Kërko

Vatican News
Papa Françesku lutet për paqen Papa Françesku lutet për paqen 

Françesku: paqja shkelet, shkaktarët e luftërave do të përgjigjen para Zotit

Tekst i pabotuar i Papës për librin “Paqe mbi tokë. Mund të vëllazërohemi”, disa fragmente të të cilit u botuan nga gazeta italiane “La Repubblica”. Vëllimi, i kolanës Lev “Shkëmbim dhuratash”, përmbledh fjalë e fjalime të Papës kushtuar paqes e vëllazërimit. Parathënia është e Patrikut kopto-ortodoks Tawadros II. Më 28 qershor do të jetë në librari.

R. SH. - Vatikan

Gabimet e nëntëqindës, dy luftërat botërore, Shoah, genocidet, terrorizmi, masakrat, propagandimi i urrejtjes… !”. Të duket se nuk patëm kurrfarë përfitimi prej tyre, kur shikojmë se paqja vijon të shkelet nën thembër. E se edhe sot e kësaj dite vijon të rivlerësohet lufta: një mënxyrë, për të cilën krerët politikë do të përgjigjen para Zotit e para popujve. E thellë, brenga e Françeskut, që ndjehet fort në këtë tekst të pabotuar përfshirë në vëllimin me titull “Paqe mbi tokë” (që të kujton enciklikën e Gjonit XXIII) me nëntitull “Mund të vëllazërohemi”.

Kolana ekumenike e LEV

Libri është pjesë e kolanës ekumenike të Shtëpisë Botuese të Vatikanit, titulluar “Shkëmbim dhuratash”, që synon të vërë në dukje lidhjet ndërmjet të krishterëve të konfesioneve të ndryshme. Vëllimet paraprihen nga kontributi i një përfaqësuesi të Kishave e bashkësive të ndara, me të cilat ecet drejt bashkimit. Këtë herë parathënia e librit, nga i cili gazeta italiane “La Repubblica” botoi disa fragmente, nënshkruhet nga Papa Tawadros II, Patriark i Kishës Kopte Ortodokse të Aleksandrisë së Egjiptit. Që nesër, 28 qershor, libri do të jetë në librari.

Rrezikohemi ta harrojmë mësimin e historisë

Në tekstin, shumë të pasur me citime, për shembull nga rabini Jonathan Sacks a Luigi Sturzo, Papa Françesku e shtjellon reflektimin e tij duke u nisur nga realiteti i sotëm, në të cilin jetojnë miliona qenie njerëzore, që e dëshirojnë me gjithë shpirt paqen, ndërsa vijojnë të kërcënohen nga luftërat e të detyrohen të braktisin shtëpitë e sulmuara nga dhuna. Kjo dëshirë legjitime cënohet shpesh e padrejtësisht - vëren Papa - për të nënvizuara, në vijim, se me zhdukjen e breznisë, që e jetoi Luftën II Botërore, njerëzimi rrezikohet ta shlyejë fare nga kujtesa mësimin që i dha kjo kasaphanë:

“Harresa e dhimbjeve të luftërave, ia zë frymën dëshirës për paqen e i hap rrugën përsëritjes së gabimeve të së kaluarës”.

Sot po rivlerësohet lufta

Françesku pohon se “sot po rivlerësohet rrezikshëm lufta”: zgjidhet tepër lehtë rruga e saj, duke përdorur gjithfarë arsyesh, në dukje humanitare, mbrojtëse a parandaluese, edhe duke manipuluar informimin. Lindin, atëhere, një mori pyetjesh:

“A jemi të vetëdijshëm për vuajtjen e njerëzimit në luftë? E të ndërgjegjshëm për rreziqet që i kërcënohen? A kërkojmë në ndonjë farë mënyre t’i shuajmë zjarret e luftërave e t’i parandalojmë? Apo bëjmë çmos të mbrojmë vetëm interesat tona? Ose na mjafton që lufta të mos na prekë nga afër!”.

Janë pyteje, që duhet t’i sticojnë krerët e politikës, “të cilët do të përgjigjen para Zotit e para popujve, për vijimin e luftërave”.

