Kërko

Vatican News

Papa: vetëm një Kishë e lirë nga frika, hipokrizia dhe pushteti është e besueshme

Papa Françesku kremton meshën në solemnitetin e Shën Pjetrit e Shën Palit, dëshmitarë të “një Kishe të çliruar”. Shën Pjetri, i liruar nga “ndjenja e disfatës” dhe nga “pasiguritë”; Shën Pali, i liruar nga “hipokrizia e dukjes” dhe nga “tundimi për t’u imponuar me forcën e botës”. Bekohen paliot për kryeipeshkvijtë metropolitanë e Ati i Shenjtë përshëndet delegacionin e Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës

R.SH. - Vatikan

Të lirë, sepse “vetëm një Kishë e lirë është e besueshme”. Të lirë, madje, të çliruar si Shën Pjetri, nga “ndjenja e dështimit”, nga “frika që na bllokon”, nga “pasiguritë”. Të çliruar si Shën Pali, nga “hipokrizia e dukjes”, nga “tundimi për t'u imponuar me forcën e botës”, nga “një lloj respekti për fenë, që na bën të ngurtë” dhe nga “lidhjet e paqarta me pushtetin”. Papa Françesku kremtoi sot meshën në Bazilikën e Vatikanit, në Solemnitetin e Shën Pjetrit e Shën Palit, “dy shtyllave të Kishës”, dy “dëshmitarëve” e “gjigantëve të fesë”.

Bekimi i paliove

Ishte meshë e kremtuar në praninë e besimtarëve, të distancuar sipas masave kundër koronavirusit, si edhe në praninë e ipeshkvijve, kardinajve e të delegacionit nga Patriarkati Ekumenik i Kostandinopojës, kryesuar nga mitropoliti i Kalcedonisë, Emmanuel, që si zakonisht, ndodhet në Romë për shkëmbimin e urimeve në festën e Pajtorëve qiellorë të qytetit. Kujtojmë se një delegacion nga Roma merr pjesë në kremtimet e festës së Shën Andreut. Në fillim të kremtimit, katër diakonë zbritën në altarin e Shën Pjetrit apostull dhe morën paliot, që do t’u jepen kryeipeshkvijve metropolitë, emëruar këtë vit, nga nuncët, në selitë e ndryshme nëpër botë. Papa i bekoi, duke uruar që mbajtësit e tyre të “njihen si barinj të vërtetë të grigjës”.

Shën Pjetri, i çliruar nga ndjenja e dështimit

Gjatë homelisë, Françesku kujtoi se jeta e dy apostujve, festa e të cilëve kremtohet sot, ndryshoi krejtësisht nga takimi me Krishtin. Dashuria e Tij i shëroi dhe i çliroi nga gjërat e kësaj bote. “Kemi gjithnjë nevojë të çlirohemi – nënvizoi Ati i Shenjtë – sepse vetëm një Kishë e lirë është e besueshme”. Shën Pjetri, për shembull, i cili ndihej i padenjë dhe me mohimin e Krishtit, mendonte se kishte dështuar krejtësisht si njeri, u çlirua nga kjo gjendje pikërisht për hir të dashurisë pa kushte të Jezusit.

“Pavarësisht se ishte peshkatar i zoti, ai përjetoi disa herë, në natën e errët, shijen e hidhur të dështimit, sepse s’kapte asgjë dhe, para rrjetave të zbrazta, tundohej t’i tërhiqte rremat mbi barkë; pavarësisht se i fortë dhe i guximshëm, shpesh, e la veten të mposhtej nga frika; pavarësisht se ishte dishepull i apasionuar i Zotit, ai vazhdoi të arsyetonte sipas botës, pa qenë në gjendje ta kuptonte dhe ta pranonte domethënien e Kryqit të Krishtit; pavarësisht se tregohej i gatshëm të jepte jetën e tij për Krishtin, i mjaftoi të dyshohej si njëri prej të tijve, për t’u frikësuar dhe për ta mohuar Mësuesin”.

