Kërko

Vatican News

Papa: nderimi i të moshuarve u siguron të ardhmen të rinjve

Papa: “Aty ku nuk ka nder për # të moshuarit, nuk ka të ardhme për të rinjtë. #WEAAD”. Cilësia e një qytetërimi gjykohet edhe nga mënyra si i trajton të moshuarit. Prej këndej, është detyrë të respektohen, t’u njihet vlera në çdo familje e të kujtohen nevojat që mund të ketë popullsia e të moshuarave.

R.SH. - Vatikan

“Aty ku nuk ka nder për # të moshuarit, nuk ka të ardhme për të rinjtë. #WEAAD”. Kështu pohon Papa Françesku  në tweet, sot më 15 qershor 2021 në Ditën e Ndërgjegjësimit ndaj Abuzimit të të Moshuarve.

Thirrje e fuqishme për t’i nderuar, për t’u kujdesuar e për të mos i harruar të moshuarit dhe urtinë, që ruajnë e transmetojnë. Qëllimi është të sensibilizohet shoqëria për respektimin e të moshuarve, që aq shumë kanë dhënë gjatë jetës së tyre. Papa i nderit Benedikti XVI ka thënë se “cilësia e një qytetërimi gjykohet edhe nga mënyra si i trajton të moshuarit”. Prej këndej, është detyrë të respektohen, t’u njihet vlera në çdo familje e të kujtohen nevojat që mund të ketë popullsia e të moshuarave.

 “Nderoje njeriun e vjetër”, thuhet që në Librin e Levitikut (19,32) në Bibël. Vlerësimi për të moshuarin shndërrohet në ligj në Shkrimin Shenjt: “Ngrehu në këmbë para flokthinjurit… druaje Hyjin tënd”, shkruhet po aty. Edhe më: “Nderoje babain tënd dhe nënën, sikurse të urdhëroi Zoti, Hyji yt, që ta kesh jetën të gjatë e të kalosh mirë përmbi tokë”, shkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë (5,16). Një këshillë tejet delikate në favor të prindërve, sidomos në moshën e tyre shumë të shtyrë, gjendet në kapitullin e tretë të Siracidit(1-16), i cili përfundon me një pohim veçanërisht të rëndë: “Ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën, i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën”. Sa larg prirjes së sotme për t’i injoruar të moshuarit, për t’i mënjanuar, “duke edukuar” kështu brezat e rinj që t’i braktisin prindërit e tyre pleq. Ndërkaq, të rinj, të rritur e të moshuar, kanë nevojë për njëri-tjetrin.

E ulët, t’i përjashtosh të moshuarit

 “Një qytetërim, që nuk ka vend për njerëzit e moshuar, mbart në gji virusin e vdekjes”. Papa Françesku e mori përsëri nën mbrojtje moshën e tretë, kundër kulturës së hedhurinës, gjatë audiencës së përgjithshme të 4 marsit 2015,  mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke folur për gjyshat, Papa Françesku vuri në dukje se në shoqëritë e sotme shpesh mungon respekti e solidariteti për njerëzit e moshuar, që janë thesar i vërtetë vlerash. E për këto vlera të stinës së bardhë në jetën njeriut, Papa do të flasë në katekizmin e ardhshëm, siç e kujtoi ai vetë. Të plakesh e të flakesh tutje nga shoqëria e “fitimit”, që nuk di ç’të bëjë me ngadalësinë e pleqve dhe me nevojat e tyre të panumërta. Të jesh i shkuar në moshë, e të shikohesh shtrembër, si barrë e padurueshme.

Papa Françesku e trajtoi me pasion të veçantë këtë temë, shumë të dashur, që rikthehet vazhdimisht në porositë e shërbesës së tij papnore, si Kryebari i Kishës Katolike. Kujtoi progresin njerëzor, që e zgjat jetën, pa menduar fare se kjo jetë duhet ruajtur, duhet mbrojtur, duket respektuar, pikërisht atëherë kur bëhet më e brishtë. Ua zgjat jetën e pastaj ua kthen shpinën pleqve. Pa pyetur fare për dhimbjen, që sjell një trajtim i tillë. E pa menduar aspak se nuk janë barrë, por pasuri, madje rezervë e urtisë dhe e përvojës së një populli e, prej këndej, mospërfillja e tyre është mort për shoqërinë:

“A ka një qytetërim vëmendje për të moshuarin? Ka vend për plakun? Ky qytetërim do të ecë përpara, nëse do të dijë të respektojë urtinë, dijen e pleqve. Ndërsa shoqëria, që nuk gjen vend për pleqtë, që i shikon si hedhurina, sepse i krijojnë probleme, ka në gji virusin e vdekjes!”.

