Kërko

Vatican News

Papa: tronditje e thellë pas zbulimit në Kanada. Jo, kolonizimeve ideologjike!

Françesku, në përshëndetjet pas lutjes së Engjëllit, kujtoi se në Kanada u zbuluan trupat e më se 200 fëmijëve indigjenë, pranë një shkolle katolike, duke ftuar të sqarohet ngjarja, që duhet të ketë ndodhur ndërmjet fundit të vitit 1800 e fillimit të 1900-tës.

R. SH. - Vatikan

Një lutje në heshtje, për 215 fëmijët e vdekur në Kanada, në një shkollë rezidenciale katolike për indianët, në British Columbia. Këtë kërkoi Françesku, pas lutjes së Engjëllit, kur kujtoi gjetjen tronditëse të skeleteve të 215 fëmijëve, nxënës të “Kamloops Indian Residential School” rreth dy javë më parë. Lajmi, tronditës siç e quajti Papa, e tmerroi gjithë popullin kanadez, të cilit, ashtu si mbarë Kishës katolike, Françesku i shpreh  afërsinë, duke ia besuar Zotit shpirtrat e këtyre fëmijëve të vdekur e duke u lutur për familjet dhe bashkësitë autoktone  kanadeze, të tronditura thellë nga dhimbja:

“Zulimi i trishtuar e thellon këto kohët e fundit vetëdijen për dhimbjet dhe vuajtjet e së kaluarës. Autoritetet politike dhe fetare të Kanadasë të vijojnë vendosmërisht bashkëpunimin për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të trishtuar dhe të angazhohen përvujtërisht në udhën  e pajtimit e të shërimit të kësaj plage. Këto çaste të vështira përbëjnë një thirrje të fuqishme për të gjithë, që të largohen nga modeli i kolonizimeve ideologjike të sotme e të ecin krah për krah e me respekt reciprok, duke ua njohur të drejtat dhe vlerat kulturore të gjithë bijave e bijve të Kanadasë”.

Ndryshim, i paguar me jetë!  

Gropa e përbashkët u zbulua fare pranë shkollës, që bënte pjesë në një rrjet  të krijuar nga qeveria e të drejtuar nga Kisha katolike.Kamloops Indian Residential School” ishte e haur deri nga fundi i viteve ‘800, për t’u mbyllur përfundimisht më 1978. Ndiqej nga 150 mijë fëmijë indianë, të ndarë nga prindërit e të transferuar në këto shkolla, pikërisht për t’i asimiluar vendasit. Fëmijët, të cilët e kishin të ndaluar të flisnin gjuhën e  tyre, shpesh herë keqtrajtoheshin e shpërdoroheshin e shumë e paguan edhe me jetë ndryshimin e tyre prej fëmijëve të bardhë.

Dhimbja e ipeshkvijve kanadezë

Në një deklaratë, me datën 31 maj 2021, ipeshkvijtë kanadezë shprehin “dhimbjen e thellë”, duke ripohuar angazhimin e tyre për bashkësitë vendase. Kjo ngjarje e tmerrshme, i shtohet një faqeje tjetër të historisë së vendit. Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin në Kanada botoi, kohët e fundit, një raport mbi shkollat rezidenciale. Dokumenti, me 4.000 faqe, përshkruan me hollësi abuzimet mbi fëmijët vendas në këto institucione ku më se 3.200 fëmijë vdiqën nga pakujdesitë. Kërkimet, të inkurajuara edhe nga Papa,  do të vijojnë me dëshirën e plotë të qeverisë për identifikimin dhe ruajtjen e eshtrave të fëmijëve.

06 qershor 2021, 14:30