-Kështjellë. Në librin e tij “Papët në katund” (1953), Emilio Bonomelli, për shumë kohë drejtor i Vilave Papnore, duke gërmuar nëpër arkiva, përshkroi 10 majin e vitit të largët 1626, kur papët nisën shtegtimin e parë drejt Castel Gandolfos…

Për herë të parë drejt Castel Gandolfos

Lexojmë se në këtë ditë Papa u nis shumë heret nga Pallati i Quirinales. Udhëtonte mbi një karrocë, të tërhequr nga gjatë kuaj. Grupit të shtegtarëve i printe Kryqmbajtësi mbi kal, i ndjekur nga oborrtarët me petka udhëtimi, kush në kal e kush në lektigë, shoqëruar nga imzot mjeshtri i shtëpisë, rrëfyesi, sekretari i shtetit, lëmoshtari, ndihmësi i dhomës, kopjuesi, mjeshtri i postave, klerikë sekretë, kapelanë, etj etj”, pa harruar edhe forcat e sigurimit e rojet e gjithë këtij karvani shumëngjyrësh në shtegtim. Deri tek caku: Kastel Gandolfo, ende në fasha, por që pak nga pak u zgjerua e u bë një nga pallatet më të famshme të pushimeve, mbasi aty vunë dorë mjeshtra të mëdhenj të të gjitha kohërave, si arkitekti Carlo Maderno, Bartolomo Breccioli e Domenico Castelli.

Papa shqiptar në Kastel Gandolfo

 Pas Urbanit VIII, Papa i dytë që shkoi në rezidencën verore qe Aleksandri VII (1655-1667), i cili i kërkoi skulptorit të shquar Bernini t’i shtojë pallatit fasadën dhe galerinë. Pas tij, Castel Gandolfo-s iu desh të presë për një kohë të gjatë, derisa në fronin e Shën Pjetrit u ul Papa shqiptar, Klementi XI (1700-1721). Për pushimet verore të tij shkruan Lancisi në librin “Efemeridet e pushimeve të Klementit XI”, ku e përshkruan papën, herë në shëtitje me rojet zvicerane, herë në lutje në kishën e Kështjellës, herë në famullitë pranë, duke pyetur fëmijët për katekizmin.

Pak pas pushtimit francez

Papët ndoqën njëri-tjetrin në Castel Gandolfo deri në fund të shekullit XVIII, kur trupat franceze pushtuan pallatin apostolik. Papa Piu VI nuk mundi të shkojë më, por Piu VII e rifilloi traditën tre muaj para burgosjes së tij nga Napoleoni e edhe katër muaj pas “Restaurimit” të shtetit papnor. Fshatarët e festojnë këtë ditë me fishekzjarre. E një kuriozitet tjetër është se me Piun VII, në pallatin apostolik, një dhomë u pajis me bilardo.

Mbahet mend më pas, Papa Piu IX (1846-1878), i cili në vitin 1859  shkoi në Castel Gandolfo, pasi kishte përdorur për herë të parë trenin me avull, që e çoi deri në Cecchina.

1870-1929- vite të errëta…

Hajdutët, kolera, gjendja politike e viteve të errëta 1870-1929 do të shkaktonin mbylljen e vilës së papëve nga viti 1870 deri më 1929, vit i Pakteve të Lateranit. Papa Piu XI (1922-1939) nisi të shkojë sërish në Kështjellë nga data 24 gusht 1933. Tregohet se udhëtonte fshehurazi me një makinë, së cilës iu shpua goma rrugës, gjë që mbeti në kujtesë. Por Piu XI nuk mbahet mend vetëm për një gomë të shpuar. Ishte ai, që restauroi Pallatin apostolik, gjë që u vlerësua edhe nga papët e mëvonshëm. Aty vijuan të pushojnë verës Piu XII, Gjoni XXIII e madje, Papa Pali VI, që edhe ndërroi jetë në këtë vend, ku kishte shkuar në fund të ditëve të tij, për të gjetur pakëz prehje!

Papë të ndryshëm, pushime të ndryshme: e kush me çifte, kush me libra, kush me pendë në dorë, …

Gjon Pali II – revolucion edhe në Kështjellën Gandolfo

Ndërmjet një mori të rejash, që solli papnia e Gjon Palit II, është pa dyshim edhe revolucionarizimi i vërtetë i pushimeve verore. Papa polak, nisi t’i kalonte jo vetëm në Castel Gandolfo, zbukuruar edhe me një pishinë  dhuruar nga polakët, që e njhnin pasionin e tij për notin,  por edhe në mal, në Cadore e në Val d’Aosta, i mësuar të jetojë mes malesh, siç ishte!

Benedikti e Kastel Gandolfo

Shembullin e tij e ndoqi, deri diku, edhe  Benedikti XVI që, pasi provoi malin, u tërhoq verës në Castel Gandolfo. Për t’u mbyllur tani, vullnetarisht, në moshën 94 vjeç, në manastirin Mater Ecclesiae, në Vatikan, ku ka edhe më shumë blerim e lule, sesa në Castel Gandolfo a në Dolomite! Kalon vetëm pak ditë pushimi, sepse kohën tjetër e shfrytëzon me penë në dorë.

Françesku, në Shën Martë

Ndërsa Papa Françesku i kalon pushimet në Shtëpinë e Shën Martës, ku pushon, duke vijuar punën…  

04 korrik 2021, 15:20