Kërko

Papa  në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme

Papa dhe katekizmi mbi lutjen: nga zemra e njeriut në mëshirën e Zotit

Me audiencën e përgjithshme të së mërkurës, 16 qershor, mbyllet cikli i katekizmit, filluar më 6 maj 2020 e përqëndruar mbi temën e lutjes. Reflektimet e Papës përvijojnë udhën e marrëdhënieve të çdo njeriu me Zotin, në çdo vend e në çdo kohë

R.SH. - Vatikan

 Janë 38, etapat e ciklit të katekizmit të Papës Françesku mbi lutjen. E fundit, më 16 qershor, mbyll një udhë të pasur, gjatë së cilës faqet e Biblës ndërthuren me hapat e Popullit të Zotit, dëshmitë e shenjtorëve me dritare nga duken skena të jetës së përditshme. Lutja, kujton Papa, është marrëdhënie, dialog, takim ndërmjet njeriut e Zotit. Por t’i kujtojmë me pak fjalë, këto 38 audienca:

1-   Misteri i lutjes

E mërkurë, 6 maj 2020. Bota tronditet nga situata e vështirë, shkaktuar nga pandemia. Gjatë audiencës së përgjithshme, në Bibliotekën e Pallatit Apostolik, Papa Françesku ndalet tek “misteri i lutjes”. “Sot - nënvizon Papa - fillojmë një cikël të ri katekizmi mbi temën e lutjes. Lutja është frymëmarrja e fesë, është shprehja e saj më e përshtatshme. Si një britmë, që del nga zemra e atyre që besojnë dhe e lëshojnë veten në dorë të Zotit”.

Papa kujton historinë e Bartimeut, personazh ungjillor. Ai është i verbër dhe ulet buzë rrugës për të lypur. E kupton nga turma se Jezusi nuk ishte larg dhe bërtet: “Bir i Davidit, Jezus, ki mëshirë për mua!”

“Më i fortë se çdo argument i kundërt, në zemrën e njeriut është një zë që bërtet. Një zë, që del vetvetiu, pa e komanduar kush, një zë që kërkon kuptimin e udhës sonë mbi dhe, posaçërisht kur na rrethon errësira: ‘Jezus, kij mëshirë për mua. Jezus, kij mëshirë për mua!’ Lutje e bukur, kjo”.

2-   Lutja e të krishterit

Më 13 maj 2020, Papa reflekton mbi tiparet e lutjes së krishterë. “Lutja e të krishterit - kujton Papa gjatë katekizmit - hyn në marrëdhënie me Zotin me fytyrë tejet të butë, i cili nuk dëshiron t’i frikësojë njerëzit”. “Zoti është miku, aleati, dhëndri. Në lutje mund të krijohen marrëdhënie besimi me Të”.

 Lutja, nënvizon Papa, u përket të gjithëve e “lind në fshehtësi brenda vetes, në atë vend, që shpesh, autorët e përshpirtshëm e quajnë zemër”.

“Lutja është hov shpirtëror, është thirrje, që shkon përtej vetvetes; është diçka, që lind në thellësitë e shpirtit tonë njerëzor e ndihet si mall i një takimi. Ai mall është më shumë se një nevojë e brendshme, më shumë se një domosdoshmëri: është një udhë. Lutja është zëri i një “uni”, që ecën symbyllurazi, duke prekur me duar, në kërkim të një “Ti”-je. Takimi ndërmjet ‘un’-it dhe ‘Ti’-së nuk mund të bëhet me llogari”.

3-   Misteri i Krijimit

Në audiencën e tretë të përgjithshme kushtuar lutjes, më 20 maj 2020, Papa Françesku thekson se misteri i Krijimit duhet të zgjojë këngë lavdi në zemrat tona. Lutja, pohon Ati i Shenjtë, “është forca e parë e shpresës”. “Bukuria dhe misteri i Krjimit – nënvizon Françesku – zgjojnë në zemrën e njeriut shkëndijën e parë, që çon drejt lutjes”.

“Lutja e njeriut lidhet ngushtë me ndjenjën e mahnitjes. Madhështia e njeriut është pafund e pa cak, nëse lidhet me përmasën e universit. Fitoret e tij më të mëdha duken si të ishin asgjë… Por njeriu nuk është asgjë! Në lutje  pohohet e papërmbajtshme ndjenja e mëshirës. Asgjë nuk ekziston rastësisht: sekreti i universit qëndron në vështrimin mirëdashës, që Dikush e has në zytë tanë”.

4-   Lutja e të drejtëve

Në audiencën e përgjithshme të 27 majit 2020, Papa Françesku kujton se ndërsa e keqja përhapet si flakët, lutja e të drejtit është e aftë të rizgjojë shpresën, është “zinxhiri  i jetës”. “Lutja ia hap portën Zotit, duke e shndërruar zemrën tonë, që shpesh është prej guri, në zemër njerëzore”. Shenja e kryqit, nënvizon Papa, është lutja e parë.

“Lutja është zinxhir jete, gjithmonë: shumë burra e gra që luten, mbjellin jetë. Lutja mbjell jetë, lutja e vogël: prandaj është kaq e rëndësishme t’i mësojmë fëmijët të luten. Më shkakton dhimbje kur shoh fëmijë, që nuk dinë të bëjnë shenjën e kryqit. Duhet të mësohen ta bëjnë mirë shenjën e kryqit, sepse është lutja e parë. Është e rëndësishme që fëmijët të mësojnë të luten. Pastaj, mbase, mund të harrojnë, të ndjekin një rrugë tjetër; por lutjet e para të mësuara si fëmijë mbeten në zemër, sepse ato janë fara e jetës, fara e dialogut me Zotin”.

5-   Lutja e Abrahamit

Papa ia kushton audiencën e përgjithshme të 3 qershorit 2020, lutjes së Abrahamit. Nga Patriarku, pohon Françesku, mësojmë të lutemi me fe, “të dialogojmë me Zotin, deri sa të diskutojmë me të”. “Ndihet një zë, i cili jehon papritmas në jetën e Abrahamit – vëren Papa. - Zë, që e fton të  marrë një rrugë, në dukje krejt të pakuptimtë; një zë, që e nxit të shkulet me gjithë rrënjë nga atdheu i tij, nga familja, nga trojet, për të shkuar drejt një ardhmërie të re, krejt të ndryshme”.

