Kërko

Vatican News
MIgrantë në Spanjë MIgrantë në Spanjë 

Perego: “Ndër refugjatët, kërkojmë fytyrën e Krishtit”

“Pas valës së pandemisë, duhet rimenduar një plan për ndihmën dhe mikpritjen, që të bën ta ndjesh veten motër e vëlla me ata, të cilët kërkojnë një jetë të re, larg tokave të tyre të lashta”. Imzot Gian Carlo Perego, Kryetar i ri i Fondacionit Migrantes pranë Cei (Konferenca Ipeshkvnore Italiane), komenton thirrjet e fuqishme të Papës Françesku.

R. SH. - Vatikan

T’ua hapim zemrën njerëzve, që ikin nga lufta, dhuna e varfëria. T’i bëjmë tonat trishtimet e tyre e gëzimet e tyre e të mësojmë nga qëndrueshmëria e tyre”. Vijon jehona e fjalëve të fuqishme, shqiptuar dje nga Papa në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot. Françesku sillte, nga të katër ane botës, në Sheshin e Shën Pjetrit, vuajtjet e qindra-mijëra refugjatëve nga të pesë kontinentet, e në veçanti, nga Mianmari, në një të diel të veçatë, kur bota kremtonte Ditën Botërore, që u kushtohet nga Kombet e Bashkuara.

Për “perspektiva të reja”, e për “një familje të vetme njerëzore”, flet, në mikrofonet tona, imzot Gian Carlo Perego, kryeipeshkëv i Ferrara-Comacchio-s dhe president i ri i Fondacionit Migrantes pranë Cei (Konferencës së Ipeshkvijve Italianë). Ipeshkvi flet - në pritje që politika, posaçërisht ajo evropiane - ta thotë fjalën e vet mbi këto tematika, gjatë takimit të rangut të lartë, në program gjatë kësaj jave.

Çfarë menduat, duke dëgjuar fjalët e Papës?

“Të dhënat flasin qartë: 82 milionë të shpërngulur, në kërkim të strehimit  dhe refugjatë. Papa ceku edhe tragjedinë e Mianmarit, ku një numër i madh njerëzish vijojnë të ikin, për të shpëtuar nga situata e tmerrshme, e krijuar në vend. Situatë urie, si në 35 vende tjera. Krijuar sa nga dora e njeriut, aq edhe nga kushtet e rënda ambientale. Bota e refugjatëve na kujton realitetin e urisë, të mjerimit, të luftës, të ndryshimeve klimatike e të gjëmave të tjera të  natyrës,  e njëkohësisht, të njerëzimit në shtegtim. Njerëz që, kur ne flasim për ta, kapërcejnë Mesdheun, duke ëndërruar të arrijnë gjallë në brigjet e tij. Sepse shumë prej tyre vdesin në det. E nëse prekin brigjet, detyrohen të rikthehen mbrapsht, si të padëshiruar. Në këto çaste që jetojmë, pas rilindjes nga pandemia, besoj se duhet rimenduar një plan ndihme në detin evropian. E edhe një tjetër mikpritje, që  të na bëjë të ndjehemi vëllezër e motra, në gjurmët e thirrjes që pati bërë Papa nga Lampeduza, duke na përsëritur pyetjen sa të lashtë, aq aktuale, që i pati bërë Zoti Kainit: “Ku është yt vëlla?”.

Papa, në lutjen e djeshme të Engjëllit, tha edhe se duhet “të mësojmë nga qëndrueshmëria e tyre guximtare”. E kështu, të gjithë së bashku do të kontribuojmë për të rritur një bashkësi më njerëzore, një familje të vetme, të madhe. A ju duket interesante perspektiva për të mësuar nga refugjatët?

“Mund të mësojmë, sepse guxojnë! Guxojnë të vihen për rrugë, të shtegtojnë, të kërkojnë, fjalë të rëndësishme edhe sot, pas pandemisë, për shumë njerëz, edhe nga viset tona, në Evropë e në mbarë botën. Të rinisësh! Të marrësh guximin për të vënë në lojë gjithçka, të ecësh së bashku, të kërkosh së bashku edhe perspektiva të reja, që nuk shikojnë vetëm realitetin tonë, po shikojnë mbarë botën, që është një familje e vetme  njerëzore”.

Pandemia nuk e pakësoi dyndjen e refugjatëve, përkundrazi, tregoi se shumica e vendeve kanë prirjen  t’ua mbyllin portat kësaj dyndjeje. Më se 160 kombe i mbyllën kufijtë; 99 shtete nuk bënë përjashtime as për kë kërkon mbrojtje. Të dhënat e OKB-së  konfirmojnë se duhet bërë pa tjetër një ndryshim, i parë nga këndvështrimi i politikave …

“Natyrisht duhet bërë një hop humanizmi, që e vë në qendër mbrojtjen e çdo njeriu. E duhet edhe solidaritet, me shtrirje gjithnjë e më të gjerë, nga Italia - në mbarë Evropën. E nga Evropa - deri në skajet më të humbura të botës, ku shpesh, në vend që të krijohen korridore humanitare mikpritjeje,  krijohen mure, duke menduar se pikërisht muret janë të domodoshme për sigurinë tonë. Ndërsa sigurinë mund ta krijojmë vetëm duke e mikpritur tjetrin, sepse vetëm mikpritja mund të lindë një botë tjetër, botë të ëndërruar nga të gjithë, ku njeriu nuk ndjehet vetëm i sigurt, por edhe i dashur, domethënë, i lum”.

21 qershor 2021, 14:57