Kërko

Vatican News

Papa, seminaristëve: meshtarë, për t’i shërbyer Popullit të Zotit

Papa Françesku priti sot, 10 qershor, në audiencë në Vatikan, seminaristët e ardhur nga Ankona e Italisë. Edukatorëve të tyre u kërkoi të sillen ashtu siç pati bërë Shën Jozefi me Jezusin, ndërsa kandidatëve për meshtarë, t’i shërbejnë Popullit të Zotit e të kujdesen për plagët e të gjithëve, sidomos të më të varfërve

R.SH. - Vatikan

U përqendrua në shembullin e Shën Jozefit e në kujdesin e tij për Jezu Krishtin, fjala e Papës Françesku për seminaristët e Ankonës, që i priti sot në Vatikan, së bashku me rektorin e me profesorët e tyre. Seminari Papnor Rajonal Markixhan “Piu XI”, që mbledh të rinj nga Marke, në Itali, kremtoi më 7 mars të këtij viti 20-vjetorin e kapelës së Shndërrimit të Zotit, në 112-vjetorin e themelimit, që bie pikërisht nesër, më 11 qershor.

Edukatorët të jenë shembull për seminaristët

 “Meshtari – u tha Papa seminaristëve dhe edukatorëve të tyre – është dishepull, që ecën gjithnjë në gjurmët e Mësuesit, prandaj, formimi i tij është një proces në zhvillim e sipër, filluar në familje, vazhduar në famulli, konsoliduar në seminar e gjatë gjithë jetës”. Për këtë arsye, Ati i Shenjtë u kërkoi edukatorëve të të rinjve, që kujdesen për thirrjen e tyre në meshtari, të jenë për seminaristët gjithçka ka qenë shën Jozefi për Jezu Krishtin, formuar në shkollën e “guximit krijues” të fatit të Shën Marisë.

“Ta mësojnë butësinë nga bindja juaj; zellin, nga përkushtimi juaj; bujarinë ndaj të varfërve, nga dëshmia e thjeshtësisë dhe e gatishmërisë suaj; atësinë, falë dashurisë suaj të gjallë dhe të dlirë. Krahas emërtimit ‘atë’, tradita i ka dhënë Jozefit edhe emrin ‘tejet i dlirë’. Nuk ka të bëjë thjesht me dashurinë, por është sintezë e një qëndrimi, që shpreh të kundërtën e zotërimit”.

Celibati, apo ‘heqja dorë vullnetarisht’, sugjeroi Ati i Shenjtë, është liri nga zotërimi, në të gjitha fushat e jetës. Vetëm kur dashuria është e dlirë, është vërtet dashuri, përndryshe, kur dëshiron ta zotërojë diçka, ose dikë, bëhet e rrezikshme, mbytëse e nuk sjell lumturi.

Shembulli për seminaristët, Jezusi i ri

 Duke iu drejtuar seminaristëve, Papa Françesku u dha si shembull Jezusin e ri, që e lejoi shën Jozefin ta udhëhiqte në jetë, duke mësuar prej tij e duke marrë gradualisht përsipër përgjegjësitë, që i takonin. Ndoshta, pohoi Ati i Shenjtë, nuk kemi reflektuar mjaft mbi Jezusin e ri, të impenjuar në reflektimin mbi misionin e tij, në dialog me Shën Jozefin e Shën Marinë. Seminari të jetë për ju si shtëpia e Nazaretit, u kërkoi Franbçesku seminaristëve.

“Mos u kënaqni me aftësinë në përdorimin e rrjeteve shoqërore e të mediave për të komunikuar. Vetëm të shndërruar nga Fjala e Zotit do të jeni në gjendje të komunikoni fjalë jete. Bota është e etur për meshtarë, në gjendje t’ia komunikojnë mirësinë e Zotit atyre, që kanë përjetuar mëkatin dhe dështimin; e etur për priftërinj ekspertë në humanitet; për barinj të gatshëm të ndajnë gëzimin dhe lodhjen e vëllezërve; për njerëz, që preken në shpirt nga britma e të vuajturve”.

Jo vetëm rrjete shoqërore e smartphone

Papa i këshilloi seminaristët ta mësojnë humanitetin e Jezu Krishtit nga Ungjilli e nga Tabernakulli, nga jetët e shenjtorëve, nga gjyshërit e prindërit, që u kanë transmetuar fenë, por edhe nga shkrimtarët, që kanë rrëmuar thellë në shpirtin njerëzor, si Dostojevski, i cili në mjerimin tokësor diti të vërë në pah bukurinë e dashurisë, që shpëton. Seminari të mos ju largojë nga realiteti, vijoi Ati i Shenjtë, duke i nxitur të rinjtë të apasionohen me gjithçka, që “afron”, “hap” dhe “takon”, pa ndjekur përvoja, që çojnë drejt shterpësisë shpirtërore, pavarësisht se duket sikur ngushëllojnë.

Katër përmasat e formimit: njerëzore, shpirtërore, intelektuale dhe baritore

Papa Françesku u përqendrua më pas, në katër përmasat e formimit në seminar: njerëzore, shpirtërore, intelektuale dhe baritore. I këshilloi seminaristët të mos distancohen nga humaniteti i tyre e të mos e lënë jashtë seminarit botën e tyre shpirtërore, duke lidhur marrëdhënie të pastra, të gëzueshme e çliruese me njëri-tjetrin e me edukatorët. I paralajmëroi për rrezikun që lutja të kthehet në ritualizëm, duke u kërkuar ta konsiderojnë atë takim personal me Zotin, për t’u pasuruar pastaj, me fytyrat e njerëzve, që takojnë përditë. “Ndihuni që tani, ndërmjetësues për botën”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Përsa i përket studimit, u shpjegoi se ai shërben për të hyrë pa frikë në botën e mendimit bashkëkohor, pasi aty duhet mishëruar dija e Ungjillit. Ndërsa formimi baritor, u theksoi Papa seminaristëve markixhanë, t’ju nxisë të shkoni me entuziazën drejt njerëzve. “Jeni meshtarë për t’i shërbyer Popullit të Zotit, për t’u kujdesur për plagët e të gjithëve, sidomos të më të varfërve”, përfundoi Ati i Shenjtë.

10 qershor 2021, 12:00