Kërko

Vatican News

Papa: tepër papunësi e punë pa dinjitet, urgjente, reforma e ekonomisë

Videomesazh i Papës Françesku për pjesëmarrësit në takimin e 109-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, që mbahet sot në Gjenevë. “Migrantët dhe punëtorët e pambrojtur përjashtohen nga programet kombëtare për promovimin e shëndetit”, denoncon Ati i Shenjtë. “Dhuna ndaj grave është e papranueshme, - nënvizon Bergoglio - shumë punëtore ekspozohen ndaj rrezikut të Covid-19, së bashku me fëmijët e tyre, të cilët detyrohet t’i marrin me vete në vendin e punës”. “Nevojitet një reformë ekonomike”

R.SH. - Vatikan

Pohon se “anëtarësimi në një sindikatë është një nga të drejtat themelore” e, më pas, bën thirrje për “reformimin e thellë të ekonomisë” dhe për një punë “vërtet njerëzore”, sepse, aktualisht, për shumë punëtorë ditorë, për migrantët, për ata që nuk kanë siguri kontrate e sidomos për gratë - duke filluar nga shërbëtoret, kujdestaret dhe shitëset ambulante – puna është “e rrezikshme, e ndyrë dhe degraduese”. Videomesazhi i gjatë në spanjisht, që Papa Françesku u dërgon pjesëmarrësve në takimin e 109-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës, e cila mbahet sot, 17 qershor, në Gjenevë, është pothuajse një mini-enciklikë për punën.

Më të brishtët, jashtë programeve shëndetësore

Në video, Ati i Shenjtë u bën thirrje Kishës dhe qeveritarëve, duke i nxitur të japin përgjigjet e duhura për ata, që përjetojnë pasigurinë e punës, edhe për shkak të pasojave dramatike të pandemisë së koronavirusit.

“Shumë migrantë dhe punëtorë të pambrojtur, së bashku me familjet e tyre, mbeten zakonisht jashtë programeve kombëtare për promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve, trajtimin dhe asistencën, si dhe jashtë planeve të mbrojtjes financiare dhe të shërbimeve psikosociale”.

Papunësia, të rinjtë jashtë tregut, trafiku i njerëzve

Sipas Papës Françesku, kjo sjell vështirësi të mëdha sidomos për migrantët e refugjatët, me rrezikun që qendrat ku jetojnë të kthehen në vatra infeksioni të Covid-19. Përveç kësaj, mospërfshirja në sistemet shëndetësore ka pasoja edhe në shtimin e varfërisë, të papunësisë, shkakton vonesa në hyrjen e të rinjve në tregun e punës, sjell shfrytëzimin e të miturve dhe ekspozimin e të moshuarve ndaj sëmundjeve.

“Ulja e orëve të punës gjatë viteve të fundit ka sjellë si humbjen e vendit të punës, ashtu edhe reduktimin e ditës së punës të atyre, që e kanë. Shumë shërbime publike, si dhe shumë ndërmarrje, janë përballur me vështirësi të jashtëzakonshme, duke rrezikuar falimentimin e plotë, ose të pjesshëm. Në të gjithë botën vërehet një humbje e vendeve të punës, gjatë vitit 2020, siç nuk ka ndodhur më parë”.

Kushte pune të drejta e dinjitoze

Papa Françesku bën thirrje që, me përfundimin e pandemisë, të mos kthehemi në etjen për fitim, në izolime e nacionalizma, në konsumin e verbër e në diskrimimin e shtresave më të brishta të popullsisë. Në një dialog të barabartë ndërmjet qeverive, afaristëve dhe punëtorëve, kërkon Ati i Shenjtë, duhen krijuar kushte pune të drejta e dinjitoze, për të mirën e përbashkët të të gjithëve.

Kujdes ndaj nevojave të veçanta të grave

Papa shpreh me forcë shqetësimin e tij për gjendjen e grave punëtore, të cilat shpesh, bëjnë punë të rastit e detyrohen të marrin me vete edhe fëmijët, pasi nuk mund t’i lënë vetëm në shtëpi.

