Kërko

Vatican News

Papa: ekonomia shoqërore është udha, që duhet ndjekur, për zhvillimin e vërtetë

Në videomesazhin drejtuar organizatës argjentinase ACDE – Shoqatës së Krishterë të Drejtuesve të Ndërmarrjeve, me rastin e takimit me temë “Drejt një kapitalizmi më njerëzor”, Papa nxit investime për të mirën e përbashkët

R.SH. - Vatikan

Botëkuptimi i krishterë mbi ekonominë dhe shoqërinë është i ndryshëm “nga ai pagan, ose ideologjik” dhe lind “nga mesazhi i Jezu Krishtit, nga Lumnitë”. Të gjithë, edhe sindikalistët, sipërmarrësit dhe punëtorët, janë të thirrur të marrin pjesë “në ndërtimin e një bashkësie të drejtë”. Rruga për t’u ndjekur është ajo e “ekonomisë shoqërore”: kështu thekson sot Papa Françesku, në një videomesazh drejtuar organizatës argjentinase ACDE – Shoqatës së Krishterë të Drejtuesve të Ndërmarrjeve, me rastin e takimit me temë “Drejt një kapitalizmi më njerëzor”.

Rreziku i skemave piramidale

         Financat ka rrezik të çojnë drejt skemave piramidale. “Besojmë se ka shumë - shpjegon Papa - por në fund të fundit, nuk mbetet asgjë”. Duhet t’i kthehemi “ekonomisë konkrete”. Ajo, vëren Ati i Shenjtë, lidhet vërtet me prodhimin, me punën e secilit, me familjet, me vendin, me shoqërinë. Ekonomia duhet të ketë një përmasë shoqërore e, për të krijuar vende pune, kujton Papa, kanë rëndësi edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sepse “krijimtaria vjen gjithnjë nga poshtë”.

Të krijohet besim shoqëror

         Duhet të “investojmë për të mirën e përbashkët, jo t’i fshehim paratë në parajsat fiskale”. “Investim - nënvizon Papa – do të thotë të japësh jetë, të krijosh”. Ati i Shenjtë thekson se investimi për të ardhmen është dije e veçantë, që kërkon domosdoshmërisht transparencë. Nga ana tjetër, Françesku kritikon ashpër ato vendime, që i fshehin gjendje të caktuara, ose që janë pjesë e marrëveshjeve “nën rrogoz”, të cilat paraqiten si të përkryera, por në të vërtetë, janë krejtësisht të ndryshme nga ç’duken. Besimi shoqëror duhet krijuar gradualisht, vijon Papa e, nuk duhet tradhtuar kurrë.

Drejt një kapitalizmi më njerëzor

         Takimi i 24-t i Shoqatës së Krishterë të Drejtuesve të Ndërmarrjeve (ACDE), i planifikuar nga 30 qershori deri më 1 korrik, përqendrohet mbi temën “Drejt një kapitalizmi më njerëzor”. Në të reflektohet mbi mënyrën si duhet zhvilluar kapitalizmi për të krijuar begati për të gjithë. Në qendër të punimeve, edhe masat për zbutjen e dëmit ekonomik, që është theksuar nga pandemia e koronavirusit. Promovuesit e takimit vënë në dukje shqetësimin për rritjen e pabarazisë dhe të varfërisë, duke bërë thirrje që të gjithë të impenjohen për t’iu përgjigjur sfidave aktuale e për të ndërtuar një të tashme dhe një të ardhme, ku të ketë mundësi zhvillimi për secilin. Këtë vit, Shoqata e Krishterë e Drejtuesve të Ndërmarrjeve kremton një përvjetor të rëndësishëm, 100-vjetorin e themeluesit, sipërmarrësit argjentinas Enrique Shaw, lindur në Paris më 26 shkurt 1921. “Nuk mund ta fsheh gëzimin, që ndjeva kohët e fundit - nënvizon Papa në videomesazh – kur miratova virtytet heroike të Enrique Shaw. I lutem atij t’ju shoqërojë në këtë takim dhe t’ju bëjë të përparoni”.

30 qershor 2021, 15:05