Kërko

Vatican News

Papa: shaka me Bernal: “Sa kafe pi para garës?”

Gazmore me Papën, që i do shumë gazin e gaztorët. Njerëzit e zymtë për të nuk e kanë kuptuar mirë Ungjillin. Ungjilli është burim gëzimi. Ilaç për ditë të trishtuara. Prandaj i pëlqen të qeshë, të dëgjojë e të tregojë anekdota. Ja një një prej tyre, krejt e freskët.

R.SH. - Vatikan

“Sa kafe pi para se të hipësh në biçikletë?”. Me këto fjalë iu drejtua Papa  Françesku, me shaka, Egan Bernal, fitues i Xhiros së Italisë. Kampioni i Ineos-Grenadiers ishte i pranishëm në çastin kur besimtarët i puthin dorën Atit të Shenjtë, në përfundim të audiencës. Donte ta takonte me çdo kusht. Në dorë kishte fanellën e kuqe të kampionit e edhe biçikletën, dhuratë për Papën aq të dashur nga të gjithë kolumbianët. E aq sportdashës. Ishte shkëmbim dhuratash: Papa mori biçikletën e kampionit; kampioni, bekimin, aq të ëndërruar - kështu u shpreh çiklisti buzagaz, kur e pyetën gazetarët. E pastaj shtopi ngutshëm, si të kishte harruar një gjë të rëndësishme: “Papa nuk më bekoi vetëm mua, por edhe të fejuarën time”. E fejuara - kujtojmë - quhet Maria Fernanda Motas e vlen më shumë se biçikleta.

Egan Bernal nënvizoi se edhe gjatë garave çiklistike, kur ndjehet i lodhur,  ia beson veten Zotit: “Jam katolik - pohoi -  E para etapave më të vështira, ndalem një çast e lutem”. Përsa i përket dopingut, kampioni kolumbian  saktësoi se çiklizmi sot është krejt i ndryshëm nga ai i mëparshmi. Në këtë çast është një nga sportet më të kontrolluara e, për mua, më të pastra” – kujtoi.

Po kafet? Ç’përgjigje dha për kafet? U skuq e nuk dha asnjë përgjigje, jo për tjetër, por se pyetja e dalë nga goja e Papës i erdhi krejt papritmas! Pak rëndësi ka! Bekimin e mori e tani ka kohë edhe për të qeshur, kur ta kujtojë takimin me Papën, që nuk i pëlqejnë njerëzit “me fytyra të mbërrudhura, si speca turshi”. E që nuk e dinë se e qeshura të zgjat jetën!

16 qershor 2021, 15:13