Kërko

Vatican News
2021.01.05 Papa Francesco, Viaggio apostolico in Svezia, 2016.10.31 Preghiera Ecumenica Comune - Cattedrale Lund 2021.01.05 Papa Francesco, Viaggio apostolico in Svezia, 2016.10.31 Preghiera Ecumenica Comune - Cattedrale Lund 

Papa luteranëve: Jezusi na shoqëroftë në udhën nga konflikti, në bashkim

Duke u takuar me përfaqësuesit e Federatës Luterane Botërore, Françesku i inkurajoi “të gjithë ata që angazhohen në dialogun katolik-luteran, ta vijojnë me besim lutjen, ushtrimin e dashurisë së përbashkët dhe pasionin për kërkimin e unitetit gjithnjë më të madh”.

R. SH. - Vatikan

Udha ekumenike vijon, me përpjekjen për të kaluar nga konflikti, në bashkim! Papa e nisi takimin me përfaqësuesit e Federatës Luterane Botërore, për vizitë në Vatikan, me përshëndetjen “Hir e paqe prej Hyjit, Atit tonë, dhe prej Jezu Krishtit Zot (Rom 1,7)”,  fjalë shkëputur nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve. Për të vijuar me kujtimin e vizitës së tij në Lund, qytet ku u themelua Federata Luterane:

“Atje - kujtoi Papa - u bë një hap para në përvojën ungjillore të bashkimit e, përmes dialogut dhe dëshmisë së përbashkët, të dyja palët nuk u ndjenë më të huaj, po vëllezër. Ndërsa sot, në Romë, bëhet një hap i dytë, për të  forcuar unitetin ndërmjet dy palëve”.

Ta rrëfejmë njëzëri, atë që na bashkon në fe

Duke folur lirisht, jashtë tekstit zyrtar, Papa vërejti: “kriza na ndihmon  për të fituar pjekurinë e asaj që kërkojmë”, nga konflikti, i jetuar në rrjedhë shekujsh, në bashkimin e dëshiruar. E për ta bërë këtë vihemi në krizë- kujtoi. Krizë, të cilën e quajti “bekim i Zotit”, sepse na ndihmon të arrijmë bashkimin e gjithë të krishterëve!     

Më pas Françesku kujtoi tërë udhën e përshkuar, nga fillimi i konfliktit – tek përpjekjet për bashkim, pikërisht në ditën e përkujtimit të Confessio Augustana, deklaratës doktrinore të 25 qershorit 1530, përmes së cilës reformatorët synonin ribashkimin me Kishën katolike. Duke cituar Gjon Palin II Françesku  e quajti Confessio Augustana “dokument themelor për besojmën dhe jetën e Kishës të të krishterëve luteranë”.

“Confessio Augustana”- theksoi - ishte përpjekje për t’i bërë ballë kërcënimit  të ndarjes së krishterimit perëndimor. Ndaj në zanafillë u konsiderua si dokument pajtimi ndërmjet katolikëve.

Papa rikujtoi, më pas, udhën e përshkuar pas botimit të këtij dokumenti, për të cituar përsëri fjalët e Shën Palit Apostull, që shkroi: “Një trup i vetëm… një pagëzim i vetëm … një Zot i vetëm”.

E më pas u ndalua në shpjegimin një për një të fjalëve të Shën Palit, cituar në Deklaratën e përbashkët “Të gjithë nën të njëjtin Krisht”.  

Krishti na shoqëron

Françesku nxiti për ta vijuar me pasion udhën  nga konflikti në bashkim:

“Ta vijojmë, prandaj, me pasion udhën tonë, nga konflikti, në bashkim. Etapa e ardhshme ka të bëjë me mirëkuptimin e lidhjeve të ngushta ndërmjet Kishës, shërbesës edhe Eukaristisë. Do të jetë shumë e rëndësishme të shikohen me përvujtëri shpirtërore e teologjike rrethanat, që çuan në ndarje, me besimin se, po të jetë e mundur të anulohen ngjarjet e  trishtuara të së kaluarës, është e mundur edhe të rishkruhet historia e pajtimit”.

Asambleja juaj e përgjithshme -  kujtoi në vijim Françesku - mund të jetë një hap i rëndësishëm për ta pastruar kujtesën e për t’i rivlerësuar shumë thesare shpirtërore, që Zoti ua dhuroi të gjithëve në rrjedhë shekujsh.
Fjalët e fundit të Papës ishin fjalë miqësore, fjalë pajtimi e përshëndetjeje, ngarkuar me besimin në të ardhmen, pa harruar edhe vështirësitë:

“Të dashur vëllezër e motra, udha që shkon nga konflikti në bashkim nuk është e lehtë, po nuk jemi vetëm: me ne është Krishti”.

25 qershor 2021, 12:36