“Atëhere Abrahami niset. E dëgjon zërin e Zotit dhe i beson fjalës së Tij. Kjo është e rëndësishme: i beson fjalës së Zotit. E me këtë nisje lind një mënyrë krejt e re për ta kuptuar lidhjen me Zotin. Prandaj Patriarku Abraham është i pranishëm në traditat e mëdha hebraike, kristiane e islamike, si njeriu i Zotit, i aftë për t’iu nënshtruar Atij, edhe atëhere kur vullneti i Zotit i duket tejet i rrëpirtë, madje edhe i pakuptimtë. Pra, Abrahami është njeri i Fjalës. Kur Zoti flet, njeriu e kupton Fjalën e tij dhe jeta bëhet vend, ku ajo përpiqet të mishërohet”.

6-   Lutja e Jakobit

Në audiencën e përgjithshme të 10 qershorit 2020, Papa vazhdon reflektimin e tij mbi lutjen duke folur për figurën e Jakobit, i cili “lufton me Zotin” për një natë të tërë dhe del i ndryshuar: nga njeri i zgjuar, por “i papërshkueshëm nga hiri hyjnor”, ai e kupton se është i brishtë e se ka nevojë për mëshirën hyjnore. “Jakobi - kujton Françesku - nuk ka asgjë tjetër për t’i paraqitur Zotit përveç brishtësisë, pafuqisë dhe mëkateve të tij. E ky është Jakobi, që merr bekimin nga Zoti.

“Jakobi, më parë, ishte i sigurt në vetvete, besonte në zgjuarsinë e tij. Ishte njeri i papërshkueshëm nga hiri, rezistent ndaj mëshirës; nuk dinte ç’ishte mëshira. ‘Këtu jam unë, komandoj unë!’, nuk mendonte se kishte nevojë për mëshirë. Por Zoti e shpëtoi atë, që kishte humbur. E bëri të kuptonte se ishte i kufizuar, se ishte mëkatar, që kishte nevojë për mëshirë dhe e shpëtoi”.

7-   Lutja e Moisiut

Në audiencën e përgjithshme të 17 qershorit 2020, Papa përshkon jetën e Moisiut. “Moisiu - nënvizon Françesku - na nxit të lutemi me të njëjtin zjarr si Jezusi, të ndërmjetësojmë për botën, të kujtojmë se ajo, me gjithë dobësitë e saj, i përket gjithnjë Zotit”. Shkrimet, kujton Papa, e pasqyrojnë Moisiun “me duar lartuar drejt Zotit, si për të ndërtuar një urë ndërmjet qiellit e tokës, përmes vetvetes”.

“Edhe në çastet më të vështira, madje, edhe në ditën kur populli e mohon Zotin dhe atë vetë si udhëheqës, për t’i besuar viçit të artë, Moisiut nuk i pëlqen ta lërë mënjanë popullin e tij. Është populli im. Është populli yt. Janë njerëzit e mi. Ai nuk e mohon as Zotin e as popullin. E i thotë Zotit: “Ky popull ka bërë një mëkat të madh: ka bërë një zot prej ari. Por tani, të lutem fale mëkatin e tyre... Përndryshe, më fshi nga ai libri yt, që ke shkruar!’ (Es 32,31-32). Moisiu nuk bën tregti me njerëzit. Është ura, është ndërmjetësuesi. Të dy, populli dhe Zoti, e ai është në mes. Nuk i shet njerëzit e vet për karrierë. Ai nuk është karrierist, është ndërmjetësues”.

8-   Lutja e Davidit

Është nxitje e fuqishme për lutje në çdo rrethanë ajo, që Papa bën gjatë audiencës së përgjithshme të 24 qershorit 2020, në gjurmët e figurës së Davidit. “Lutja na jep fisnikëri: ajo është në gjendje të sigurojë marrëdhëniet me Zotin, i cili është Shoqëruesi i vërtetë në udhën e njeriut, mes njëmijë vështirësive të jetës, të mira, ose të këqija”. Në jetën e Davidit, thekson Papa, ka një fill të kuq, “që i jep unitet të gjitha ngjarjeve: lutja e tij”.

“Davidi shenjt, lutet; Davidi mëkatar, lutet; Davidi i përndjekur, lutet; Davidi persekutues, lutet; Davidi viktimë, lutet. Edhe Davidi xhelat, lutet. Ky është filli i kuq i jetës së tij. Njeri i lutjes. Ky është zëri, që nuk shuhet kurrë: si kur merr tonet e gëzimit, ashtu edhe kur merr ato të vajtimit, është gjithmonë e njëjta lutje, vetëm melodia ndryshon. Dhe duke vepruar kështu, Davidi na mëson të hyjmë me gjithësej në dialog me Zotin: në gëzim e në faj, në dashuri e në vuajtje, në miqësi e në sëmundje. Gjithçka mund të bëhet fjalë, që i drejtohet ‘Atij’, i cili na dëgjon gjithmonë”.

9-   Lutja e Elisë

Me audiencën e përgjithshme të 7 tetorit 2020, Papa Françesku rifillon katekizmin mbi lutjen, ndërprerë për t’iu kushtuar reflektimeve mbi kujdesin për gjithësinë. Fjalët e Atit të Shenjtë përshkruajnë “njërin nga personazhet më tërheqës të gjithë Shkrimit Shenjt: profetin Elia”. “Sa nevojë kemi ne besimtarët, - pohon Françesku - për të krishterë të zellshëm, të cilët veprojnë me guximin e Elisë para njerëzve që kanë përgjegjësi administrimi, për t’u thënë: ‘Kjo s’duhet bërë! Kjo është vrasje!’”. Historia e Elisë, kujton Papa, “duket e shkruar për të gjithë ne”.

