Kërko

Vatican News

Papa Françesku: sisteme ushqimore të qëndrueshme për kë vuan nga uria

Papa shkruan me rastin e sesionit të 42-të të Konferencës së FAO-s, që fillon sot në Romë e përfundon të premten: rimëkëmbja e ekonomive, pas pandemisë së koronavirusit, na jep mundësinë për ta ndryshuar kursin dhe për të ndihmuar më të prekurit nga kriza dhe nga ndryshimet klimatike

R.SH. - Vatikan

Paradoksi, që Papa Françesku e përdor sot si shembull nuk është i ri, por mbetet gjithnjë tronditës: tre të katërtat e atyre, që kanë pak për të ngrënë, janë njerëz, që prodhojnë ushqim për pjesën tjetër të botës, janë bujq, të cilët jetojnë në ambiente të varfra rurale. Pikërisht për ta flet Ati i Shenjtë në mesazhin dërguar ministrit polak për Klimën dhe Ambientin, Michał Kurtyka, i cili kryeson punimet e sesionit të 42-të të Konferencës së FAO-s, që mbahet virtualisht nga dita e sotme e deri më 18 qershor, me qendër në Romë.

Dritare mundësish për t’i ndryshuar disa modele

Pandemia është boshti i reflektimit të Papës. Pas dekadash me fitore globale teknologjike, shumë njerëz, vëren Ati i Shenjtë, nuk kanë “akoma ushqimin që u nevojitet, as në sasi dhe as në cilësi”. Viti 2020 shënoi maksimumin e numrit të atyre, që vuajnë nga pasiguria ushqimore. “Kriza globale e shkaktuar nga Covid-19 – kërkon Papa në mesazh – hap një dritare mundësish për t’i ndryshuar disa modele”. Meqenëse ky kuadër mund të keqësohet në të ardhmen për miliona njerëz, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të “konflikteve, motit ekstrem e krizave ekonomike”, është e nevojshme të mendohet “një ekonomi rrethqarkulluese, e cila garanton burime për të gjithë, përfshirë brezat e ardhshëm dhe promovon përdorimin e energjisë së rinovueshme”.

Ekonomi, që nuk i nënshtrohet vetëm fitimit

Për Papën e enciklikave “Laudato si’” dhe “Fratelli tutti”, duhet rimenduar “një ekonomi më njerëzore, që nuk i nënshtrohet vetëm fitimit, por i ka rrënjët në të mirën e përbashkët, mike me etikën dhe me respekt për ambientin”. Këtë, pohon Ati i Shenjtë, duhet të na mësojë pandemia: ta “ndryshojmë kursin e ndjekur deri tani”, duke investuar “në një sistem global ushqimor, në gjendje të përballojë krizat e ardhme”. Kjo do të thotë, shpjegon Papa, “të promovohet një bujqësi e qëndrueshme dhe e larmishme”, që merr parasysh “rolin e çmuar të bujqësisë familjare dhe të bashkësive fshatare”. Ati i Shenjtë denoncon se “pikërisht ata, që prodhojnë ushqim për të tjerët, vuajnë nga mungesa e plotë e ushqimit, ose nga ushqimi i paktë”. Janë “tre të katërtat e të varfërve në botë”, të cilët “varen kryesisht nga bujqësia për jetesën e tyre”, por nuk arrijnë të hyjnë në tregjet ndërkombëtare, nuk kanë tokë, burime financiare, infrastruktura dhe teknologji.

Të arrihet autonomia ushqimore

FAO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, Papa u kërkon të bëjnë të gjitha përpjekjet për “arritjen e autonomisë ushqimore, si përmes modeleve të reja të zhvillimit dhe të konsumit, ashtu edhe përmes formave të organizimit komunitar, që i mbrojnë ekosistemet dhe biolarminë lokale”. E pastaj thirrja: ndërsa “disa mbjellin tensione, ndeshje dhe gënjeshtra, ne, nga ana tjetër, ftohemi të ndërtojmë, me durim dhe vendosmëri, një kulturë paqeje, e cila të priret drejt nismave, që përfshijnë të gjitha aspektet e jetës njerëzore dhe të ndihmojë në luftën kundër virusit të indiferencës”. Të gjitha këto, sipas Papës Françesku, janë gjeste konkrete të nevojshme për të nxitur “vëllazërimin”, mbi bazën e përgjegjësisë individuale dhe kolektive. “Ta shfrytëzojmë këtë sprovë - përfundon Ati i Shenjtë - si mundësi që të përgatisim të nesërmen për të gjithë, pa mënjanuar askënd”.

14 qershor 2021, 14:00