Kërko

Vatican News

Papa: miqësia shoqërore i largon populizmat e ndihmon bashkëjetesën

Videomesazhi i Papës Françesku me ndjetin e lutjes për muajin korrik përqendrohet në miqësinë shoqërore: “Të lutemi që, në situatat shoqërore, ekonomike e politike, konfliktuale, të jemi të guximshëm e protagonistë të apasionuar të dialogut dhe të miqësisë”.

R.SH. - Vatikan

Gjendjet e konfliktit, në videomesazhin me të cilin Rrjeti i Lutjes së Papës paraqet ndjetin e Atit të Shenjtë për muajin korrik. Papa Françesku nuk përqendrohet vetëm në luftrat e shumta, që kanë mbërthyer botën. Atij i interesojnë të gjitha situatat e konfliktit, shoqërore, politike dhe ekonomike, shkaktuar edhe nga kriza aktuale e pandemisë së koronavirusit. E Ati i Shenjtë propozon “miqësinë shoqërore” si udhë të mundshme për të dalë nga gjendja në të cilën është zhytur bota e sëmurë, udhë, të cilën vetë Papa e përvijon më së miri në enciklikën “Fratelli tutti”.

Të shkojmë drejt periferive

“Bibla – pohon Papa në videomesazh – thotë se kush gjen një mik, gjen një çiflig. Dua t’ju propozoj të gjithëve të shkojmë përtej grupeve të miqve e të krijojmë atë miqësi shoqërore, që është kaq e nevojshme për bashkëjetesën e mirë. Të takojmë sidomos më të varfërit e më të ligshtët. Ata, që jetojnë në periferi. Të largohemi nga populizmat, që shfrytëzojnë ankthin e popullit, pa dhënë zgjidhje” e pa ndryshuar asgjë.

Të mos i shohim të tjerët si kërcënim

Ati i Shenjtë Bergoglio nuk përdor fjalë të lehta për ata, që ngrihen në nivelin e mësuesve të popujve, pa qenë aspak të tillë; për ata, që shfrytëzojnë frikën e çastit, për të propozuar zgjidhje, që nuk e ndërtojnë të ardhmen, përkundrazi, e errësojnë atë, duke i bërë njerëzit të mbyllen edhe më tej në rrethin, qytetin apo vendin e tyre. Zgjidhjet, që nuk marrin parasysh solidaritetin, janë kundër kohës e botës gjithnjë e më të globalizuar, pasi problemet e njërit nuk mund të përfundojnë, nëse nuk kanë gjetur përgjigje edhe problemet e shqetësimet e tjetrit. Gjithçka është e ndërvarur, “jemi të gjithë në të njëjtën barkë”, thekson shpesh Papa Françesku fjalët, që janë kthyer në lajtmotiv për shumë vetë. Më tej, në Koncistorin e zakonshëm të vitit 2016, Ati i Shenjtë denoncoi trajtimin e emigrantëve dhe të refugjatëve si të ishin armiq të shoqërisë. Gjithashtu, në enciklikën “Fratelli tutti”, një kapitull i tërë i kushtohet “dialogut e miqësisë shoqërore”, që, sipas Papës, “presupozon aftësinë për t’i respektuar pikpamjet e tjetrit, duke pranuar mundësinë që ato të përmbajnë bindje, ose interesa të ligjshme”.

T’i largohemi armiqësisë shoqërore

Pra, duhet të “largohemi nga armiqësia shoqërore, e cila vetëm shkatërron – vijon Ati i Shenjtë në videomesazhin me ndjetin e lutjes së korrikut – e të dalim nga ‘polarizimi’. Kjo nuk është gjithnjë e thjeshtë, sidomos sot, kur një pjesë e politikës, e shoqërisë, e mediave, impenjohet të krijojë armiq, për t’i mposhtur më pas në një lojë për pushtet”, denoncon Papa një lloj politike aktuale, nga e cila popujt dalin gjithnjë të mundur. “Dialogu – tregon udhën Françesku – është rruga për ta parë realitetin me një mënyrë të re, për të jetuar me pasion sfidat e krijimit të së mirës së përbashkët”.

Ndjeti i lutjes

Prandaj, në ndjetin e tij të korrikut, Papa kërkon “lutje që, në situatat shoqërore, ekonomike dhe politike konfliktuale, të jemi protagonistë të guximshëm e të apasionuar të dialogut e të miqësisë, burra e gra që kapen gjithnjë për dore; lutje që të mos ketë më hapësirë për armiqësinë e për luftën”.

30 qershor 2021, 14:31