Kërko

Vatican News

Trashëgimia e Papës në Irak: të respektohen larmitë e të ndërtohet vëllazërisht ardhmëria

Dy muaj pas shtegtimit të Papës Françeskut në vendin mesdhetar, personalitete politike e krerë fetarë reflektuan, në një webinar, për domethënien dhe frytet e kësaj vizite si dhe për përpjekjet për bashkëpunimin e të krishterëve dhe myslimanëve. Sako: për paqen e dialogun duhet angazhimi i prijësve fetarë, edukatorëve e politikanëve. Ayuso: duhet të rindërtohet indi shoqëror, pavarësisht nga fraksionet dhe etnitë.

R. Sh. - Vatikan

“Jemi të gjithë vëllezër, pavarësisht nga ndryshimet, duhet t’i respektojmë larmitë e të bashkohemi për të ndërtuar një shoqëri më të mirë”. Ndërmjet gjurmëve të lëna nga lufta e ndeshjet vëllavrasëse dhe vështirësive të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, pas dy muajsh, në Irak vijon të jehojë përsëri fuqimisht mesazhi, që solli këtu Papa, gjatë vizitës së tij më 5 deri më 8 marsin e kaluar. Vizitë, që u quajt njëzëri “historike” nga referuesit e webinarit, organizuar sot nga Komiteti i Lartë për Vëllazërimin Njerëzor (HCHF), me titull: “Një çast Vëllazërimi Njerëzor: ndikimi i vizitës historike të Papës Françesku”. Ndërmjet zërave, që u dëgjuan, vlen të përmendet kryesisht ai i kardinalit Raphael Louis Sako dhe i Miguel Angel Ayuso Guixot, përkatësisht patriarku kalde i Bagdadit dhe kryetari i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, të dy pranë Papës gjatë  shtegtimit të tij në vendin mesdhetar. Çka u tha në këtë takim, ka vlerë  edhe për realitetin e shumë vendeve të tjera, që kanë probleme të ngjashme, të pazgjidhura, por jo të pazgjidhshme!

Liderët politikë e fetarë, së bashku për të kujtuar “një udhëtim historik”

Në dialog virtual me dy kardinajtë, ishin liderët politikë e fetarë të Lindjes së Mesme: ministri irakian i kulturës, Hassan Nadhem; ministrja e Kulturës dhe i Rinisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Noura Al Kaabi; zëvendës-drejtori i përgjithshëm i Unesco-s, Ernesto Ottone Ramirez; imami i xhamisë Abu Hanifa të Bagdadit, Shehu Abdel-wahab Taha Al-Sammerai.  I pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit të Lartë për Vëllazërimin Njerëzor, gjykatësi Mohamed Abdelsalam, prej kohe sekretar i Imamit të Madh të Al-Azhar, Al-Tayyeb, që foli në përfundim të takimit, së bashku me atë Olivier Poquillon, përfaqësues i Urdhërit Domenikan, për  Projektin e restaurimit Unesco-Uae (Emiratet e Bashkuara Arabe) në Mosul.

Vlera e vizitës për mbarë Lindjen e Mesme

Të gjithë dhanë mendimet e tyre personale mbi natyrën humanitare e, posaçërisht, ndërfetare të shtegtimit të parë të një Pape në Irak, duke  theksuar rëndësinë që ka për mbarë Lindjen e Mesme dhe për vëllazërimin global. Prej këndej, reflektimi koral mbi hapat e mëtejshme që duhen bërë për rindërtimin e vendit, duke nisur nga indi shoqëror e duke arritur tek infrastrukturat dhe tek sfera kulturore, që ndikon fuqimisht në promovimin e stabilizimit, të pajtimit e të shpresës për një ardhmëri më të mirë.

Sako: një plan, për të vënë në jetë fjalët e Papës

Pikërisht mbi ardhmërinë u përqendrua Patriarku Sako, i cili  kujtoi vizionin dhe planin e përbashkët të punës, që duhet të kenë Kisha e politika, të krishterët e myslimanët, për të vënë në jetë çka  propozoi Papa  gjatë fjalimeve e takimeve, në 72 orët e kaluara në trojet irakiane.  Pikënisja është vetëdija se ‘ne jemi pjesë e juaja, e ju, pjesë e jona”, e njëjta shprehje, që lexohej në afishet e shumta varur gjatë udhëve të Bagdadit, e që u kujtua, më pas, edhe në takimin e Papës me Ajatullahun e shiitëve, Ali al-Sistani. “Papa pohoi se e vetmja mënyrë për të ecur në udhën e paqes, të stabilitetit, të lirisë e të dinjitetit të çdo njeriu, si bazë  për bashkëjetesën, është kontrolli i armëve” - kujtoi Sako - i cili e nxiti klerin ta bëjë fenë burim respekti reciprok, pajtimi, paqeje e stabiliteti në zonë e në botë.

