Kërko

Vatican News

Papa: dashuria nuk është filozofi idealiste, por konkrete e mund ta ndryshojë botën

Në një videomesazh drejtuar “John 17 Movement”, mbledhur në ushtrime shpirtërore, Papa Françesku kujton se jemi bij të të njëjtit Atë, pavarësisht nga origjina apo kombësia, të thirrur ta “japim jetën” për dashuri

R.SH. - Vatikan

“Së bashku në dashuri, ne të krishterët mund ta ndryshojmë botën, mund ta ndryshojmë veten, sepse Zoti është Dashuri!”. Përqendrohet në thirrjen për t’u dashur “si bij të të njëjtit Atë”, videomesazhi në spanjisht, që Papa Françesku ia dërgon “Lëvizjes Gjoni 17”, një përvojë ekumenike, që i nxit Kishat për pajtim dhe bashkim, sipas lutjes së Jezu Krishtit: “Që të gjithë të jenë një” (Gjn 17,21). Lëvizja është mbledhur në ushtrime shpirtërore në Nju Jork, në Seminarin e Shën Jozefit, rektori i të cilit është ipeshkvi James Massa. Merr pjesë edhe kardinali Joseph Tobin. Është fjala për ushtrime shpirtërore të veçanta me temën e “Pajtimit të marrëdhënieve, një Udhë e re për pajtimin e të krishterëve” (shih Gjn 17,13-17).

Gjithçka lind nga takimi me Jezusin

“Dashuria nuk ka nevojë për njohuri të thella teologjike, të cilat gjithsesi janë të domosdoshme”, shpjegon Papa, duke kujtuar se ajo është takim jete me Jezu Krishtin. Gjithçka lind nga ky takim dashurie: “lind miqësia, vëllazërimi dhe siguria se jemi bij të të njëjtit Atë”. Në fakt, dashuria, nënvizon Ati i Shenjtë, “mund të ndryshojë botën, por së pari ajo na bën të ndryshojmë ne vetë”.

Papa nënvizon se preket nga shprehja e Veprave të Apostujve, me të cilën e përkufizonin bashkësinë e parë të krishterë, ata që e takonin: “Shikoni sa e duan njëri-tjetrin”. Ati i Shenjtë e pati kujtuar këtë edhe në Mbrëmësoren e lutjes, në prag të Rrëshajëve, organizuar nga Komisioni CHARIS për Bashkimin e Krishterë e transmetuar për gjithë botën nga Jeruzalemi.

Bij të të njëjtit Atë, pavarësisht nga varfëria dhe lufta

Papa vë në dukje se “Lëvizja Gjoni 17” ka të bëjë me dashurinë e njerëzve, që mblidhen “rreth tryezës, duke pirë një kapuçino, duke drekuar, ose duke ngrënë një akullore, e zbulojnë se janë vëllezër, jo për shkak të ngjyrës, kombësisë, ose origjinës, ose për shkak të formave me të cilat e jetojnë fenë, por sepse janë bij të të njëjtit Atë”.

“E, edhe nëse nuk ka tryezë, edhe nëse nuk ka kapuçino, edhe nëse nuk ka akullore, edhe nëse nuk ka kafe, sepse ka varfëri dhe luftë, jemi ende vëllezër e duhet t’ia themi njëri-tjetrit. Pa menduar për origjinën, kombësinë, ose ngjyrën e lëkurës, ne jemi bij të të njëjtit Atë”.

Papa kujton se ishte caktuar një datë për t’u takuar me Lëvizjen ekumenike, por pandemia i ndryshoi punët. “Do të takohemi më vonë - siguron ai - shpresojmë së shpejti, para së të mbarojë viti”. Sa herë janë takuar, i japin “shpresë e gëzim”, vëren Ati i Shenjtë.

Dashuria të bën të japësh jetën për të tjerët

Papa i fton anëtarët e Lëvizjes të ecin së bashku, “duke ndarë jetën dhe dashurinë vëllazërore”. Siç thotë Joe Tosini, pastor pentekostal, njëri nga themeluesit e lëvizjes, “dashuria është gjëja më e rëndësishme në botë e, megjithatë, askush nuk mëson se si të duash!”:

“Dashuri a jo dashuri, dimë se dashuria u mishërua, dashuria dha jetën për ne, kjo është rruga. Shumë herë ne e ngatërrojmë dashurinë me një lloj filozofie platonike, idealiste. Dashuria është konkrete, dashuria jep jetën për të tjerët, siç e dha Jezusi për ne. Mbase, sepse dashuria nuk mësohet, ajo jetohet dhe ju po na e mësoni duke e jetuar”.

Së fundi, siç ndodh shpesh, Papa Françesku kërkon lutje për të, “sepse kjo punë – nënvizon për papninë e tij – nuk është aspak e lehtë”.

09 qershor 2021, 19:45