“Në ndonjë mbrëmje mund të ndihemi të padobishëm dhe të vetmuar. Pikërisht atëherë, lutja do të vijë dhe do të trokasë në portën e zemrës. Të gjithë mund të marrim një copë nga manteli i Elisë, ashtu si dishepulli i tij Elizeu, që mori gjysmën e mantelit. Edhe nëse kemi gabuar, ose ndihemi të kërcënuar e të frikësuar, duke u kthyer tek Zoti me lutje, do të na kthehen për mrekulli edhe qetësia e paqja. Këtë na mëson shembulli i Elisë”.

10 e 11 – Lutja e Psalmeve

Në audiencën e përgjithshme të 14 tetorit 2020, Papa ia kushton katekezën Librit të Psalmeve, librit që na mëson si të lutemi. Në psalme, thekson Françesku, “besimtari gjen përgjigje”. “Ata që luten - kujton Papa - nuk mashtrohen: ata e dinë se shumë pyetje të jetës mbeten të pazgjidhura, pa rrugëdalje; vuajtjet do të na shoqërojnë dhe, sapo të kapërcehet një betejë, do të ketë të tjera, që na presin. Sidoqoftë, nëse Dikush na dëgjon, gjithçka bëhet më e durueshme”.

“Më e keqja, që mund të na ndodhë, është të vuajmë të braktisur, pa u kujtuar. Nga kjo na shpëton lutja. Sepse mund të ndodhë, madje shpesh, që ne të mos i kuptojmë planet e Zotit. Por britmat tona nuk mbeten këtu poshtë: ato lartohen tek Ai, që ka zemrën e një Ati dhe që derdh lot vetë për çdo bir dhe bijë, që vuan e vdes. Do t’ju them një gjë: më bën mirë, në çastet e vështira, të mendoj për lotët e Jezusit, kur ai qau duke parë Jeruzalemin, kur qau para varrit të Lazrit. Zoti derdhi lot për mua, Zoti qan, qan për dhimbjen tonë”.

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 21 tetorit 2020, Papa e përfundon reflektimin mbi Psalmet, duke theksuar se Psalteri na mëson t’i lutemi Zotit për veten, por edhe për vëllezërit tanë dhe për botën. Në veçanti, britma e një fëmije ia tërheq vëmendjen Papës. “Është zëri - pohon Papa - ai që tërheq butësinë e Zotit” mbi ne dhe me ne. “Kur shpirti i vërtetë i lutjes pranohet me sinqeritet dhe zbret në zemra - thekson Françesku - atëherë kjo na bën ta kundrojmë realitetin me vetë sytë e Zotit”.

“Kur lutemi, gjithçka merr ‘peshë’. Kjo është e çuditshme në lutje, fillojmë nga diçka e lehtë, por në lutje ajo bëhet e rëndësishme, fiton peshë, sikur Zoti ta merrte në dorë dhe ta shndërronte. Shërbimi më i keq që mund t’i bëhet Zotit dhe njeriut është të lutesh si i lodhur, në mënyrë të zakonshme. Të lutesh si papagall. Jo, të lutemi me zemër. Lutja është qendra e jetës. Nëse lutemi, edhe vëllai, motra, madje armiku, bëhen të rëndësishëm”.

12- Jezusi, njeri i lutjes

Në audiencën e përgjithshme të 28 tetorit 2020, itinerari i katekizmit kushtuar lutjes, pasi përshkoi Besëlidhjen e Vjetër, arrin te Jezusi. “Fillimi i misionit të tij publik - kujton Françesku - bëhet me pagëzimin në lumin Jordan”. “Nëse na duket sikur jeta ka qenë krejtësisht e padobishme, - shton Papa - në atë çast, duhet të përgjërohemi që lutja e Jezusit të bëhet e jona”. Jezusi, thekson Papa, “lutet me ne”. E duke u lutur, “hap portën e qiellit dhe nga ajo e çarë zbret Shpirti Shenjt”.

“Në pështjellimet e jetës dhe të botës, që do të arrijë deri ta dënojë, edhe në përvojat më të vështira dhe të trishtueshme që iu desh të duronte, edhe kur e kuptoi se nuk ka ku ta mbështesë kryet, edhe kur rreth tij pati veç urrejtje dhe përndjekje, Jezusi nuk mbeti kurrë pa strehë: Ai banon përjetësisht në Atin Qiellor. Kjo është madhështia unike e lutjes së Jezusit: Shpirti Shenjt e pushton dhe zëri i Atit dëshmon se Ai është i dashuri, Biri në të cilin Ati pasqyrohet plotësisht”.

13- Jezusi, mësues i lutjes

Në audiencën e përgjithshme të 4 nëntorit 2020, Papa Françesku na nxit të rizbulojmë Jezu Krishtin si mësues të lutjes. Papa nënvizon se “çdo njeri ka nevojë për një hapësirë ​​personale, ku të kultivojë jetën e brendshme, ku veprimet gjejnë kuptim”. “Gjatë jetës së tij publike - shton ai - Jezusi vazhdimisht i drejtohet fuqisë së lutjes”. “Lutja e Jezusit - kujton Papa - është vendi ku ne perceptojmë se gjithçka vjen nga Zoti dhe kthehet tek Ai”.

“Nganjëherë, ne njerëzit besojmë se jemi zotër të gjithçkaje, ose përkundrazi, e humbasim vlerësimin për veten, luhatemi andej-këndej. Lutja na ndihmon të gjejmë përmasën e duhur në marrëdhëniet me Zotin, Atin tonë dhe me gjithë krijimin. E, së fundi, lutja e Jezusit do të thotë ta lëshosh veten në duart e Atit, si Jezusi në kopshtin e ullinjve, në atë ankth: ‘Atë nëse është e mundur ..., por vullneti yt të bëhet’. Lëshimi në duart e Atit Qiellor. Është mirë kur shqetësohemi, kur ndiejmë ankth dhe Shpirti i Shenjtë na shndërron nga brenda dhe na çon drejt lëshimit në duart e Atit: Atë, vullneti yt u bëftë”.

14- Lutja këmbëngulëse

“Vijojmë katekezën mbi lutjen. Dikush më tha: Ti flet shumë për lutjen. Nuk është e nevojshme. Po, është e nevojshme. Sepse nëse nuk lutemi, nuk do të kemi forcën për të ecur përpara në jetë. Lutja është si oksigjeni i jetës”. Me këto fjalë hapet katekizmi i 11 nëntorit 2020. “I krishteri që lutet - nënvizon Papa - nuk ka frikë nga asgjë”. “Jezusi - kujton Ati i Shenjtë - dha shembullin e lutjes së vazhdueshme, të praktikuar me këmbëngulje”.

