Kërko

Vatican News

Papa: Secili prej nesh ka etje për dashuri, gëzim, për një botë më njerëzore

"Ne të gjithë ecim në jetë me një shtambë në dorë: kemi etje për dashuri, për gëzim, për një jetë të suksesshme në një botë më njerëzore. Dhe për këtë etje, uji i gjërave të kësaj bote është i padobishëm, sepse është fjala pёr një etje më e thellë, të cilën vetëm Zoti mund ta shuajё". Kёshtu pohoi mes tjerash Papa Françesku në festën e Corpus Domini - Korpit e Gjakut tё Krishtit, nga Bazilika e Shën Pjetrit nё Vatikan.

R.SH. - Vatikan

"Ne të gjithë ecim në jetë me një shtambë në dorë: kemi etje për dashuri, për gëzim, për një jetë të suksesshme në një botë më njerëzore. Dhe për këtë etje, uji i gjërave të kësaj bote është i padobishëm, sepse është fjala pёr një etje më e thellë, të cilën vetëm Zoti mund ta shuajё". Kёshtu pohoi mes tjerash Papa Françesku në homelinë e tij, gjatё Meshёs solemne kremtuar rastin e festës sё Corpus Domini  - Korpit e Gjakut tё Krishtit, nga Bazilika e Shën Pjetrit nё Vatikan.

Fjalët e para të homelisë, tingëlluan si ftesë për të marrë pjesë në darkën e Pashkëve, duke na kujtuar sesi Jezu Krishti i dërgoi dishepujt të përgatisin vendin, ku do të kremtohej. Në të vërtetë - kujtoi Papa Françesku - ishin ata që e pyetën: “Mësues, ku dëshiron të shkojmë e të përgatisim vendin, ku ti mund të hash Darkën e Pashkëve? E ndërsa e kundrojmë  dhe e adhurojmë praninë e Zotit në Bukën Eukaristike, jemi të thirrur edhe ne të pyesim – tha Papa në vijim të homelisë: “Në çfarë vendi duam t’i përgatisim Pashkët e Zotit? Cilat janë “vendet” e jetës sonë, ku Zoti dëshiron të ftohet?”. Kësaj pyetjeje Papa iu përgjigj gjatë gjithë homelisë, duke u ndaluar tek tri figura të Ungjillit, që sapo e dëgjuam.

Broka e ujit

Figura e parë është ajo e njeriut që sjell brokë me ujë. Duket diçka fare e parëndësishme. Po ajo është shenjë, që të bën të kujtosh njerëzimin e etshëm, gjithnjë në kërkim të burimit të ujit, që ta kënaqë e ta gjallërojë. Ne të gjithë ecim nëpër jetë me një brokë në dorë; kemi etje për dashuri, për gëzim, për një jetë të jetuar në një botë më njerëzore - kujtoi Papa.

Eukaristia, etje për Zotin

Ndjekim më pas - vijoi - një shenjë simbolike: Jezusi u thotë të tijve të shkojnë pas një burri me kanë uji në dorë. Atje  ku do t’u prijë ai, do t’i kremtojë Pashkët.  E këtu - kujtoi Papa në homelinë e Meshës të Korpit e Gjakut të Krishtit - jemi përballë një simboli: për ta kremtuar Eukaristinë, duhet mbi të gjitha të kesh etje për Zotin, ta ndjesh nevojën e Tij, ta dish se pa të nuk mund të jetojmë. E vetëm ku është një burrë a një grua me brokë uji - të mendojmë Samaritanen - Zoti mund të na dëftohet si ai që sjell jetën e re, që i jep kuptim e drejtim shtegtimit tonë tokësor.  

Simboli i Sallës së madhe në katin e  sipërm

Figura e dytë është salla e madhe në katin e sipërm. Një sallë e madhe, për një copëz buke. Zoti bëhet i vogël, si një copë buke - vijoi Papa - e pikërisht për këtë duhet një zemër e madhe, që të mund ta njohësh. Zoti kërkon një zemër të përgatitur, ku ta adhurosh, ta mikpresësh. Nëse zemra jonë i ngjet një papafingoje ku ruajmë rraqe të vjetra a një dhome të vogël, e të errët, sepse në të jetojmë vetëm ne, me problemet tona, do të jetë e pamundur ta ndjesh praninë e Zotit. Duhet, prandaj ta zgjerojmë zemrën!

Jezusi që thyen Bukën

Së fundi Papa kujtoi figurën kryesore, atë të Jezusit, që thyen Bukën: është gjesti eukaristik, vendi ku takojmë Zotin që ofrohet për të na bërë të rilindim për një jetë të re. 

“Për ta kremtuar e për ta jetuar Eukaristinë, jemi të thirrur së pari ta jetojmë dashurinë e Tij. Sepse nuk mund ta thyesh bukën e së dielës, nëse e ke zemrën të mbyllur për vëllezërit. Nuk mund ta hash këtë bukë, nëse nuk e ndan me të varfërit”.

 Në fund të fundit edhe nga liturgjitë tona solemne eukaristike – kujtoi në përfundim të homelisë Papa - do të mbetet vetëm dashuria. E që tani Eukaristitë tona do ta shndërrojnë botën në atë masë, që shndërrohemi ne vetë,  duke u bërë bukë e thyer për të tjerët:

“E atëhere Zoti do të vijë e do të na çudisë përsëri, do të bëhet prap ushqim për jetën e botës. E do të na e shuajë urinë dhe etjen deri në ditën kur, në gostinë e qiellit, do të kundrojmë fytyrën e Tij e do të shijojmë gëzimin e pambaruar!”.

06 qershor 2021, 18:45