Kërko

Vatican News
Papa takohet me Karitasin Italian Papa takohet me Karitasin Italian  (Vatican Media)

Papa Karitasit italian: nuk mjaftojnë “like”; për të jetuar, duhet vëllazërimi e gëzimi i vërtetë

Françesku priti sot në audiencë anëtarët e organizmit baritor të Konferencës ipeshkvnore italiane, në 50-vjetorin e themelimit dhe i nxiti të ecin në udhët e të fundmëve, të Ungjillit, të krijimtarisë.

R. SH. - Vatikan

Ishin më se një mijë vetë, ndërmjet të cilëve, shumë të rinj, që i ndoqën fjalët e Papës. Vinin nga të katër anët e Italisë, si përfaqësues të 218 Karitaseve dioqezane e të Karitasit italian. Fjalët e Françeskut u paraprinë nga një çast vëllazërimi, dëshmish e reflektimesh. Me anëtarët e realiteteve të ndryshme të organizmit baritor të Konferencës Ipeshvnore Italiane, Papa ndau gëzimin për këtë 50-vjetor të Karitasit italian, lindur më 2 korrik 1971, për të qenë dëshmi e gjallë e dashurisë së krishterë në të gjitha aspektet e saj të panumërta:

“Jeni pjesë e gjallë e Kishës, jeni ‘Caritasi ynë’, siç i pëlqente t’ju thërriste Palit VI, Papës që e deshi dhe e i hodhi bazat organizmit. Ai e inkurajoi  Konferencën Ipeshkvnore Italiane të pajisej me një organizëm baritor, për të promovuar dëshmimin e dashurisë, në frymën e Koncilit II të Vatikanit, që bashkësia e krishterë të ishte subjekt i kësaj dashurie. Konfirmoi detyrën tuaj: në ndryshimet e sotme të epokës, sfidat dhe vështirësitë janë të shumta, e gjithnjë më të shumta janë edhe fytyrat e të varfërve si dhe situatat e ndërlikuara në terren. Por - thoshte gjithnjë Shën Pali VI - Karitaset tona përpiqen edhe përtej forcave”.

Duke theksuar se 50-vjetori është etapë, që të nxit ta falënderosh Zotin për udhën e bërë, përtëritjen, ndihmën e Tij dhe hovin e ri të angazhimeve, Papa tregoi tri rrugë, në të cilat duhet ecur: udha e të fundmëve, ajo e Ungjillit e udha e krijimtarisë.

Udha e të fundmëve

Udha e treguar nga Françesku, nis nga të fundmit. Është bukur vërejti “t’i zgjerosh shtigjet e dashurisë së krishterë e të bamirësisë”, duke mos e shikuar realitetin me sytë e fitimtarit, por me ata të të fundmëve, të varfërve. Prej tyre duhet të nisemi: prej të brishtëve, të pambrojturve:

“Kur zemra jonë, duke shikuar të varfërit, nuk shqetësohet, diçka nuk funksionon. Dashuri e krishterë është mëshira, që shkon në kërkim të më të ligshtëve, që na shtyn  deri në kufijtë më të vështirë, për të çliruar njerëzit nga skllavëritë ndrydhëse e për t’i bërë protagonistë të jetës sonë”.

Këtë theksoi Papa, që më pas kujtoi praktikimin e kësaj mëshire, në vise nga më të ndryshmet, e në mënyra nga më të ndryshmet ndërmjet të cilave, Qendrat e dëgjimit dhe Vëzhguesit e varfërisë e të pasurisë.

Udha e Ungjillit

Udha e dytë, nga e cila nuk mund të hiqet kurrë dorë - kujtoi në vijim Papa - është ajo e Ungjillit. Na tregon se Jezusi është i pranishëm në çdo të varfër. Na mëson ta shpallim dinjitetin njerëzor kudo që shkelet e t’i japim zë, atij që nuk e ka, me mëshirë e dashuri:

“Është stili i dashurisë pa interes, që nuk kërkon shpërblim. Stili i gatishmërisë dhe e i shërbimit, në përngjasim të Jezusit, që u bë shërbëtori ynë. Stili i përshkruar nga Shën Pali, kur na kujton se dashuria mbulon gjithçka, beson gjithçka, shpreson gjithçka e duron gjithçka” (1 Kor 13.7)

Udha e krijimtarisë

Në përfundim Papa foli për rrugën e krijimtarisë. Duke kujtuar historinë e Karitasit italian, nënvizoi se “përvoja e pasur e këtyre pesëdhjetë viteve  nuk është bagazh sendesh, për t’u përsëritur: është baza, mbi të cilën  duhet punuar, për të krijuar atë, që Gjon Pali II e quante fantazia e  bamirësisë:

“Mos lejoni të çkurajoheni përballë numrave në rritje të të varfërve të rinj e të varfërive të reja. Vijoni të jetoni ëndrrat e vëllazërimit e të jeni shenjë shprese. Kundër virusit të pesimizmit, imunizohuni duke ndarë bashkë gëzimin, si ndahet në gjirin e një familjeje të vetme. Në këtë atmosferë vëllazërore, Shpirti Shenjt krijues do t’ju ngallë ide të reja, të përshtatshme për kohët, në të cilat jetojmë”.

26 qershor 2021, 15:04