“Krishti është gjithçka për ne, edhe në jetën tonë të lutjes. Shën Augustini e pati thënë këtë me një shprehje, të cilën e gjejmë edhe në Katekizëm: Jezusi ‘lutet për ne si meshtar i yni; lutet brenda nesh si udhëheqësi ynë; e ne i lutemi si Zoti ynë. Ta njohim zërin tonë në të dhe zërin e tij në ne’. Prandaj, i krishteri që lutet nuk ka frikë nga asgjë, ai ia beson veten Shpirtit Shenjt, i cili na u dha si dhuratë dhe që lutet në ne, duke zgjuar lutje. Vetë Shpirti Shenjt qoftë Mjeshtër i lutjes, i cili na mëson udhën e lutjes”.

15- Virgjëra Mari, grua që lutet

Në audiencën e përgjithshme të 18 nëntorit 2020, Papa reflektoi mbi Marinë, mbi stilin e saj për t’iu drejtuar Zotit me zemër të përvujtë: “Zot, çfarë të duash, kur të duash dhe si të duash”. “Gjithçka që i ndodh Marisë - thekson Françesku – pasqyrohet thellë në zemrën e saj: ditët plot gëzim, por edhe çastet e errta, kur edhe ajo e ka të vështirë ta kuptojë në cilat shtigje duhet të kalojë Shëlbimi”.

“Dikush e krahason zemrën e Marisë me një margaritar me shkëlqim të paparë, të formuar dhe të lëmuar nga pranimi plot durim i vullnetit të Zotit përmes mistereve të Jezusit, të medituara në lutje. Sa bukur nëse edhe ne të dukemi pak si Nëna jonë! Me zemër të hapur ndaj Fjalës së Zotit, me zemër të heshtur, me zemër të bindur, me zemër, që di ta pranojë Fjalën e Zotit dhe e lejon atë të rritet si farë e së mirës së Kishës”.

16- Lutja e Kishës që lind

Në audiencën e përgjithshme të 25 nëntorit 2020, Papa ndalet në bashkësinë e parë të krishterë të përshkruar në Veprat e Apostujve. Një komunitet, që jeton dhe “ngulmon në lutje”. “Kisha - thotë ai - është vepër e Shpirtit Shenjt”. “Jeta e Kishës së parë - kujton Papa – ritmohet nga një sërë kremtimesh, mbledhjesh, lutjesh në bashkësi e individuale. Është Shpirti Shenjt, që u jep forcë predikatarëve, që nisen për udhëtim e kalojnë dete, përballen me rreziqe, u nënshtrohen poshtërimeve, për dashurinë ndaj Jezusit”.

Të krishterët, duke ecur nëpër shtigjet e misionit e kujtojnë Jezusin, ndërsa e bëjnë përsëri të pranishëm: e nga Ai dhe nga Shpirti i Tij marrin ‘shtytjen’  për të shkuar, për të kumtuar, për të shërbyer. Kur lutet, i krishteri kridhet në   misterin e Zotit, i cili e do çdo njeri e dëshiron që Ungjilli t’u predikohet të gjithëve. Zoti është Zot për të gjithë, e në Jezusin çdo mur ndarjeje bie përfundimisht: ashtu siç thotë Shën Pali. Ai është paqja jonë, ‘Ai, që nga dy, bëri një gjë të vetme’”.

17- Bekimi

Në katekizmin e 2 dhjetorit 2020, Papa Françesku ndalet në një përmasë thelbësore të lutjes, në bekimin. “Në historinë e krijimit - kujton Ati i Shenjtë - Zoti e bekon jetën, gjithmonë. Ai bekon kafshët, bekon burrin dhe gruan dhe, më në fund, bekon të shtunën, ditën e pushimit dhe të gëzimit të gjithë krijesave. Është Zoti që bekon”. Prandaj, Françesku këshillon të mos mallkojmë, por të bekojmë.

“Kjo botë ka nevojë për bekim dhe ne mund ta japim e ta marrim bekimin. Ati na do. E ne na mbetet vetëm gëzimi për ta bekuar e për ta falënderuar Atë, duke mësuar prej Tij jo mallkimin, por bekimin. Dhe këtu, vetëm një fjalë për njerëzit që janë mësuar të mallkojnë, njerëzit që kanë gjithmonë një fjalë të shëmtuar, një mallkim në gojën e tyre, madje edhe në zemrat e tyre. Secili prej nesh mund të mendojë: a e kam këtë zakon të mallkoj kështu? Kërkoji Zotit hirin që ta ndryshojë këtë zakon, sepse ne kemi një zemër të bekuar dhe nga një zemër e bekuar nuk mund të dalë mallkim. Zoti na mësoftë të mos mallkojmë kurrë, por të bekojmë”.

18- Lutja përmes kërkesës

Nuk duhet të shkandullohemi nëse ndiejmë nevojën për t’u lutur, nuk duhet të kemi turp. E, sidomos, kur jemi në nevojë, duhet të lypim, të kërkojmë... Kjo është një nga pjesët qendrore të katekizmit të 9 dhjetorit 2020, përqendruar në “lutjen përmes kërkesës”. T’i kërkojmë Atit zgjidhje për problemet tona e të presim me durim, nënvizon Papa.

“Gjithmonë, është çështje durimi, pritjeje. …Lutja është gjithmonë pritje, sepse e dimë që Zoti do të përgjigjet. Edhe vdekja dridhet kur një i krishterë lutet, sepse e di se çdo njeri që lutet ka një aleat më të fortë se ajo: Zotin e Ringjallur. Vdekja është mposhtur në Krishtin dhe do të vijë dita kur gjithçka do të jetë përfundimtare, dhe ajo nuk do të tallet më me jetën dhe lumturinë tonë”.