Por Jezu Krishti, vijoi komentin Papa, besoi në Pjetrin, e inkurajoi, e bëri ta kuptonte dobësinë e tij shpirtërore e madje, e caktoi të kujdesej për grigjën e vet dhe shenjti i ardhshëm e ndoqi në Udhën e Kryqit e ai vetë dha jetën për vëllezërit. Kështu, Pjetri u lirua nga vargonjtë e frikës, nga llogaritë e bazuara vetëm në pasiguritë njerëzore, nga shqetësimet e kësaj bote e u bë vërtet peshkatar njerëzish.

Shën Pali, i çliruar nga vetvetja dhe nga ngurtësitë e tij

Në të njëjtën mënyrë, edhe Shën Pali u lirua nga një skllavëri edhe më shtypëse, nënvizoi më tej Papa Françesku. Ai ishte i rreptë me vetveten dhe kishte “një zell fetar, i cili e kishte bërë tejet të ngurtë në mbrojtjen e traditave dhe të dhunshëm në persekutimin e të krishterëve”.

“Respektimi formal i fesë dhe mbrojtja me shpatë e traditës, në vend që t’ia hapnin zemrën e tij dashurisë së Zotit e vëllezërve, e kishin ngurtësuar atë. Ishte fundamentalist. Pikërisht prej kësaj e çliroi Zoti; por, nuk ia kurseu brishtësitë e vështirësitë e shumta, që e bënë më të frytshëm misionin e tij ungjillëzues: lodhjen e apostullimit, sëmundjen fizike, dhunën dhe persekutimin, mbytjen me anije, urinë dhe etjen”.

Qortohemi me ëmbëlsi, që të vihemi sërish për udhë

Këta dy “gjigantë të fesë”, nënvizoi Papa, qenë në gjendje ta përhapnin Ungjillin në botë, vetëm kur Krishti i liroi, pa i gjykuar, pa i poshtëruar, por duke i dashur, duke i mbështetur me lutje e, nganjëherë, duke i qortuar që të ndryshonin. Kështu bën edhe me secilin prej nesh, komentoi Ati i Shenjtë.

“Na siguron afërsinë e tij, duke u lutur për ne dhe duke ndërmjetësuar pranë Atit Qiellor; butësisht, na qorton kur gabojmë, që të gjejmë forcën për t’u ringritur e për të rifilluar udhën”.

Kisha e çliruar i ofron botës lirinë

Papa Françesku bëri thirrje të jemi të lirë nga dështimet, nga frika e nga pasiguritë tona njerëzore, sepse ato na e mbysin guximin e profecisë. Shën Pjetri e Shën Pali na japin sot imazhin e një Kishe “të brishtë, por të fortë nga prania e Zotit” në të, sepse vetëm kjo Kishë e çliruar prej Krishtit mund t’i ofrojë botës lirinë nga mëkati, nga vdekja, nga dështimi, nga ndjenja e padrejtësisë e, sidomos, nga humbja e shpresës.

“Qytetet, shoqëritë, bota jonë, sa nevojë kanë për çlirim! Sa zinxhirë duhet të thyhen dhe sa dyer të mbyllura duhet të hapen!”

Përshëndetja për delegacionin e Patriarkatit të Kostandinopojës

Në përfundim të homelisë, Papa iu drejtua kryeipeshkvijve, që marrin palion: “Kjo shenjë e bashkimit me Pjetrin kujton misionin e bariut, që jep jetën për grigjën”. Pastaj, përshëndeti delegacionin e Patriarkatit Ekumenik, dërguar nga Bartolomeu: “Prania juaj e mirëpritur - tha Ati i Shenjtë - është shenjë e çmuar bashkimi në rrugën e çlirimit nga distancat, që në mënyrë skandaloze, ndajnë besimtarët në Krishtin”.

29 qershor 2021, 11:55