“Duhet të garantojmë që asistenca sociale të arrijë edhe në ekonominë informale, që të tregohet kujdes për nevojat e veçanta të grave e vajzave”, thekson Françesku, i cili denoncon edhe gjendjen e grave në vende ku mungon liria, drejtësia dhe barazia. Vërtet që janë bërë hapa përpara në njohjen e të drejtave të tyre, pohon Ati i Shenjtë, por akoma duhen çrrënjosur “zakone të papranueshme” në trajtimin e femrës, sidomos “dhuna e turpshme” në familje, skllavërimi, si edhe “pabarazia në punësime dinjitoze e në poste vendimmarrëse”.

E drejta për sindikata

Papa kërkon garantimin e të drejtave themelore të punëtorëve, siç është pjesëmarrja në sindikata. Rreziku, që denoncon Ati i Shenjtë, është që pas pandemisë, në përpjekjen për rimëkëmbje, të përqendrohemi vetëm në treguesit ekonomikë, duke harruar të drejtat e punonjësve. Mund të përhapet një virus edhe më i keq se ai i Covid-19, ngre zërin Ati i Shenjtë, e ky virus është indiferenca egoiste.

“Ky virus përhapet duke menduar se jeta është më e mirë, nëse është më e mirë për mua dhe, se gjithçka shkon mirë, nëse shkon mirë për mua. Kështu, arrijmë të përzgjedhim një person në vend të tjetrit, duke mënjanuar të varfërit, duke flijuar ata, që mbeten pas, në të ashtuquajturin ‘altar të përparimit’. Është një dinamikë e vërtetë elitiste, e formimit të elitave të reja me çmimin e flakjes e të mënjanimit të shumë njerëzve dhe popujve”.

Punëtorët pa mbrojtje

Duke kujtuar Papën Piu XI dhe krizën e Wall Street në vitin 1931, periudha e Depresionit të Madh, kur Ati i Shenjtë e ngriti zërin kundër humnerës ndërmjet punëtorëve dhe afaristëve, Françesku kërkon që në lojën e tregut të lirë, normat juridike të mbrojnë “punësimin, punën dinjitoze dhe të drejtat e detyrat e njeriut”. Sidomos, vë në dukje rastin e punës “jo të standartizuar”, për të cilën ligji nuk parashikon mbrojtje shoqërore, duke i lënë shpesh punonjësit në mëshirë të fatit. Përgjigjja e Papës është puna, që kujdeset për njeriun e për gjithësinë e krijuar nga Zoti, duke menduar edhe për brezat e ardhshëm.

Të çlirohemi nga trashëgimia e iluminizmit

E së bashku me “kujdesin”, Ati i Shenjtë flet edhe për larminë e kulturave të botës, të cilat, nëse njihen, mund t’i pasurojnë popujt.

“Besoj se ka ardhur koha të çlirohemi përfundimisht nga trashëgimia e iluminizmit, e cila e shoqëroi fjalën kulturë me një lloj të caktuar formimi intelektual dhe përkatësie shoqërore. Çdo popull ka kulturën e tij dhe ne duhet ta pranojmë ashtu siç është”.

Pronësia është e drejtë dytësore

Në përfundim të videomesazhit, Papa Françesku u drejtohet institucioneve dhe të gjithë protagonistëve të skenës botërore, që mund të favorizojnë ndryshime në fushën e punës, duke bërë thirrje për përgjegjësi e për “atë formë dashurie, që është bamirësia politike”. Gjithashtu, kërkon luftë kundër korrupsionit e i nxit sindikalistët t’i ndjekin punëtorët në vendet ku banojnë e jetojnë. Afaristët i shtyn të krijojnë mundësi pune, në nivele të ndryshme, për të “prodhuar pasuri, në shërbim të të gjithëve”. Ekziston e drejta e pronës private, nënvizon Papa një ide, që e ka paraqitur edhe në enciklikën “Fratelli tutti”, por nënshtrimi i saj ndaj përdorimit universal të të mirave të kësaj toke është përparësi. Prona private, nënvizon Françesku, “është e drejtë dytësore”, që varet nga kjo “e drejtë parësore”.

17 qershor 2021, 13:50