19- Lutja e ndërmjetësimit

Lutja e ndërmjetësimit është në qendër të reflektimit të Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme të 16 dhjetorit 2020. “Lutja - pohon Papa - bëhet vetëm me frymën e dashurisë. Kush nuk do, bën sikur lutet, ose mendon se po lutet, por nuk lutet, sepse i mungon vetë shpirti, që është dashuria”. Të përpiqemi, kërkon Françesku, të jemi burra dhe gra që i bëjnë të vetat gëzimet dhe vuajtjet, shpresat dhe ankthet e njerëzimit, në lutjen e ndërmjetësimit.

“Kisha e të gjitha gjymtyrët e saj kanë misionin të ndërmjetësojnë me lutje pranë Zotit, të ndërmjetësojnë për të tjerët. Në veçanti, e ka këtë detyrë kushdo, që ka rol me përgjegjësi: prindërit, edukatorët, të shuguruarit, eprorët e bashkësive... Ashtu si Abrahami dhe Moisiu, nganjëherë, ata duhet të ‘mbrojnë’ para Zotit njerëzit, që u janë besuar. Në të vërtetë, është fjala për të parë me sytë dhe me zemrën e Zotit, me dhembshurinë dhe butësinë e tij të pathyeshme. Të lutemi, me dhembshuri për të tjerët”.

20- Lutja e falënderimit

“Nuk duhet të harrojmë falënderimin: nëse jemi bartës të mirënjohjes, bota bëhet më e mirë, qoftë edhe pak, por ajo mjafton për të transmetuar pakëz shpresë. Çdo gjë është e bashkuar dhe e lidhur e, secili mund të luajë rolin e tij aty ku ndodhet”. Në audiencën e përgjithshme të 30 dhjetorit 2020, Papa Françesku e përqendron katekizmin në lutjen e falënderimit dhe na nxit të kultivojmë “harenë” e ushqyer nga “gëzimi i takimit me Jezusin”. “Nga ana tjetër, djalli, pasi na mashtron, gjithmonë na lë të trishtuar dhe të vetmuar”.

“E me mirënjohjen, me këtë qëndrim falënderimi, ne transmetojmë pak shpresë. Rruga drejt lumturisë është ajo, që Shën Pali përshkruan në fund të njërës prej letrave të tij: ‘Lutuni pa ndërprerje, falënderoni për gjithçka: në të vërtetë, ky është vullneti i Zotit në Jezu Krishtin për ju. Mos e shuani flakën e Shpirtit’. Mos e shuaj Shpirtin, program i bukur për jetën! Kur nuk e shuajmë flakën e Shpirtit brenda nesh, bëhemi mirënjohës”.

21- Lutja e lavdit

Lutja e lavdit, në qendër të katekizmit të Papës Françesku, në audiencën e përgjithshme të 13 janarit 2021. Ati i Shenjtë nënvizon rëndësinë e lavdërimit të Zotit edhe në çastet më të errëta të jetës. “Jezusi - shton Papa – e lëvdon Atin, sepse ai parapëlqen të vegjlit”. “Këtë e përjeton edhe Ai vetë, duke predikuar në fshatra: ‘të diturit’ dhe ‘të mençurit’ mbeten me dyshime e mbyllen, duke bërë llogari; ndërsa ‘të vegjlit’ e hapin zemrën dhe e mirëpresin mesazhin”.

“Edhe ne duhet të gëzohemi e ta lëvdojmë Zotin, që njerëzit e përvuajtur dhe të thjeshtë e pranojnë Ungjillin. Unë gëzohem kur shoh këta njerëz të thjeshtë, këta njerëz të përvuajtur, që shkojnë në shtegttim, luten, këndojnë, lëvdojnë, njerëz të cilëve mbase u mungojnë shumë gjëra, por përvujtëria i bën ta lëvdojnë Zotin. Në të ardhmen e botës e në shpresën e Kishës janë gjithmonë ‘të vegjlit’: ata, që nuk e konsiderojnë veten më të mirë se të tjerët, që janë të vetëdijshëm për kufizimet dhe mëkatet e tyre, që nuk duan t’i sundojnë të tjerët, që, në Zotin Atë, e shohin njëri-tjetrin si vëllezër”.

22- Lutja me Shkrimin Shenjt

Në audiencën e përgjithshme të 27 janarit 2021, Papa ndalet tek lutja, që mund të thuhet “duke u nisur nga një pjesë e Biblës”. “Fjalët e Shkrimit Shenjt nuk u shkruan për t’u burgosur në papiruse, në pergamenë a në letër, por për t’u përdorur nga njeriu që lutet, duke i bërë ato të zënë rrënjë në zemrën e tij”. “Bibla - shpjegon Papa - nuk është shkruar për ndonjë njerëzim të papërcaktuar, por për ne, për mua, për ty, për burra dhe gra me mish e gjak, burra dhe gra, që kanë emra dhe mbiemra, si unë, si ti”.

“Në disa tekste të lashta del në pah se të krishterët identifikohen kaq shumë me Fjalën e Zotit saqë, edhe nëse do t’i digjnin të gjitha Biblat e botës, mund të shpëtohet ‘gjurma’ e saj përmes gjurmës, që la në jetën e shenjtorëve. Kjo është shprehje e bukur. Jeta e krishterë është vepër e bindjes dhe e krijimtarisë njëkohësisht. I krishteri i mirë duhet të jetë i bindur, por edhe krijues. I bindur, sepse e dëgjon Fjalën e Zotit; krijues, sepse ka brenda Shpirtin Shenjt, që e shtyn ta zbatojë, ta çojë përpara”.

23- Të lutemi në liturgji

Audienca e përgjithshme e 3 shkurtit 2021 i kushtohet lutjes në liturgji. “Një krishterim pa liturgji, - thekson Françesku - është krishterim pa Krishtin. Edhe në ritin më të thjeshtë, siç është ai, që disa të krishterë kanë kremtuar dhe kremtojnë në burg, ose fshehurazi, në shtëpi, gjatë kohës së përndjekjes, Krishti është i pranishëm dhe u dhuron vetveten besimtarëve të tij”. Françesku kujton lidhjen ndërmjet lutjes dhe liturgjisë.

