Kërko

Projekti Policoro i Konferencës Ipeshkvnore Italiane Projekti Policoro i Konferencës Ipeshkvnore Italiane 

Papa të rinjve: kujdes për punën dhe ëndërra të përbashkëta për rifillimin

Sot Papa u takua, në Vatikan, me njëqind të rinj të ndërmarrjeve dhe kooperativave të Projektit Policoro të Konferencës Ipeshkvnore Italiane(CEI), që kremton 25 vjet jete. Të rinjtë shoqëroheshin nga 20 të rritur të ekipit kombëtar e nga kardinali Bassetti. Papa u foli për udhën që duhet të ndjekin për të qenë gjithnjë “shenjë shprese” kundër papunësisë së breznive të reja në Itali, vend gjithnjë më i plakur, me mesatare moshe 47 vjeçare

R. SH. - Vatikan

Ungjillëzimi kalon edhe përmes kujdesit për punën” e për rinisjen. Pas krizës së shkaktuar nga pandemia e Covid-19 duhet guximi “për të ëndërruar së bashku”, siç po bëjnë prej 25 vjetësh të rinjtë e të rriturit e projektit Policoro të Kishës Italiane. Papa Françesku priti në Sallën Klementine njëqind të rinj e 20 të rritur të ekipit kombëtar të projektit, promovuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane, përfaqësuar nga kryetari, kardinali Gualtiero Bassetti, i cili përshkoi udhën e bërë e edhe atë, që pritet, për të vijuar të jenë shenjë shprese, në një botë të re.

Papa përdori katër folje, për t’i nxitur  të rinjtë pikërisht në ecjen e tyre drejt botës që ëndërrojnë: të gjallërojnë, të banojnë, të pasionohen, të shoqërojnë. Kjo do të thotë t’i japin shpirt ekonomisë, gjë që është edhe angazhimi i të rinjve. Papa i ftoi edhe t’i aktivizojnë famullitë e dioqezat në temën e punës, foli me entuziazëm për  modelin e ri të ekonomisë së krijuar prej tyre, që nuk ankohen se mungon puna, por që synojnë  të krijojnë punë për të gjithë:

“Ju të rinj, nuk ju mungon fryma krijuese; ju inkurajoj të punoni për një model ekonomie të ndryshme, nga ky konsumistik, që prodhon hedhurina. Ndarja e përbashkët, vëllazërimi, dhurimi falas, mbështetja e njëri-tjetrit,  janë shtyllat mbi të cilat duhet themeluar një ekonomi e re, ndryshe. Është ëndërr, që kërkon guxim, me vetëdijen se janë guximtar pikërisht ata, që  ia ndërrojnë faqen botës, duke e bërë më të mirë. Nuk është vullnetarizëm; është fe, sepse e reja e vërtetë vjen gjithnjë nga duart e Zotit”.

Papa vijoi t’i ftojë të rinjtë të banojnë në botë, pa e rrënuar; në paqe me Zotin, me vëllezërit, me krijesat e me vetveten. E i nxiti për një projekt që po hedh hapat e para në Puglia, Kalabri e Bazilikatë: “T’i duan trojet, në të cilat i vuri Zoti, duke e shmangur tundimin për të shkuar gjetiu. Me bindjen  se periferitë mund të bëhen laboratore vëllazërimi!”.

05 qershor 2021, 15:08