Afrika e Jugut, thirrja e Papës: mjaft me dhunë, punoni në paqe!
R. SH. - Vatikan
Kronikat, e edhe vetë presidenti Ramaphosa, flasin për krizën, duke e konsideruar si më e rënda, që nga viti ’90. Afrika e Jugut është në flakë nga plaçkitjet, arrestimet, çrregullimet, ndeshjet ndërmjet manifestuesve e policëve e nga vdekjet. Shumë të vdekur, bilanc i tmerrshënm, që i kalon 200 vetët. E gjithë kjo nisi në çastin e arrestimit të ish-presidentit Jacob Zuma, më 7 korrikun e kaluar, ndërsa nga ana tjetër e Afrikës Jugore vijon të korrë jetë covid-19, që pikërisht në këtë zonë duket në një nga variantet më të studiuara:
“Në këtë javë për fat të keq erdhën lajme, që flasin për episode dhune, gjë që e rëndoi gjendjen e vëllezërve tanë të shumtë të Afrikës së Jugut, të prekur edhe nga vështirësitë ekonomike e shëndetësore, për shkak të pandemisë”.
Në sfond të krizës jugafrikane, që lidh në një spirale Johannesburgun dhe shumë lokalitete të tjera, duke përfshirë edhe Durbanin e lagjen e Mandelës, Soweto-n, shpërtheu pakënaqësia, pasojë e mozaikut të pasigurisë dhe të varfërisë, që shfaqet me shumë forma: nga papunësia, tek mungesa e ushqimit edhe e ilaçeve e tek pakënaqësitë e tipit politik. Papa, duke bashkuar zërin me atë të ipeshkvijve, kërkon të bëhet kthesë:
“Në bashkim me ipeshkvijtë e vendit, u bëj thirrje të gjithë përgjegjësve të punojnë për paqen e të bashkëpunojnë për t’i ndihmuar nevojtarët. E të mos e harrojnë edhe dëshirën, që i priu popullit të Afrikës Jugore për rilindjen e harmonisë ndërmjet të gjithë bijve të saj”.