“Jeta duhet të kthehet në kult për Zotin, por kjo nuk mund të ndodhë pa lutje, sidomos pa lutjen liturgjike. Ky mendim na ndihmon të gjithëve kur shkojmë në meshë: unë shkoj të lutem në bashkësi, shkoj të lutem me Krishtin, i cili është i pranishëm. Kur shkojmë në kremtimin e një Pagëzimi, për shembull, është Krishti i pranishëm, që pagëzon. Krishti është i pranishëm dhe në liturgji e ne luteni me Krishtin, që është pranë nesh”.

24- Të lutemi në jetën e përditshme

Lutja e përditshme është tema e katekizmit të Papës Françesku në audiencën e përgjithshme të 10 shkurtit 2021. “Lutja bëhet në të tashmen. Jezusi vjen të na takojë sot, në këtë të tashme, që po përjetojmë. E lutja e shndërron të tashmen në hir, ose më saktë, na shndërron: zbut zemërimin, mbështet dashurinë, shumëfishon gëzimin, fuqizon forcën për të falur. Lutja - pohon Ati i Shenjtë - na ndihmon t'i duam të tjerët, pavarësisht nga gabimet dhe mëkatet e tyre”.

“Njeriu është gjithmonë më i rëndësishëm se veprimet e tij e Jezusi nuk e gjykoi botën, por e shpëtoi atë.Është jetë e shëmtuar ajo e atyre njerëzve, që gjithmonë gjykojnë të tjerët, gjithmonë dënojnë e gjykojnë: është një jetë e keqe, e palumtur. Jezusi erdhi të na shpëtojë: hape zemrën, fal, shfajësoi të tjerët, kuptoji, qëndroju pranë, kini dhembshuri, kini butësi si Jezusi. Ne duhet t’i duam të gjithë, duke i  kujtuar në lutje, pasi të gjithë jemi mëkatarë e njëkohësisht, të dashur nga Zoti. Duke e dashur botën në këtë mënyrë, duke e dashur me dhembshuri, do të zbulojmë se çdo ditë dhe gjithçka mbart të fshehur në vetvete një fragment të misterit të Zotit”.

25 e 26 – Lutja dhe Trinia Shenjte

“Pse Zoti duhet ta dojë njeriun?”. Në audiencën e përgjithshme të 3 marsit 2021, Papa Françesku bën këtë dhe pyetje të tjera thelbësore. Cili Hyj është gati të vdesë për njerëzit? “Falë Jezu Krishtit - pohon Papa - lutja na hap dyert e Trinisë Shenjte – Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt – të detit të pamasë të Zotit, që është Dashuria”.

“Është Jezusi ai, që na hapi Qiellin dhe na projektoi në marrëdhëniet me Zotin. Ishte Ai që e bëri këtë: na hapi këto marrëdhënie me Zotin Trini, Atin, Birin dhe Shpirtin Shenjt. Kështu thotë shën Gjoni apostull, në përfundim të prologut të Ungjillit të tij: ‘Zotin, askush nuk e ka parë kurrë: Biri i vetëm i parëlindur, i cili është Zot dhe është në gjirin e Atit, Ai vetë na e zbuloi’(1,18). Jezusi na zbuloi identitetin, këtë identitet të Zotit, Atit, Birit dhe Shpirtit Shenjt”.

Në audiencën e përgjithshme të 17 marsit 2021, Papa Françesku e përfundon katekizmin, duke reflektuar mbi lutjen si marrëdhënie me Trininë Shenjte, në veçanti, me Shpirtin Shenjt. “Është Shpirti - nënvizon Papa – që e shkruan historinë e Kishës dhe të botës”.

“Ne jemi faqe të hapura, gati për kaligrafinë e tij. E në secilin prej nesh Shpirti krijon vepra origjinale, sepse nuk ka të krishterë plotësisht njëlloj me një tjetër. Në fushën e pakufishme të shenjtërisë, i vetmi Zot, Trinia e Dashurisë, bën të lulëzojë një larmi dëshmitarësh: të gjithë të barabartë në dinjitet, por unikë në bukurinë, që Shpirti Shenjt deshi të çlirojë në secilin prej atyre, që mëshira e Zotit i ka kthyer në bijtë e vet. Të mos harrojmë, Shpirti Shenjt është i pranishëm, është i pranishëm në ne”.

27- Të lutemi në bashkim me Marinë

Në audiencën e përgjithshme të 24 marsit 2021, Papa ndalet në lutjen në bashkim me Nënën e Jezusit. “Maria - nënvizon Papa - ishte dhe është e pranishme në ditët e pandemisë, pranë njerëzve, që fatkeqësisht, e kanë përfunduar udhëtimin e tyre në tokë të izoluar, pa afërsinë e të dashurve të tyre. Maria është gjithmonë aty, pranë nesh, me butësinë e saj amtare”.

“Gruaja e ‘po’-së, e cila pranoi menjëherë ftesën e Engjëllit, u përgjigjet edhe lutjeve tona, dëgjon zërat tanë, madje edhe ata, që rrinë mbyllur në zemër, që nuk kanë forcë të dalin, por që Zoti i njeh më mirë se ne. I dëgjon si Nënë. E, edhe më tepër se çdo nënë e mirë, Maria na mbron në rrezik, shqetësohet për ne, edhe kur jemi të zënë me gjërat tona dhe e humbasim sensin e udhës, duke rrezikuar jo vetëm shëndetin, por edhe shpëtimin tonë. Maria lutet për ne, lutet për ata, që nuk luten. Sepse ajo është Nëna jonë”.

28- Të lutemi në bashkim me shenjtorët

“Kur lutemi, nuk e bëjmë kurrë vetëm: edhe nëse nuk e mendojmë, jemi të zhytur në një lumë madhështor lutjesh, që na paraprin dhe vazhdon pas nesh”. Papa Françesku i shqipton këto fjalë në audiencën e përgjithshme të 7 prillit 2021. “Mënyra e parë - pohon Papa - për t’u përballur me një kohë ankthi është t’u kërkojmë vëllezërve, veçanërisht shenjtorëve, të luten për ne”. E duhet t’i lutemi sidomos shenjtit, emrin e të cilit kemi.