Ayuso: shtegtimi papnor, gur kilometrik në udhën ndërfetare

Kardinali Ayuso u përqendrua tek gjestet dhe fjalët e Papës, që lanë gjurmë të pashlyeshme si në Bagdad, ashtu edhe në Ur, Erbil, Mosul e Qaraqosh. “Besoj, e pa asnjë retorikë, se mund të themi që vizita e Papës ështe  një gur tjetër kilometrik në udhën e dialogut ndërfetar” - theksoi - duke kujtuar edhe vlerën e vizitës private tek al-Sistani që, sipas Ayuso-s, “ishte kontribut për vëllazërimin e të krishterëve me myslimanët. E ashtu ishte edhe takimi në Ur, tokë nga cila Abrahami nisi udhën në histori, “në mënyrë që të ndërtohet indi shoqëror përtej fraksioneve dhe etnive”.

Ministrja e Kulturës i Emirateve Arabe

Ndërsa ministrja Noura Al Kaabi, duke pohuar sesi Emiratet e Bashkuara Arabe qenë të parat në botë që rindërtuan kishat e krishtera të rrënuara nga Isis në Irak,  kujtoi punën e përbashkët të dy vendeve, e cila synon t’i ruajë e t’i forcojë më tej trashëgiminë dhe larmitë fetare. “Përballojmë të njëjtat sfida - theksoi - e punojmë në lidhje të ngushtë me Unesco-n dhe me ministritë e ndryshme, për të zhdukur gjurmët e pafundme të vuajtjes e të dhimbjes, që lanë pas ekstremistët dhe ideologjitë e vdekjes e të rrënimit”.

Projekti Unesco, për ta ringjallur Mosulin

Zbatim praktik i këtyre objektivave janë projektet e shumta. në program, ose në vijim e sipër. Disa prej tyre i kujtoi atë Poquillon, që u ndalua posaçërisht tek nisma e shkurtit 2018, si dhe drejtori i përgjithshëm i Unesco-s, Audrey Azoulay, titulluar “Revive the Spirit of Mosul” (Të ringjallet Shpirti i Mosulit”. Është përgjigje - shpjegoi domenikani - që i jep Komiteti i përbashkët për rilindjen, njërit nga qyetet ikonike të Irakut, shkatërruar nga furia e tërbuar xhihadiste. Rilindje, e parë jo vetëm si  rindërtim i qytetit, por edhe i popullsisë, përmes kulturës e arsimit. “Nuk ka fat paralel për bashkësi të ndryshme” - kujtoi Poquillon - “kemi të njëjtën origjinë e, si pasojë, edhe të njëjtat përgjegjësi”.

Abdelsalam: ta ruajmë unitetin

Në pëfundim të takimit on-line foli edhe gjykatësi Abdelsalam, i cili kujtoi Letrën Enciklike “Fratelli tutti” - “Vëllezër të gjithë” -  të cilën pikërisht ai, së bashku me relatorë të tjerë, e paraqiti në Vatikan më 4 tetor 2020. Enciklika e Papës Françesku na kujton se jemi të gjithë vëllezër. E si vëllezër, Iraku është në zemrat e ne të gjithëve, shtoi. Vendi përbën një mozaik të mrekullueshëm fetar për bashkëjetesën njerëzore. Po ky kuadër u vadit me gjakun e bijve të tij të pafajshëm, të cilët i paguan një haraç të rëndë luftërave dhe ndeshjeve, që zgjatën për dhjetra vjet, “për t’u bërë, së fundi, viktima të një terrorizmi të zi, që rrënoi xhami e kisha, duke lënë pas plagë të thella në trupin e Irakut”.

Këto drama  e prekën zemrën e Papës,  të cilin Abdelsalami - siç  tregoi ai vetë - e takoi pikërisht një muaj para shtegtimit apostolik:

 “Ati i Shenjtë më tha se do të vinte në Irak, pa marrë parasysh asnjë vështirësi, sado e rëndë të ishte. Do të vinte, që të jepte ndihmesën për unitetin e popullit”. E pikërisht ky unitet është rruga, që duhet ndjekur e që u kujtua sot, dy muaj pas vizitës së paharrueshme të Atit të Shentjë. “Të bashkëpunojmë - ftoi sekretari i Komitetit për Vëllazërimin Njerëzor - e të mendojmë çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen, për t’i dhënë diçka këtij vendi aq të dashur”.

04 qershor 2021, 12:54