Kërko

Vatican News

Papa pret presidentin e Austrisë, që dhuron 20 dhi për Burundin

Ati i Shenjtë takoi sot në Vatikan, presidentin e Austrisë, Alexander Van der Bellen, me të cilin pati një bisedë prej 25 minutash. Në kuadrin e një projekti të Karitasit Austriak, i dhuroi Papës Françesku 20 dhi për Burundin

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku priti sot paradite në Pallatin Apostolik të Vatikanit, presidentin e Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe nga delegacioni shtetëror. Biseda private, në Sallën e Bibliotekës, zgjati 25 minuta.

 Eksponent i Partisë së të Gjelbërve, në krye të shtetit që nga janari 2017, Van der Bellen e ka takuar Papën edhe në vitin e parë të presidencës. Në fund të 2020-ës, e pati falënderuar publikisht për “fjalët e qarta mbi pandeminë e mbi krizën ambientale”, në një letër, që i dërgoi Atit të Shenjtë për urimet e Krishtlindjes.

Gjatë audiencës së sotme, siç njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, u fol për çështje gjeopolitike evropiane dhe ndërkombëtare, pa harruar të vihet në dukje roli i Kishës në promovimin e solidaritetit për të favorizuar paqen, vëllazërimin universal dhe kujdesin për gjithësinë.    

E veçantë, dhurata që i bëri Papës presidenti austriak. Në kuadrin e një projekti të Karitasit, Van der Bellen i dhuroi Atit të Shenjtë 20 dhi të destinuara për familjet e Burundit. Gjithashtu, i dha edhe një pikturë të realizuar nga një artist me probleme fizike, së bashku me katalogun e veprave të tij.

Papa Françesku i dhuroi një mozaik, ku pasqyrohet Noe me nënshkrimin: “Me Noenë, Zoti hap një rrugë shpëtimi, për krijimin e për çdo njeri”. E pastaj, i dha edhe vëllimet e dokumenteve papnore, dokumentin e Vëllazërimit Njerëzor dhe Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2021, firmosur enkas para presidentit nga Ati i Shenjtë.

07 qershor 2021, 12:25