“Në lutjet, që gjejmë në Bibël dhe që shpesh i dëgjojmë në liturgji, ka gjurmë historish të lashta, çlirimesh të mrekullueshme, dëbimesh dhe mërgimesh të trishta, kthimesh emocionale, lavdesh që rrjedhin para mrekullive të krijimit... E kështu, këto zëra transmetohen nga brezi në brez, në një ndërthurje të vazhdueshme ndërmjet përvojës personale dhe asaj të njerëzimit, të cilit i përkasim. Askush nuk mund të shkëputet nga historia e tij, nga historia e popullit të tij, e ruajmë gjithmonë këtë trashëgimi në jetën e përditshme e, edhe në lutje”.

29- Kisha, mësuese e lutjes

“Kisha është shkollë e madhe lutjeje. Shumë prej nesh kanë mësuar të shqiptojnë lutjet e para në prehrin e prindërve, ose të gjyshërve”. Papa Françesku i shqipton këto fjalë në katekizmin e 14 prillit 2021, me temën: Kisha mësuese e lutjes. “Gjithçka në Kishë - shton ai - lind në lutje dhe gjithçka rritet falë lutjes”.

“Të transmetosh llambën e fesë brez pas brezi me vajin e lutjes. Llamba e fesë, që shndrit, që i rregullon vërtet gjërat ashtu siç janë, por që mund të vazhdojë vetëm me vajin e lutjes. Përndryshe fiket. Pa dritën e kësaj llambe, nuk jemi në gjendje ta shohim udhën e ungjillëzimit, në të vërtetë, nuk jemi në gjendje të shohim as udhën për të besuar si duhet; nuk mund të shihnim fytyrat e vëllezërve për t'u afruar dhe për të shërbyer; nuk mund ta shndrisim dhomën ku do të takohemi si bashkësi... Pa fenë, gjithçka shembet; e pa lutje, feja shuhet”.

30 - Lutje vokale

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme të 21 prillit 2021, Papa reflekton mbi vlerën e lutjes vokale. “Lutja - kujton Ati i Shenjtë - është dialog me Zotin dhe ,çdo krijesë, në një farë kuptimi, ‘flet’ me Zotin”.

    “Tek njeriu, lutja bëhet fjalë, thirrje, këngë, poezi... Fjala hyjnore u mishërua dhe në mishin e çdo njeriu, fjala i kthehet Zotit me lutje. Fjalët janë krijesat tona, por ato janë edhe nëna, që në një farë mase na formojnë. Fjalët e një lutjeje na bëjnë të kalojmë pa rrezik një luginë të errët, na çojnë drejt livadheve të gjelbërta dhe të pasura me ujë, duke na mundësuar të festojmë nën sytë e armikut, siç na mëson të themi psalmi”.

31- Meditimi

Në audiencën e përgjithshme të 28 prillit 2021, Papa ndalet te “ajo formë e lutjes, që është meditimi”. “Për një të krishterë, ‘meditim’ - thotë Ati i Shenjtë – do të thotë të kërkosh një sintezë: duhet të vihemi para faqes së madhe të Zbulesës, duke u përpjekur ta bëjmë tonën, duke e përvetësuar plotësisht”. “Nuk ka asnjë faqe të Ungjillit - shton Papa - në të cilën s’ka vend për ne”.

“Meditimi, për ne të krishterët, është një mënyrë për t’u takuar me Jezusin. Kështu e vetëm kështu, mund të rigjejmë vetveten. Kjo nuk do të thotë të mbyllemi në vetvete, jo: do të thotë të shkojmë tek Jezusi për t’u takuar me veten, të shëruar, të ringjallur, të fortë nga hiri i Jezusit”.

32- Lutja kundruese

Në katekizmin e 5 majit 2021, Papa ndalet në lutjen kundruese. “Të jesh kundrues nuk varet nga sytë, por nga zemra. E këtu hyn në lojë lutja, si akt feje dhe dashurie, si ‘frymëmarrje’ e marrëdhënieve tona me Zotin”. "Lutja - pohon Françesku – e pastron zemrën dhe, me të, e qartëson vështrimin, duke na lejuar ta kuptojmë realitetin nga një këndvështrim tjetër”.

“Mund të kundroni diellin që lind në mëngjes, ose pemët, që bëhen të gjelbërta në pranverë; mund të kundroni duke dëgjuar muzikë ose këngë zogjsh, duke lexuar një libër, përpara një vepre arti, ose para asaj kryevepre, që është fytyra njerëzore... Carlo Maria Martini, i dërguar si ipeshkëv në Milano, e titulloi letrën e tij të parë baritore ‘Përmasa kundruese e jetës’: në fakt, ata që jetojnë në një qytet të madh, ku gjithçka - mund të themi - është artificiale, ku gjithçka është funksionale, ka rrezik ta humbasin aftësinë për të kundruar. Kundrimi nuk është mënyrë veprimi, por mënyrë për të qëndruar në botë: duke qenë kundrues”.

33- Beteja e lutjes

Në audiencën e përgjithshme të 12 majit 2021, Papa e mban audiencën e përgjithshme në praninë e besimtarëve. Fjalët e tij kumbojnë nga oborri i Shën Damazit në Pallatin Apostolik. Ndalet në betejën e lutjes, duke përmendur një episod, ndodhur në Argjentinë. Një babai i thuhet se vajza e tij është e sëmurë aq rëndë, sa nuk do të arrijë ta kalojë natën. Ai burrë, duke qarë, lë gruan dhe vajzën e tij në spital, i hipën trenit dhe shkon në Bazilikën e Lujanit, ku e kalon natën në lutje. Pasi kthehet, mëson se vajza e ishte shëruar në mënyrë të pashpjegueshme. “Gjithmonë - pohon Papa - duhet të luftojmë në lutje për të kërkuar një hir”.

“Lutja është betejë dhe Zoti është gjithmonë me ne. Nëse në një çast verbërie nuk arrijmë ta ndiejmë praninë e tij, do të kemi sukses në të ardhmen. Do të na ndodhë të përsërisim të njëjtën frazë të patriarkut Jakob: ‘Sigurisht që Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija’ (Zan 28,16). Në fund të jetës sonë, duke parë mbrapa, edhe ne mund të themi: ‘Mendova se isha vetëm, por jo, nuk isha: Jezusi ishte me mua’. Të gjithë mund ta themi këtë”.

