Kërko

Vatican News

Papa, të moshuarve: Zoti dërgon engjëj për të na ngushëlluar në vetmi

Në mesazhin për Ditën e parë Botërore të Gjyshërve dhe të Moshuarve, e cila kremtohet më 25 korrik, Papa Françesku thekson se thirrja e tyre është “ruajtja e rrënjëve, transmetimi i fesë të rinjve dhe kujdesi për të vegjlit”

R.SH. - Vatikan

Do të doja që “çdo gjysh, çdo i moshuar, çdo gjyshe, çdo grua e moshuar – sidomos më të vetmuarit – të vizitohen nga një engjëll!”, ashtu siç i ndodhi Shën Joakimit, gjyshit të Jezusit, i cili u mënjanua nga bashkësia, sepse nuk kishte fëmijë. “Edhe kur gjithçka duket e errët, si në këto muaj pandemie, Zoti vazhdon të dërgojë engjëj për të na ngushëlluar në vetminë tonë dhe për të na përsëritur: ‘Unë jam me ju çdo ditë’”. Si një i moshuar, ashtu si gjithë gjyshërit e gjyshet e botës, Papa Françesku u drejtohet bashkëmoshatarëve të vet me një mesazh e me një videomesazh për Ditën e parë Botërore kushtuar atyre, e cila do të kremtohet më 25 korrik, pikërisht me temën “Unë jam me ju çdo ditë”.

Engjëlli ngushëllues i “Ëndrrës së Joakimit”

         Ashtu siç tregohet në Protoungjillin e Jakobit dhe siç përshkruhet në “Ëndrrën e Joakimit”, afresk i Giotto-s në Kapelën Scrovegni në Padova (zgjedhur si logo e Ditës), Françesku lutet që Zoti të dërgojë një engjëll për të ngushëlluar të moshuarit, - siç bëri me gjyshin e Jezusit, bashkëshortin e Anës – e për t’u thënë se “Zoti i përgjigjet lutjes këmbëngulëse”. Engjëj, që nganjëherë, kanë “fytyrën e nipërve dhe të mbesave, herë të tjera, të anëtarëve të familjes, të miqve të vjetër, ose të atyre, që kemi takuar pikërisht në këtë çast të vështirë”.

Pandemia, sprovë që goditi rëndë të moshuarit

         Papa u kujton gjyshërve dhe të moshuarve se kanë pranë gjithë Kishën, e cila kujdeset për ta, i do dhe nuk i lë vetëm. Flet për pandeminë si për “sprovën e rëndë, që ka prekur jetën e të gjithëve, por që ne të moshuarve na ka rezervuar një trajtim të veçantë”, më të ashpër. Shumë u sëmurën e tani nuk janë më, shpreh dhimbjen e tij Ati i Shenjtë:

“Shumë ikën e shkuan, ose panë si u shua jeta e bashkëshortëve të tyre apo e të afërmve, tepër njerëz u detyruan të rrinë në vetmi për një kohë shumë të gjatë, krejt të izoluar”.

Lutja e shkruar nga Papa për Ditën

         Tani, kemi nevojë për engjëj, që t’u çojnë sërish të moshuarve “përqafime dhe vizita”, nënvizon Papa, i cili trishtohet për faktin se “në disa vende, kjo ende s’është e mundur!” Sidoqoftë, Papa fton të falënderojmë Zotin, në një lutje, shkruar me dorën e vet pikërisht për këtë Ditë të parë Botërore, të shpallur në Engjëllin e Tënzot të 31 janarit. Françesku nxit ta shohim besnikërinë e Zotit treguar nga Ungjijtë, lutur në psalme, takuar nga profetët. Një Zot, që na dërgon lajmëtarë dhe thërret punëtorë në vreshtin e tij “në çdo orë të ditës”, siç bëri me mua, kujton Ati i Shenjtë, i cili “u thirr për t’u bërë Ipeshkëv i Romës kur kishte arritur, si të thuash, moshën e pensionit”. “Nuk e imagjinoja se mund të bëja gjëra të reja”, nënvizon Papa, por “Zoti është i përjetshëm dhe nuk del kurrë në pension, kurrë”.

T’u transmetohet feja të rinjve

         Papa Françesku paraqet temën e dytë të mesazhit të tij, pas asaj të engjëllit ngushëllues. Thirrja e gjyshërve dhe e të moshuarve, nënvizon ai, është “ruajtja e rrënjëve, transmetimi i fesë të rinjve dhe kujdesi për të vegjlit”. E thekson:

         “Nuk ka moshë për të dalë në pension e për t’u tërhequr nga detyra e kumtimit të Ungjillit, nga detyra e transmetimit të traditës tek nipërit dhe mbesat”.

         Dyshimeve të atyre, që mendojnë se nuk kanë më forca për këtë, ose nuk kanë më kohë, ose kanë tepër probleme në familje, Ati i Shenjtë u përgjigjet, duke i këshilluar t’ia hapin zemrën Shpirti Shenjt e ta lejojnë atë të bëjë “ç’të dojë” me jetën e tyre. Sepse të moshuarit janë të domosdoshëm për të ndërtuar botën e nesërme, sidomos pas pandemisë, përsërit Papa një mendim, që e ka shprehur edhe në enciklikën “Fratelli tutti”.

Tri shtyllat: ëndrra, kujtesa dhe lutja

         E, kjo botë e re duhet mbështetur në tri shtylla, që të moshuarit mund të ndihmojnë për t’i ngritur shumë më mirë se të tjerët: “ëndrra, kujtesa dhe lutja”. Zoti, pohoi Papa i premtoi Joelit profet: “Pleqtë tuaj do të kenë ëndrra, të rinjtë do të kenë vizione”, prandaj, “kush më mirë se të rinjtë mund t’i marrë ëndrrat e të moshuarve dhe t’i çojë përpara?” Për këtë arsye, të moshuarit duhet të vazhdojnë të kenë “ëndrra për drejtësi, paqe, solidaritet”, të dëshmojnë se është e mundur të dalim më të mirë nga sprova e pandemisë. Kujtesa, vijon Papa, edhe ajo e dhimbshme e luftrave dhe e migracionit, mund të ndihmojë në ndërtimin e një bote më njerëzore, më mikpritëse:

         Por, pa kujtesën nuk mund të ndërtohet; pa themelet nuk ngrihet shtëpia. Kurrë. E themelet e jetës janë kujtesa”.

         Për shtyllën e tretë, lutjen, Ati i Shenjtë kujton paraardhësin e vet, Papën Benedikti XVI, “i moshuar me jetë shenjte, që vijon të lutet e të punojë për Kishën”. “Lutja e të moshuarve – pati thënë në vitin 2012 – mund ta mbrojë botën, duke e ndihmuar shumë më tepër se shqetësimi i shumë vetëve për të”.

Zëri i Zotit: “Unë jam me ty çdo ditë”

         Së fundi, Papa Françesku merr si shembull të lumin Charles de Foucauld, që do të shpallet shenjt së shpejti. Eremit në Algjeri, megjithë vetminë e shkretëtirës, tregoi se është e mundur “të ndërmjetësosh për të varfërit e gjithë botës dhe të bëhesh vërtet vëlla dhe motër universale”. “Secili prej nesh – lutet Ati i Shenjtë – të mësojë t’u përsërisë të gjithëve, veçanërisht më të rinjve, ato fjalë ngushëllimi, që sot, na drejtohen neve: ‘Unë jam me ju çdo ditë’”.

22 qershor 2021, 11:47