Përjashtimi i të ligshtëve

I papranueshëm, për Papën, mendimi se plaku, është “njeri krejt pa vlerë”, që nuk prodhon më: barrë për shoqërinë e për të vetët. Prej këndej, përdori fjalë shumë të ashpra kundër prirjes të padenjë, që i detyron pleqtë të hiqen zvarrë, pa të drejtë të marrin pjesë në shoqëri, pa lejen për të thënë mendimin e tyre:

“Ka diçka të poshtër në këtë sjellje të kulturës së hedhurinës. Pooo, u mësuam t’i flakim tutje njerëzit, që nuk na hyjnë më në punë. Nuk duam të mendojmë se edhe ne na vjen dita e ligështisë, e moshës së thyer. Kemi frikë nga kjo moshë, nga kjo ligështi. E duke e pasur këtë frikë, nuk bëjmë tjetër, veçse të shtojmë në shpirtin e të moshuarve ankthin, mendimin e hidhur se janë bërë të padurueshëm e se duhen braktisur në fatin e vet”.

Mëkati i braktisjes

Familjet dhe shoqëritë, që i shikojnë kështu pleqtë e pleqërinë, kanë një mangësi të madhe. Përkundrazi, kanë një thesar të vërtetë ata, që i vlerësojnë e i trajtojnë me gjithë dashurinë e merituar. Pa ia lejuar vetes mendimin se pleqtë, në dimrin e jetës, ndoshta nuk janë në gjendje të japin shumëgjë si shpërblim. Përveç dashurisë, që nuk u shteron kurrë. Por aty ku nuk ka dashuri, ngriti zërin Papa, sa me lehtësi vihet në gjumë ndërgjegjja!

Më kujtohet sesi, kur vizitoja shtëpitë e pushimit, ndalesha e shkëmbeja dy fjalë me secilin nga të moshuarit. Bëja biseda të kësaj natyre: “Ju, si po jeni? E fëmijët e tu?”. “Mirë, faleminderit”. “Po, sa fëmijë keni?”. “Shumë”. “Vijnë ndonjëherë t’ju vizitojnë?”. “Po, vijnë, vijnë, gjithnjë”. “E kur erdhën herën e fundit?”. Më kujtohet një plakë, që gjegji: “Bah, për Krishtlindje”. Ishte muaji gusht. Tetë muaj pa i parë fëmijët. Pa asnjë vizitë. Tetë muaj braktisje! Ky quhet mëkat mortar, kuptuat?

I moshuari jemi ne

Papa Françesku kujtoi pohimin e Papës nderit Benedikti: “Cilësia e një qytetërimi gjykohet edhe nga mënyra si i trajton të moshuarit’. E përfundoi duke u kujtuar të krishterëve se pleqtë janë burra e gra, etër e nëna, që ishin para nesh, që ecën në të njëjtën udhë, që banuan në të njëjtën shtëpi, që luftuan të njëjtën luftë të mirë për një jetë të denjë”.

Kisha nuk mund e nuk do t’i përshtatet mendësisë së botës, që i shikon shtrembër të moshuarit, domethënë vetveten, aq më pak indiferencës e përbuzjes ndaj moshës së shkuar: “Duhet ta rizgjojmë në zemrën e njerëzimit ndjenjën e mirënjohjes, të vlerësimit, të dashamirësisë, që e bëjnë plakun ta ndjejë veten gjymtyrë e gjallë e bashkësisë, ku kalon ditët e fundit të jetës. Plaku nuk është i rënë nga ndonjë planet tjetër. Plaku jemi ne, pas pak, sepse koha kalon si uji. Ndonëse nuk duam ta mendojmë. E nëse nuk mësohemi t’i trajtojmë mirë pleqtë, i njëjti trajtim na pret, herët a vonë”

15 qershor 2021, 13:29