34- Shpërqendrimi, shkretia e zemrës, dembelia

Në audiencën e përgjithshme të 19 majit 2021, Papa reflekton mbi përvojën e jetuar të lutjes. Flet për shpërqendrimin, shkretinë e zemrës dhe dembelinë. “Të lutesh - thotë ai - nuk është e lehtë: ka shumë vështirësi. Ne duhet t’i njohim, t’i identifikojmë dhe t’i kapërcejmë”. “Përparimi i vërtetë i jetës shpirtërore - nënvizon ai - nuk ka të bëjë me shumëfishimin e ekstazave shpirtërore, por me këmbënguljen në kohë të vështira”.

“Mos e harroni lutjen e ‘pse’-së?: është lutja që bëjnë fëmijët kur fillojnë të mos i kuptojnë gjërat. Psikologët e quajnë ‘mosha e psesë, sepse fëmija e pyet të atin: ‘Babi, pse kjo...? Babi, pse ajo...?’. Por fëmija nuk e dëgjon përgjigjen e të atit. Ai fillon t’i përgjigjet, por fëmija arrin me një tjetër pse. Thjesht, dëshiron të tërheqë vëmendjen e të atit mbi veten. Edhe ne, kur zemërohemi pak me Zotin dhe fillojmë t’i themi pse, tërheqim zemrën e Atit drejt mjerimit tonë, drejt vështirësisë sonë, drejt jetës sonë”.

35- Siguria se do të dëgjohemi

Katekizmi i 26 majit 2021 sillet rreth sigurisë se do të dëgjohemi. Papa reflekton mbi atë, që e quan “dita e parafundit”, kur na duket se po na vjen fundi e Zoti nuk është i pranishëm. Por pikërisht në ditën e fundit, banon ringjallja, nënvizon Ati i Shenjtë, e Zoti i zgjidh të gjitha problemet. Prandaj, të jemi të sigurt se Ai e dëgjon lutjen tonë.

“Kur lutemi duhet të jemi të përvuajtur, në mënyrë që fjalët tona të jenë vërtet lutje dhe jo marrëzi, që Zoti i hedh poshtë. Dikush mund të lutet edhe për arsye të gabuara: për shembull, për të mposhtur armikun në luftë, pa pyetur se çfarë mendon Zoti për atë luftë. …Në lutje, është Zoti ai që duhet të na kthejë në udhë të drejtë e jo ne Hyjin. Kjo është përvujtëria. Unë lutem por Ti, o Zot, ma shndërro zemrën që të kërkoj çka duhet, çka është më e mira për shëndetin tim shpirtëror”.

36- Jezusi, model e shpirt i çdo lutjeje

“Jezusi, jo vetëm që dëshiron të lutemi ashtu si Ai, por na siguron edhe se kur përpjekjet tona për lutje janë krejtësisht të kota, mund të mbështetemi gjithnjë në lutjen e tij. Duhet të jemi të vetëdijshëm: Jezusi lutet për ne”. Në audiencën e përgjithshme të 2 qershorit 2021, Papa Françesku nënvizon se “dashuria dhe lutja e Jezusit për secilin prej nesh nuk ndalen, përkundrazi bëhen më intensive e ne jemi në qendër të lutjes së tij”.

“Edhe sikur lutjet tona të ishin vetëm belbëzime, të kompromentuara nga një fe e lëkundur, nuk duhet kurrë të reshtim së nesuari në Të… unë nuk di të lutem, por Ai lutet për mua. Të mbështetur nga lutja e Jezusit, lutjet tona të ndrojtura vendosen mbi krahë shqiponjash dhe lartohen drejt Qiellit. Mos harroni: Jezusi lutet për mua - Tani? – Po, tani. Në çastin e sprovës, në mëkat, - po, edhe në atë çast - Jezusi lutet për mua me shumë dashuri”.

37- Të vijojmë me dashuri

Në katekizmin e parafundit mbi lutjen, në audiencën e përgjithshme të 9 qershorit 2021, Papa Françesku reflekton mbi këmbënguljen në lutje. “Është një ftesë, në të vërtetë, një urdhër, që na vjen nga Shkrimi Shenjt”. E përsërisim plot besim: “O Zot Jezu Krisht, Bir i Zotit, ki mëshirë për mua, mëkatarin!”. Por kutja nuyk duhet të jetë spiritualizëm a ritualizëm, kërkon Papa.

“Të kujtojmë se Jezusi, pasi u tregoi lavdinë e tij dishepujve në malin Tabor, nuk deshi ta zgjaste atë çast vegimi, por zbriti me ta nga mali dhe rifilloi udhën e përditshme. Sepse ajo përvojë duhej të mbetej në zemra si drita dhe forca e fesë së tyre; dritë dhe forcë edhe për ditët në vijim: ato të Mundimeve. Kështu, koha e qëndrimit me Zotin e rigjallëron fenë, e cila na ndihmon në jetën konkrete, ndërsa feja, nga ana tjetër, ushqen lutjen, pa ndërprerje. Në këtë rrethqarkullim ndërmjet fesë, jetës dhe lutjes, mbahet ndezur zjarri i dashurisë së krishterë, që Zoti pret prej nesh”.

38- Nuk jemi kurrë vetëm

Cikli i katekizmit të Papës Françesku mbi lutjen përfundoi më 16 qershor 2021. Në audiencën e përgjithshme, Ati i Shenjtë u përqendrua mbi çastet e fundit të jetës së Jezu Krishtit. Ai, nënvizoi Papa, “kishte shëlbimin e plotë - mesianik, që të bën të shpresosh në fitoren përfundimtare të jetës mbi vdekjen”, prandaj nuk na lë kurrë vetëm, por së bashku me Atin e me Shpirtin Shenjt lutet për ne.

“E atëhere me lutje e me jetë nuk na mbetet tjetër, veçse të kemi guxim, shpresë!. E me këtë guxim e këtë shpresë,  ta ndjejmë fort lutjen e Jezusit e të shkojmë me guxim përpara. Të shkojmë! E jeta jonë të jetë lavdia e Zotit, me bindjen se Ati lutet për mua, Jezusi lutet!”

 

15 qershor 2021, 16:48