Kërko

Vatican News

Papa nuk e pranon dorëheqjen e kard. Marx, “vazhdo misionin si ipeshkëv i Mynihut"

Papa Françesku nuk e pranoi dorëheqjen e kardinalit të Mynihut, Reinhard Marx, paraqitur me një letër më 21 majin e kaluar. Kardinali Marx pati paraqitur dorëheqjen nga udhëheqja e kryedioqezёs sё Myhinut-Frajsingut, pёr shkak të krizës për çështjen e abuzimeve seksuale.

R.SH. - Vatikan

Letrёs sё kardinalit Reinhard Marx, dërguar Papёs më 4 qershorin e kaluar, me të cilën paraqiti dorëheqjen nga udhëheqja e kryedioqezёs sё Mynihut e Frajsingut, Papa Françesku i ёshtё përgjigjur sot, e enjte 10 qershor, me një letër tjetër, në të cilën i kërkon kardinalit të vazhdojë misionin e tij nё kryedioqezёn gjermane.

Papa Françesku i shkruan gjatë kardinalit Reinhard Marx, duke mos e pranuar dorëheqjen e tij. "Kjo është përgjigjja ime, i dashur vëlla. Vazhdo siç propozon, por si kryeipeshkёv i Mynihut dhe i Frajsingut. E nëse tundohesh e mendon se, duke konfirmuar misionin tënd e duke mos pranuar dorëheqjen tёnde, ky Ipeshkёv i Romës (vëllai yt që tё do) nuk të kupton, mendoje atë që Pjetri ndjeu para Zotit Jezus kur, në mënyrën e tij, i paraqiti dorëheqjen: 'Largohu prej meje, se jam mëkatar' dhe dëgjo përgjigjen e Jezusit, qё i tha: ‘Ti je bariu i deleve të mia'".

Pra, Papa Françesku nuk e pranoi dorëheqjen e kardinalit të Mynihut, Marx, paraqitur me një letër, që u botua nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë. Më 21 majin e kaluar, kardinali Marx i pati shkruar Papës, duke e motivuar dorëheqjen me krizën e shkaktuar nga abuzimet seksuale të disa anëtarëve të klerit e me përgjegjësinë personale në këtë çështje.

Papa, pёrmes njё letre nё spanjisht, i drejtohet sot kardinalit gjerman, duke nënvizuar se “çështja e abuzimeve duhet të përballohet dhe të zgjidhet pa hipokrizi, si komunitet.

"Së pari, faleminderit për guximin tёnd. Është guximi i krishterë, që nuk i trembet Kryqit, qё nuk ka frikë të poshtërohet para realitetit të tmerrshëm të mëkatit. Kështu bëri edhe Zoti ynë Jezu Krisht (Fil 2, 5-8). Është hir, që Zoti tё ka dhënë dhe unë e di që ti do ta marrësh dhe do ta ruash që të japë fryte. Faleminderit" - shkruan Papa e shton: "E gjithë Kisha është në krizë, për shkak të problemit të abuzimeve, por Kisha sot nuk mund të bëjë një hap përpara, pa marrë përsipër këtë krizë. Politika e strucit nuk çon askund dhe kriza duhet të merret përsipër nga feja jonё në Pashkët e Tënzot – nga besimi nё ringjallje.

Tё ballafaqohesh me krizën, personalisht dhe si bashkësi, është mënyra dhe udha e vetme e frytshme. Sepse nga një krizë nuk mund tё dalësh vetëm, por si komunitet e duhet marrë parasysh edhe fakti se nga një krizë dilet më mirë ose më keq, por kurrë njëlloj. Duhet të marrim përsipër përgjegjësinë për historinë, si personalisht, ashtu edhe si bashkësi. Nuk mund të mbetemi indiferentë para këtij krimi. Prandaj çështja e abuzimeve duhet të përballohet dhe zgjidhet pa hipokrizi, si komunitet”, pohon Ati i Shenjtё Bergoglio.

10 qershor 2021, 15:13