Kërko

Vatican News
Bazilika e Varrit Shenjt në Jeruzalem Bazilika e Varrit Shenjt në Jeruzalem  

Papa: në Lindjen e Mesme feja e krishterë jeton, pavarësisht nga vuajtjet

Ftesë e dyfishtë për lutje. Pasi përfundoi Engjëllin e Tënzot Françesku kërkoi lutje për Lindjen e Mesme. “Papa - kujtoi akoma - ka nevojë për lutjet tuaja. Ju këkroj të luteni për Papën!”. Më pas u shprehu afërsinë popullsive të Republikës Çeke, të dëmtuara rëndë nga një urgan.

R. SH. - Vatikan

Me rastin e Ditës për paqen në Lindjen e Mesme, që kremtohet sot, Françesku i ftoi të gjithë t’i kërkojnë Zotit  mëshirë e paqe në këtë rajon:

“Zoti - pohoi pas lutjes mariane - i mbështetët përpjekjet e atyre, që punojnë për dialogun dhe bashkëjtesën paqësore në Lindjen e Mesme, ku feja e krishterë lindi e gjallon, pavarësisht nga vuajtjet. Këtyre popullsive të dashura, Zoti u dhashtë qëndresë, ngulm e guxim”.

Papa, patriarkëve katolikë të Lindjes së Mesme: jini rojtarë e dëshmitarë të fesë!

Në një Letër për Ditën e sotme, kushtuar kremtimit të 130-vjetorit të Rerum Novarum, Françesku e nxiti posaçërisht Kishën në Lindjen e Mesme të frymëzohet nga Familja Shenjte, për ta ruajtur fenë. “Mos kërkoni - shkruan Papa - ta shuani etjen në gurrat e helmatisura të urrejtjes,  por vaditini  brazdat  e arës së zemrave tuaja me vesën e Shpirtit Shenjt”.

Françesku: lutuni për Papën

Në prag të festës së Shenjtorëve Pjetër e Pal, Françesku u kërkoi besimtarëve të luten në mënyrë të veçantë, sepse: “Papa ka nevojë për lutjet tuja” - theksoi, duke i parafalënderuar ata, që do t’i përgjigjen kësaj ftese.

Më pas kujtoi edhe popullsitë e dëmtuara rëndë nga një urgan në Republikën Çeke:

“Jam pranë popullsive të jug-lindjes së Republikës Çeke, dëmtuar nga uragani. Lutem për të vdekurit e të plagosurit, si edhe për gjithë ata, që u detyruan t’i braktisin shtëpitë e dëmtuara rëndë”.

Duke shikuar me kënaqësi Sheshin e Shën Pjetrit, plot me njerëz, Papa  i përshëndeti të gjithë ata, që kishin ardhur sot nga Roma, Italia e vende  të tjera. Shikoj polakë, spanjollë… tha me entuziazëm Ati i Shenjtë, e në vijim i uroi:

“Vizita tek Varret e Shenjtorëve Pjetër e Pal forcoftë në ju dashurinë për Krishtin e për Kishën”.

Në përfundim, edhe urimi për një të dielë të gëzuar, si dhe kërkesa e zakonshme: “Lutuni për mua”.

 

27 qershor 2021, 13:42