Refugjatët, ambasadorë të padëgjuar, në kërkim të paqes

Françesku kujton rishtas “luftën e luftuar pak nga pak, me krime, masakra, rrënime”, e u bën thirrje ndërgjegjeve të secilit:

“Nuk mund të jetojmë qetë-qetë me luftërat në vijim, si të ishin fatalitete. Për fat të keq kjo ndodh posaçërisht në vendet e paprekura nga ndeshjet, por vetëm nga ndonjë nga pasojat e tyre, si arritja e refugjatëve”

E pikërisht ata - vë në dukje Papa - janë ‘dëshmitarë të luftës e ambasadorë të dhimbshëm të kërkesës së padëgjuar për paqen, që të bëjnë ta prekësh me dorë sa çnjerëzore është lufta:

“Ta dëgjojmë mësimin e tyre të dhimbshëm të jetës! T’i mirëpresësh refugjatët, është edhe mënyrë për t’i kufizuar vuajtjet e luftës e për të punuar për paqen”.

Jo, indiferencës; jo, tregtisë së armëve!

Papa fton për të mos shkarë në indiferencë, por për të punuar për paqen pa u lodhur kurrë. Edhe nëse nuk mund të veprosh drejtpërdrejt mbi konfliktet, opionet publike vigjilente mund të ndihmojnë shumë - siguron Papa - Mund ta angazhojnë vendin ku jeton e të ushtrojnë presion mbi bashkësinë ndërkombëtare:

“Indiferenca është bashkëpunëtore e luftës. E gjaku i derdhur qoftë edhe nga një njeri i vetëm, është i tepërt”.

Si mund të jesh i krishterë duke fabrikuar armë?

Papa padit, më pas, mafiet dhe kriminalitetin, që nxisin luftëra të vërteta, duke e rrënuar paqen, vetëm për të përmbushur interesat e tyre. Prej këndej, bën thirrje për të mos iu përgjigjur dhunës me dhunë. “Fute shpatën në mill!” - kujton, duke cituar fjalët e Krishtit në Kopshtin e Ullinjve:

“Jeta  dhe e mira nuk mbrohen ‘me shpatë’. Është fjalë drejtuar atyre, që besojnë në dhunën, që e nxisin a e përligjin. Duke harruar se kush me dhunë e nis, do ta mbarojë ca më keq me dhunë! E konfliktet, si të jenë hapur - gjë që e shikojmë në ditët tona - transmetohen nganjëherë nga breznia në brezni”.

“Mjaft!” - u thoshte Jezusi dishepujve! “Mjaft më!” - përsërit Papa:

“Mjaft me shpata, me armë, me dhunë, me luftë!”. E si mund të jesh i krishterë me shpatë në dorë? Si mund të jesh, duke fabrikuar “shpata” për të vrarë të tjerët? E sot, duke prodhuar armë të sofistikuara vrasëse? I duhet dhënë fund shitjes së armëve: për këtë nuk mund të ketë asnjë lloj shfajsimi! As atë të humbjes së punës!”.

Fryma e Asizit

Françeskun e ngushëllon mendimi se “në të gjitha kulturat e fetë, është mbjellur një farë paqeje,  gjë që e dëshmoi takimi i thirrur nga Gjon Pali II në Asizi, më 1986:

“Bota ka ndryshuar shumë që nga 1986-ta. Por kemi nevojë, si dje, e më shumë se dje, për bashkëpunimin dhe lutjen e feve, edhe për ta nxjerrë dhunën jashtë ligji, në emër të Zotit”.

Endrra për një botë pa luftëra

Thirrja e fundit, që i drejton, nga ky tekst, Papa njerëzimit, është të mos dorëzohet para luftës e të mos e shikojë kurrë “si shoqe të përditshme udhe”, me fëmijë, që rriten nën hijen e vdekjes, shkaktuar nga konfliktet. Lufta - pohon në përfundim - mund e duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë, ashtu si mori fund skllavëria:

“Nuk duhet hequr dorë nga ëndrra për një botë pa luftëra. E shijofshin mbarë popujt e tokës gëzimin e paqes”.

Kështu përfundon teksti i pabotuar i Papës për librin “Paqe mbi tokë. Mund të vëllazërohemi”, nesër, në librari.

27 qershor 2021, 11:35